Osman Xhili është fitues i dy çmimeve kombëtare. I pari për prozë, nga Fondacioni AIITC, viti 2007 dhe i dyti nga Fondacioni i Kuranit, po në vitin 2007.
Profesor Osman Xhili është një emër mjaftë i njohur në në fushën e bujqësisë por jo vetëm. Talenti i tij në fushën e letërsisë e ka bërë atë mjaftë të njohur teksa shkruan për njerëzit punëtorë dhe të thjeshtë.
Ai është autor i shumë librave dhe botimeve të ndryshme dhe së fundi profesor Osmani sjell për lexuesit librin “Yjet e bujqësisë dibrane” i cili ka filluar të shkruhet që në vitin 2014, pra tetë vite më parë, kur gazeta Rruga e Arbërit, filloi të pasqyrojë në faqet e saj shkrimet e Osman Xhilit për punën e mrekullueshme të fermerëve dibranë.
Fermerët dibranë janë heronj. Njerëz që ngrihen në orët e para të ditës dhe punojnë pa orare. Njerëz që luftojnë me kushtet e vështira të motit, ngricat, breshrin apo thatësirën e tejzgjatur. Njerëz që pak ndihmohen me subvencione e presin gjithë ankth, nëse do tu shitet prodhimi, që e kanë realizuar me aq mund e sakrifica…
Prej kohës që janë shkruar këto profile të njerëzve të punës në Dibër, kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Familja Zerja hapi një bujtinë të mrekullueshme me plot gjëra antike dhe me ushqim bio. Sakip Ngota, ky mjeshtër duarartë dhe bujar që nuk është më mes nesh, realizoi dëshirën e madhe për të ndërtuar baxhon e re në hyrje të fshatit Melan. Të tjerë kanë shtuar sipërfaqen e mbjellë me pemë, kanë shtuar numrin e krerëve të blegtorisë…
Krahas fermerëve të njohur që janë përmendur në këtë botim, është edhe një kapitull i veçantë, ku bëhet fjalë për njerëzit që promovojnë turizmin në Dibër. Nuk është rastësi përfshirja e tyre në libër, pasi koha sot është e agroturizmit. Turistët do të jenë ata që do të konsumojnë në këto bujtina produkte bujqësore dhe blegtorale.
Në këtë botim vijnë shembujt e mirë të punës së Osman Begut, Qatip Dodës, Zyber Gjonit, Ilir Pilkut, Dali Horeshkës, vëllezërve Mehmeti, Gazmend Hajdaragës, Hajrulla Nikollit, Premtim Agollit e shumë të tjerëve. Disa prej tyre e kanë bazuar zhvillimin e produkteve të tyre mbi baza shkencore, shpesh herë duke eksperimentuar vetë, por edhe duke sjellë shembujt më të mirë të bujqësisë së kultivuar në botë.
Rreth Autorit
Osman Xhili ka mbaruar studimet e larta për Mjekësi veterinare në Tiranë në vitin 1984. Ka punuar në sektorë të ndryshëm të bujqësisë si dhe për tetë vjet në arsim, në shkollë të mesme dhe 9-vjeçare.
Të shkruarit ka qenë një pasion i tij që në rini dhe ka botuar që herët në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Ushtima e maleve” dhe më vonë në Revistën “Drita Islame”, “Agrobiznes”, etj.
Ka botuar librat “Kufiri i eshtrave”, “Jetë jetës”, “Jetë që ndryshojnë”, “Breza që nuk shuhen”, “Margaritari i kurorës”, “Ditënetët e një muaji të bekuar”.
Osman Xhili është fitues i dy çmimeve kombëtare. I pari për prozë, nga Fondacioni AIITC, viti 2007 dhe i dyti nga Fondacioni i Kuranit, po në vitin 2007.
Ka punuar si shef i këshillimit në Drejtorinë e Bujqësisë, Dibër si dhe është bashkëpunëtor i rregullt në gazetën “Rruga e Arbërit”.