Është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e parë e Këshillit të ri të Qarkut Dibër, mbledhje në të cilën është bërë edhe konstituimi i këtij këshilli. 17 këshilltarët që e përbëjnë këtë Këshill zgjodhën mes tyre edhe drejtuesit e rinj për këtë mandat katërvjeçar. Për kryetar të Këshillit të Qarkut Dibër u propozua emri i anëtares së këtij këshilli Alma Selami. Pas zhvillimit të procesit të fshehtë, me 17 vota pro e asnjë kundër, në krye të Këshillit të Qarkut Dibër, për mandatin 2023 – 2027, u zgjodh Alma Selami.
Pas këtij procesi, mbledhja u drejtua nga kryetarja e sapo zgjedhur Alma Selami, e cila vijoi me rendin e ditës, atë të zgjedhjes së zëvendëskryetarit. Emri i vetëm i propozuar për këtë pozicion në këshillin e Qarkut Dibër ishte anëtari i këshillit të Bashkisë së Klosit, Armand Gjini. Edhe për këtë emër u zhvillua procesi me votë të fshehtë dhe nga 17 anëtarët përbërës të këshillit të Qarkut, Gjini u zgjodh, me të gjitha votat, zëvendëskryetar.
Këshilli i Qarkut Dibër është një organ i cili përbëhet nga anëtarë nga të katër bashkitë e Qarkut. Kryetarët e bashkive janë automatikisht anëtarë, ndërsa pjesa tjetër zgjidhen nga radhët e këshillave bashkiak.
Mat TV