Një 47-vjeçar nga Burreli është gjobitur nga policia, pasi është filmuar duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe ka rrezikuar jetën e këmbësorëve.
Sipas policisë 47-vjeçari duke drejtuar mjetin e tij “Mercedez Benz”, ka bërë drift në qendër të qytetit në një kohë kur kishte shumë kalimtar. Ai është ndëshkuar me gjobë për kryerjen e manovrave të rrezikshme, por edhe pse drejtonte pa dokumentacionin përkatës.
“Bëri drift dhe manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e këmbësorëve, identifikohet, shoqërohet dhe procedohet administrativisht drejtuesi i automjetit.
Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit se drejtuesi i një automjeti po bënte manovra të rrezikshme, në rrugët e qytetit të Burrelit, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, ka vijuar kontrollet për lokalizimin dhe ndalimin e tij. Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar drejtuesin e automjetit tip “Mercedez Benz”, duke bërë drift, në qendër të qytetit. Menjëherë shërbimet e Policisë e kanë ndaluar drejtuesin e automjetit, shtetasin D. H., dhe e kanë shoqëruar atë, në Komisariat.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Dibër ndëshkuan me masë administrative shtetasin D. H., 47 vjeç, banues në Burrel, për kryerjen e manovrave të rrezikshme, me automjetin tip “Mercedez Benz”, që e drejtonte pa dokumentacionin përkatës”, njofton policia./btvnews.al