Ish-zv/ministri i financave Elton Haxhi është i mendimit se qeveria duhet ta marrë seriozisht në konsideratë të heqë taksën e qarkullimit.
Teksa nafta vetëm rritet dhe tendenca është për shtrenjtim të mëtejshëm, kjo konsiderohet si gjendje jo e zakonshme, ndaj pas mbështetjes për familjet më në nevojë, rishikimi i sistemit të taksave është i domosdoshëm.
“Nëse situata do të vijojë të përkeqësohet, qeveria duhet të ulët e ta marrë seriozisht heqjen e taksës së qarkullimit. Do të ishte një lehtësim për qytetarët për të amortizuar çmimin, por duke kontrolluar dhe monitoruar tregun në mënyrë që ajo të reflektohet në ulje çmimi”, tha Haxhi në emisionin “E-ZONE”.
Sipas ish-zv/ministrit fakti që në treg ka çmim më të lirë se ai që përcakton bordi, lë vend për dyshim që formula e çmimit ka vend për tu riparë.
“Bordi nuk ka faj për përcaktimin e çmimeve, fajin e ka formula e miratuar nga qeveria. Mbetet e vështirë të them që fakti që ka çmim më të ulët në treg, vjen si pasojë e mirëmenaxhimit të disa prej pikave të karburanteve apo formula duhet riparë për të ofruar çmime më të drejta në treg për qytetarët”, tha Haxhi në “Vizion Plus”.