“Po T’Vjen Një Kartolinë” – Dhurata për vogëlushët e Dibrës në prag festash
Fushata humanitare “Po T’Vjen Një Kartolinë”, e organizuar nga gazetari Osman Stafa për të 5-in vit radhazi, mbërriti sot në shkollën 9-vjeçare të Maqellarës. Vogëlushët e shkollës, kopshteve dhe shkollave vartëse u gëzuan pafund teksa morën dhuratat që kishin udhëtuar drejt tyre në këtë prag festash, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion.
Në rrjetet e tij sociale, gazetari Stafa ndau emocionet për këtë moment të veçantë, duke përshkruar buzëqeshjet dhe gëzimin e fëmijëve që mezi prisnin të hapnin dhuratat e tyre.
“Po T’Vjen Një Kartolinë” synon të sjellë copëza lumturie në zonat rurale të Shqipërisë, duke shpërndarë dhurata të përgatitura me dashuri. “Të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të vogla, por me dashuri të madhe,” theksoi Stafa në mesazhin e tij, duke falënderuar të gjithë kontribuesit për bujarinë dhe solidaritetin e tyre.