Dibër – Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë po konsolidohet si nyja kryesore ajrore për dibranët dhe diasporën dibrane, e cila jeton kryesisht në Europë dhe SHBA. Në dy vitet e fundit, ky trend është bërë edhe më i theksuar, duke reflektuar ndikimin e zhvillimeve infrastrukturore, ekonomike dhe logjistike.
Një faktor kryesor në këtë zgjedhje është përmirësimi i lidhjes rrugore mes Dibrës dhe Tiranës, pas përfundimit të pjesshëm të rrugës së Arbrit. Kjo rrugë e ka reduktuar kohën e udhëtimit nga Dibra në Tiranë në rreth 1 orë e 30 minuta, krahasuar me mbi 3 orë që kërkohen për të arritur në aeroportin e Shkupit.
Agjencitë turistike lokale, raportojnë se shumica dërrmuese e udhëtimeve ndërkombëtare të dibranëve realizohen përmes aeroportit të Tiranës. Ndërkohë, vetëm një përqindje e vogël preferon aeroportin e Shkupit apo atë të Prishtinës, kryesisht për arsye si afërsia me destinacionin përfundimtar apo ofertat e kompanive ajrore.
Sipas Beli Halitit, pronar i agjencisë “Atllas” në Dibër, aeroporti i Tiranës ka disa avantazhe kyçe. Ai shpjegon se “Tirana ofron çmime më të ulëta krahasuar me aeroportet e tjera të rajonit. Për më tepër, frekuenca e lartë e fluturimeve dhe numri i destinacioneve ndërkombëtare e bëjnë këtë aeroport më tërheqës për dibranët.”
Një tjetër agjenci turistike në qytetin e Dibrës, “Skara Turist” thekson rëndësinë e lidhjeve të përditshme për në Itali dhe vendet e tjera europiane.“Fluturimet e shpeshta nga Tirana për në destinacionet kryesore europiane e bëjnë shumë më të lehtë planifikimin e udhëtimeve për dibranët dhe diasporën e tyre.” Deklarojnë nga kompania “Skara Turist”.
Diaspora dibrane dhe rritja e kërkesës për fluturime nga Tirana
Sipas të dhënave të agjencive turistike, rreth 70% e emigrantëve dibranë që udhëtojnë nga SHBA apo Europa drejt Ballkanit, zgjedhin Tiranën si pikëmbërritje. Ky trend lidhet ngushtë me zgjerimin e linjave ndërkombëtare nga aeroporti i Tiranës, i cili po ofron konektivitet më të madh dhe çmime konkurruese.
Për më tepër, sipas agjencive amerikane të udhëtimit, aeroporti i Tiranës është një zgjedhje më e volitshme për emigrantët shqiptarë dhe sidomos për ata nga Dibra. “Biletat janë më të lira dhe lidhjet më të shpeshta, duke e bërë më të lehtë udhëtimin për diasporën shqiptare,” shprehet një agjent udhëtimi nga New York-u.
Agjencitë turistike theksojnë se përdorimi i aeroportit të Tiranës nga banorët e Dibrës pritet të rritet ndjeshëm pas përfundimit të plotë të Rrugës së Arbrit, e cila do të lehtësojë ndjeshëm udhëtimin. Përfaqësuesit e agjencive gjithashtu nënvizojnë se nisja e fluturimeve direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – siç është lajmëruar në vitin 2025 – do ta forcojë edhe më tej pozicionin e aeroportit si pikë kyçe për udhëtimet ndërkombëtare.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), në dhjetor 2024 ka arritur numrin prej 10 milionë pasagjerësh. TIA është aeroporti që ka pasur rritjen më të shpejtë në Europë pas pandemisë, me një rritje prej 225% krahasuar me vitin 2019.
Konkurenca rajonale për udhëtarët
Ndërkohë, ky dominim i Tiranës ka nxitur reagime në rajon. Vendet e tjera të Ballkanit, veçanërisht Maqedonia e Veriut, kanë nisur programe për të tërhequr më shumë udhëtarë dhe kompani ajrore.
Qeveria maqedonase ka nisur një skemë subvencionesh për kompanitë ajrore që operojnë në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit. Për çdo pasagjer, kompanitë marrin 9 deri në 12 euro subvencion. Ministria e Transportit në Maqedoninë e Veriut ka ndarë 6.3 milionë euro për këtë program gjatë periudhës 2025-2027, duke synuar të rrisë numrin e pasagjerëve me afro 200,000 në vit.
Kompanitë ajrore kanë mirëpritur programin e subvencioneve të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke shpallur shtimin e linjave të reja ajrore nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, të cilat do të hyjnë në funksion nga marsi i vitit 2025.
Flydubai do të nisë fluturime direkte midis Shkupit dhe Dubait, duke krijuar një lidhje të rëndësishme me Lindjen e Mesme, ndërsa Turkish Airlines do të ofrojë një linjë të re që lidh Ohrin me Stambollin. Wizz Air, një nga operatorët kryesorë në rajon, ka planifikuar shtimin e fluturimeve nga Shkupi drejt Barcelonës, Lionit dhe Shtutgartit, si dhe nga Ohri drejt Basel-Mulhouse. Këto linja të reja synojnë jo vetëm të përmirësojnë lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Evropën dhe Lindjen e Mesme, por gjithashtu pritet të rrisin ndjeshëm numrin e vizitorëve.
Marre nga Bulqizaime.al