Edhe për muajin dhjetor nuk do të aplikohet fasha prej 800 kWh, pasi kemi një situatë të përmirësuar hidrike, dhe një kursim të energjisë nga konsumatorët, deklaroi zvkryeministrja Belinda Balluku ndërsa bëri një përmbledhje të situatës energjetike në tre muajt e fundit të vitit.
“Kemi pasur një muaj me prurje të rëndësishme përsa i përket kaskadës së Drinit, duke nisur nga data 19 nëntor 2022 dhe është pasuar me evente në javën e parë të dhjetorit.
Në muajin nëntor e kemi nisur me një nivel prej 267 metrash në basenin e Fierzës, por më pas të gjitha prurjen në fillim të muajit dhjeto r kemi arritur një nivel prej 280 metrash në basenin e Fierzës duke mirëadministruar edhe prodhimin edhe akumulimin e ujërave në të treja basenet.
Kemi filluar me një rezerve energjetike në muajin nëntor prej 448 GWh, ndërkohë që në fillim të dhjetorit kemi arritur të administrojmë 780 GWh, pra në rreth një muaj kemi akumuluar 340 GWh energji elektrike. Rezerva energjetike sot, duke pasur parasysh edhe reshjet të rënë ditët e fundit ka arritur në 919 GWh, pra duke bërë që vetëm gjatë dhjetorit të kemi konservuar 131 GWh plus.
Pavarësisht se është vendosur nga enti rregullator një fashë e cila mund të futej në funksion kur të kishim vështirësi, nuk është vendosur kurrë dhe nuk është përdorur deri më sot.
Situata herë pas herë është përmirësuar, kursimi në muajin shtator e tetor ka qenë një kursim i konsiderueshëm, i cili na ka dhënë një dorë për të kaluar gjithë situatën e vështirë.
Në muajin tetor e kemi mbyllur me një kursin 7% në rang vendi, ndërsa nëntori me vetëm 2%. 2% është kursim i vogël që nuk na ndihmon që të vazhdojmë të mbajmë të njëjtën situatë energjetike dhe të ndihmojë çdo qytetar në vend.
Sot, konsumi ditor 17800 megavatorë. Kemi përpara nesh dy javë, të festave, ku sipas historikut konsumi do të rritet ndjeshëm, nga 22-26 mijë megavatorë në ditë. Bëj thirrje që të gjithë së bashku t’i kthehemi praktikës së mirë të shtatorit duke pasur si prioritet kursimin e energjisë. Presim prurje të reja në kaskadën e Drinit, por megjithatë kursimi është çelësi i suksesit tonë. Duhet të arrijmë një target kursimi prej 5%. Gjatë muajit janar dhe shkurt do të fusim në punë dy anijet e prodhimit të energjisë elektrike që ndodhen në Triport (Vlorë)”