Elez Murrja lindi në Hotesh të Luznisë. Ai që në rininë e tij shquhej për zgjuarsi e trimëri. Elezi pasi mori mihirin/vulën nga fisi Sefere, Ai ka përfaqësuar Luzninë në të gjitha kuvendet që organizoheshin nga malet/krahinat e Dibrës për marrjen e vendimeve kundra reformave të perandorisë Otomane. Të drejtën e drejtimit të malit/krahinës, Elezi e ka marrë me dëshirën e fisit Sefere, fis i cili ka drejtur Luzninë më përpara. Megjithë përpjekjet e pashallarëve otomanë për ta blerë Elezin me flori për të mos kundërshtuar reformat e tyre, ata nuk ia arritën qëllimit.
Elez Murrja e vazhdoi qëndresën edhe më i organizuar. Veprimtaria e tij atdhetare arrin kulmin me pjesëmarrjen e tij në luftën në krye të luznakve kundër Hajredin Pashës në pranverën e vitit 1844 (Kolgjegja 1991:38-41 dhe Ndreu 2003:163-164). Pas fitores që arritën malsorët ndaj Hajredin Pashës, Elezi ia la drejtimin e fisit e malit/krahinës, djalit të tij Isuf Murrës .
Për të përballuar sulmet e mundshme të perandorisë Otomane, në fshatin Hotesh, Elez Murrja së bashku me vëllezërit e tij ndërtoi tre kulla që shikonin njëra-tejtrën. Kullën e parë dhe më kryesoren e ndërtoi në verilindje të fshatit, në majë të një shkëmbi/shkrepi, rrezë lumit Drini i Zi, në të majtë të tij. Edhe sot njihet me emrin kulla e Elezit ose ndryshe si kulla me 12 qoshe. Vendosja e kësaj kulle në majë të shkëmbit/shkrepit është shumë strategjike. Në çdo cep të saj kontrollohen lehtësisht hyrjet për në fshat. Për ironi të fatit kjo kullë qëndron edhe sot, por shumë e rrënuar.
Ndërtimi i saj i përket arkitekturës mesjetare të vonë. Kur muratorët/ustallarët kanë vendosur për ndërtimin e kësaj kulle, kanë bërë këtë provë: -Kanë bashkuar dy gurë me gëlqere të stazhinuar në vite dhe i kanë hedhur nga shkëmbi/shkrepi ku ndodhet sot kulla. Gurët e ngjitur janë rrokullisur dhe kanë rënë në lendinën pa u ndarë. Atëherë ata i kanë thënë Elezit se gëlqerja është stazhionuar për të filluar ndërtimin.
Dy kullat e tjera janë ndërtuar në mesin e fshatit dhe afër njëra-tjetrës në një distancë më pak se 500 m. Kulla e mesit njihet me emrin Hasanit. Hasani është njëri nga vëllezërit e Elezit. Kulla u prish në vitet ’80 të shekullit të kaluar, duke përdorur materialet e saj për ndërtimin e shtëpisë, ku sot jeton Enver Murrja. Kjo kullë ka qenë me tre pode ose kate. Në katin e parë mbaheshin bagëtia, ndërsa kati i dytë e tretë ishte për banim. Edhe kjo kullë ka qenë e vendosur buzë një kodre të vogël nga ku kontrolloheshin të gjitha arat dhe luginat përreth saj, si dhe shikoheshin lehtësisht dy kullat e tjera. Në verilindje të saj dukej qartë një kodërz e vogël. Kjo kodërz ka shërbyer si trase luftimesh dhe mbronte kullën në rast goditjesh me topa. Kodërza është prishur bashkë me kullën në vitet ’80.
Kulla e tretë është e vendosur në mesin e fshatit. Për nga planimetria dhe numëri i podeve/kateve kjo kullë ngjan me kullën e Hasanit. Edhe kjo kullë rreth viteve tetëdhjetë pësoi të njëjtin fat duke u prishur për t’u ndërtuar një shtëpi tjetër. Muri jugperëndimor i shtëpisë së sotme të Elmaz Murrës është i kullës së vjetër.