Nesër, më 9 shtator 2024, fillon viti i ri shkollor dhe pushteti vendor në Dibër ka bërë gati gjithë infrastrukturën për të pritur nxënësit e arsimit parauniversitar. Specialistët e ndërmarrjes së shërbimeve publike po punojnë intensivisht për përfundimin e godinave arsimore në të gjithë territorin e bashkisë, në mënyrë që shkollat të jenë gati për nisjen e vitit të ri shkollor.
Zyrtarë të Bashkisë dhe Zyrës Arsimore Dibër thanë se puna nuk është përqendruar vetëm në ambjentet e brendshme, por edhe në ato të jashtme, ku janë përmirësuar hapësirat çlodhëse për nxënësit dhe stafin mësimor. Po ashtu, tre shkolla të ndryshme po i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë për të siguruar kushte moderne për procesin mësimor. Autoritetet garantuan se vëmendja e bashkisë ndaj institucioneve arsimore do të vazhdojë gjatë gjithë vitit shkollor.