Rrapi mbi 250-vjeçar, në Kërçisht të Poshtëm, pjesë e Njësisë Maqellare në Bashkinë Dibër, mbart një histori interesante dhe të veçantë. Sipas gojëdhënave të përcjella nga mësuesi në pension, Besim Nurçja, ky rrap është mbjellë nga disa emigrantë nga Kërçishti i Poshtëm, të cilët punonin në Stamboll të Turqisë. Njëri prej tyre, Sulejman Rubla, e kishte shkulur gjatë rrugës në kthim nga Stambolli dhe e kishte mbjellë në trojet e tij, pa e ditur se çfarë peme ishte.
Në një intervistë për mikrofonin tonë, mësuesi në pension Besim Nurçja theksoi se ky monument natyre nuk është thjesht një pemë e shekullore, por një pjesë e rëndësishme e historisë autentike të fshatit Kërçisht të Poshtëm. Ai rrëfen se rrapi ka shërbyer si vend për takime të rëndësishme dhe një pikë strategjike për ushtrinë.
Në rrap ndodhet një tabelë informuese, e cila është tejet e dëmtuar, por informacionet kryesore mund të lexohen. Tabela ofron gjithashtu përkthim në anglisht dhe mban logon e Bashkimit Europian.
Rrapi ka një kurorë në formë rrethi me një perimetër rreth 60 metra, me diametër të trungut rreth 180 cm dhe perimetër të tij rreth 5.6 metra. Ky monument natyre, me 25 degët e tij që formojnë kurorën, ka vlera shkencore, didaktike, estetike, historike dhe turistike.
Nga institucionet përgjegjëse kërkohet një kujdes më i shtuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij rrapi shumë shekullor, i cili ka pësuar dëmtime të pjesshme të degëve nga faktorët atmosferikë.
Marrë nga Mat TV