Maradona i Dibrës”, Shpëtim Toska: 
Biografia m’u bë pengesë të arrija më shumë, por publiku ishte krah meje

0 0
Read Time:7 Minute, 53 Second

Intervistoi: Adriatik Balla

Ishte viti 1986. Tek Dinamo stërvitej me grupin një prurje e re, jo i panjohur, një prej më të spikaturve të atyre viteve, Shpëtim Toska. Kur gjithçka ishte gati dhe pritej federimi me “nëndetësen”, lojtarin e ftojnë në zyrë dhe ia thonë hapur: “S’mund të luash me Dinamon, biografia juaj bëhet pengesë”. Toska kthehet në Peshkopi, me skuadrën e Korabit. Kështu, biografia iu bë pengesë të kapte majat njërit prej talenteve më të mëdha të futbollit shqiptar, i mbiquajtur në kohën e tij “Maradona i Dibrës”, për shkak të cilësive teknike dhe ngjashmërinë me lojën që bënte ikona argjentinase. E megjithatë, Shpëtim Toska do të shkruante me Korabin faqe suksesi në planin individual, duke shënuar në karrierën e tij plot 320 gola, kryegolashënues në Kategorinë e Dytë për 9 vjet rresht, duke i dhënë Peshkopisë emocione dhe duke pasur një kontribut jo të vogël në zhvillimin e futbollit në Dibër. Gazeta “SOT” sjell këtë fundjavë intervistën me këtë legjendë të futbollit dibran, njeriun e urtë e profesionist, dibranin model, Shpëtim Toska.


– Duket e pabesueshme, por ju e keni ndërtuar karrierën vetëm me një skuadër, Korabin. Pse kështu?
Unë kam luajtur me Korabin e Peshkopisë nga viti 1972 e deri në vitin 1991. Më pas, 1992-1994, kam luajtur me Korabin e Dibrës së Madhe.
– Si ka ndodhur që u angazhuat në futboll?
Ishte viti 1967, isha 7 vjeç, te xhamia e Peshkopisë, e cila u prish dhe ambientet e saj u kthyen në fushë basketbolli. Aty e kam nisur me fëmijët e lagjes, aty u brumosa. Në vitin 1971 më morën me pionierët, u ngritën grupet, u hapën klasa sportive. Unë doja që të dilte një grup mangët që të më fusnin mua. Në një moment mu dha mundësia dhe unë tregova vlera. “Po ku paske qenë ti more”, më thanë. Në fillim e nisa me atletikën, me trajnerë H. Shehun, E.Sadikun dhe trajneren Sh.Delishi. U bë një spartakiadë, do të shkonim në Vlorë. Para se të niseshim bënim prova në kërcime. U luta e u luta e më në fund ma dhanë një mundësi. Kërceva së larti 20 cm më shumë se ai që kishin planifikuar. Pasditen e asaj dite shkuam në gjendjen civile për të bërë letrat e të më certifikonin si sportist të klubit dhe në Vlorë dola i dyti në rang kombëtar, madje theva dhe rekordin e pionierëve. Nga 23 pikë të ekipit tonë 12 i mora veç unë. Me Korabin ndeshjen e parë e kam bërë në moshën 13-vjeçare. Më pas, kur isha 14 vjeç, me trajner Naxhi Lazimin, më futi një çerek ore nga fundi. Bëra një gol e në golin e dytë të skuadrës bëra disa veprime të bukura. Aty mora emër, publiku ngrihej në këmbë dhe kërkonte aktivizimin tim.
– Karriera juaj ishte e kushtëzuar nga biografia në atë kohë. Ndoshta ky është dhe pengu juaj që nuk mundët të luanit në elitën e futbollit shqiptar dhe në ekipin kombëtar. Ju ishit shumë afër Dinamos, por diçka shkoi keq, si qëndron e vërteta?

