Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, ka ngritur shqetësimin për mungesën e aftësive profesionale mes oficerëve që punojnë në sektorin e policisë kriminale. Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë, ku po diskutohej projekt-buxheti për vitin 2025, Proda theksoi se rritja e fondit sekret është e lidhur ngushtë me kompetencat e oficerëve.
“Nuk mund të kërkoj rritje të fondit me njerëz që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për punën operative,” deklaroi Proda, duke nënvizuar që fondet nuk mund të shpenzohen në mënyrë efektive pa një rritje të cilësisë së stafit. Ai theksoi gjithashtu se hapja e Akademisë së Sigurisë është një masë e marrë nga Ministria e Brendshme për të adresuar këtë mungesë, dhe pritet që rezultatet të ndihen pas tre vitesh.
Proda shtoi se situata në policinë kriminale nuk është e kënaqshme dhe se është domosdoshmëri përmirësimi i aftësive profesionale të oficerëve për të justifikuar rritjen e fondit të sigurisë.