Sistemin e kaluar këto probleme ekzistonin dhe mua më ra pjesë edhe t’i përjetoja. Në vitin 1986 mua më kërkoi Dinamo dhe unë bëra dy javë stërvitje atje, por situata ndryshoi krejtësisht në disfavorin tim kur erdhi puna të bëheshin letrat. Unë isha nip bejlerësh, nga ana e nënës kisha një gjysh të pushkatuar dhe ky ishte problemi. Njerëzit shkruanin, një pjesë edhe për arsye se donin që unë të mos largohesha nga Peshkopia, pra të më shihnin në fushë me Korabin. Më morwn në zyrë e më thanw hapur: “O Toske, po a vetëm me ty merren këta njerëz, nuk kanë punë tjetër? Me këtë CV që ke ti, për më tepër që ky është klub i Ministrisë së Brendshme, është e pamundur të luash këtu”. Në fakt trajneri më donte, më kishte parë në stërvitje e në ndeshje dhe dëshironte që unë të luaja për Dinamon, por i tillë ishte sistemi. U detyrova u ktheva në Peshkopi, të luaja me Korabin.
– Keni qenë shumë pranë Kombëtares në një moment të karrierës tuaj…
Jam grumbulluar një javë me Kombëtaren, në vitin 1985. Në fakt u bë grumbullimi i Kombëtares A dhe B. Nga Korabi ishim unë dhe Prençi. Na grumbulloi zv/trajneri Medin Zhega. Ky grumbullim u bë thjesht për të testuar elementët, për të parë talentet e Kategorisë së Dytë, më pas u shpërndamë.
– Me Korabin keni shënuar shumë gola në Kategorinë e Dytë. Sa gola keni shënuar në karrierën tuaj?
Kam shënuar shumë, rreth 320 gola, por këtu përfshihen edhe golat që kam shënuar në Dibër të Madhe me Korabin atje. Në Kategorinë e Dytë të atyre viteve kishte goxha cilësi, pasi luanin ekipe si Fieri, Kavaja etj që binin nga Kategoria e Parë, por edhe skuadra të tjera, kishte rivalitet. Nga viti 1981, e në vazhdim, unë kam qenë për 9 vjet rresht kryegolashënues i kësaj kategorie. Periudha më e mirë ka qenë me 27 gola në 18 ndeshje, në vitin 1981.
– Sipas jush, kur ka qenë Korabi më i mirë ndonjëherë?
Mendoj se skuadra e viteve 1984-1988 ka qenë Korabi më i mirë. Në ato vite ne e mbyllnim fazën e parë në vend të parë e në fazën e dytë binim në vend të dytë. Por duhet të themi edhe këtë tjetrën që në atë kohë infrastruktura rrugore e bënte të vështirë për ne dhe për ata që vinin të luanin me ne. Për ekipet që vinin nga zonat e tjera duhej 3 ditë rrugë vajtje-ardhje, kjo sillte shqetësime. Prandaj skuadrat e Peshkopisë dhe të Gjirokastrës nuk preferoheshin shumë në Kategorinë e Parë.
– Ju keni një episod me mbrojtësin e Vllaznisë Hysen Dedja. Është folur shumë për atë ngjarje…
Luanim për ndeshje kupe, Korabi kundër Vllaznisë. Ishte ndeshje deçizive, po të fitonim shkonim në katërshe. Në fillim shënoi Vllaznia, por ne e rritëm lojën dhe u angazhuam ta kthenim rezultatin. Unë isha protagonist me aq sa mundja, por ai u fut ashpër disa herë, por në një moment bëri një ndërhyrje të gabuar, që rezultoi e dëmshme, pasi mu thye këmba. Ndodhi ditën e ditëlindjes time, me 8 shkurt 1987. Qëndrova 3 muaj jashtë, por në atë kohë partia u interesua për mua dhe u bënë përpjekje maksimale që të shërohem sa më shpejt e të rikuperohem e të riluaj sërish. Natyrisht që kjo të pengonte, sepse binte niveli, do të luaje më i kujdesshëm duke iu shmangur ndërhyrjeve. Por luajta me pllaka në këmbë edhe për disa vite të tjera dhe pllakat i kam ende në këmbë.
– Ju keni luajtur sulmues, por a keni provuar të luani në role të tjera? Cila ka qenë arma juaj më e fortë si lojtar?
Unë kam luajtur gjithnjë sulmues i majtë, por kam mundur të integrohem edhe në skemën me dy “pyka”. Arma ime më e fortë mendoj se ka qenë driblimi. Por që të arrish nivele të tilla duhet stërvitje e madhe dhe e vërteta është se në atë kohë bëhej më shumë stërvitje se tani, madje ne bënim stërvitje më shumë se atletika sot.
Në fazë përgatitore detyroheshe të stërviteshe fort, por dua të them edhe këtë tjetrën që unë kam pasur kushte cilësore, kam pasur trajtim special.
– Kush kanë qenë idhujt tuaj në atë kohë?
Unë simpatizoja Tiranën e atyre viteve, me Agustin Kolën, Tit Dibrën, por edhe Muça që ishte lojtar i veçantë.
– Shumë figura të futbollit zgjedhin të bëjnë trajnerin pasi lënë futbollin. A e ushtroni ju këtë profesion?
Unë punoj trajner me grupmoshat U-15 dhe U-17, në cilësinë e specialistit të klubit të Korabit. I kam qëndruar besnik Peshkopisë. Populli këtu më do, më respekton dhe ndihem mirë.
– Korabi nuk ia doli të kthehet në elitë këtë sezon, iu afrua shumë, por s’ia doli. Çfarë mendimi keni për ekipin?
Futbolli është i bukur, shkon afër objektivit por në fund s’ia del. Gara i ka këto, ka dhe të papritura, por grupi s’duhet të jetë pesimist, do ta provojnë prapë sezonin tjetër.
– A ka talente në Peshkopi aktualisht?
Ne kemi pasur vazhdimisht elementë të mirë, por sapo kapin një moshë të caktuara ata ikin në shkollë dhe largohen nga Korabi, duke u aktivizuar gjetkë. Megjithatë, mund të them se punohet mirë në Peshkopi me moshat. Presidenti i klubit Fehmi Meziu na ka mbështetur. Madje kemi investuar edhe në futbollin e femrave dhe sot që flasim kemi 34 vajza në dispozicion që do të seleksionohen, për të pasur një ekip cilësor vajzash. Këtë skuadër e drejton Nefize Kapxhiu. Për t’u përgëzuar janë familjarët që i kanë besuar vajzat të luajnë futboll.
– Ju jeni specialist futbolli. Na jepni një mendim për ekipin kombëtar sot, nisur dhe nga zhgënjimi i madh që pësuan tifozët nga rezultatet e fundit. Çfarë nuk shkon me skuadrën?
Ka ndryshime të shpeshta që nuk më pëlqejnë, skuadrës i duhet një stabilitet, gjë që i mungon. Në 20 lojtarë, 13 duhen në skuadër. Ndërkohë, janë disa lojtarë që japin shumë jashtë vendit, me skuadrat e tyre, ndërsa në Kombëtare nuk e kanë atë rendiment. Mendoj se këtu çalon trajneri, ka diçka që stafi s’po i merr 100% grupit. Kam rezerva për mënyrën e drejtimit të Rejës, janë shumë fakte, duhet menduar edhe për një lider në skuadër. Më parë ekipet tona kishin 1 e 2 lojtarë që e udhëhiqnin grupin në fushë, sot skuadrës i mungon një lider. Shkurt, duhen ndryshime, sepse ekipit i mungon stabiliteti.
Marrë nga gazeta “Sot”

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %