Nga Mina HYSA
Dita e fundit e prillit do të më gjente në një takim krejt të veçantë. Kisha marr një ftesë për një organizim mes bashkëpatriotëve të mi, me të cilët u rrita në vendlindjen time, Dardhën e Dibrës.
Ndryshe nga herët e tjera, qëllimi ishte që; siç kanë ditur gjithnjë dalzotësit dernjanë ndër shekuj ndonëse larg trojeve të lashta, atje ku është shkruar historia fal mendjes dhe trimërisë së të parëve tanë, të mund të riorganizohemi sërish për të dhënë më të mirën për zonën, për Dardhën.
E shtuna, 30 prilli, ishte një ditë e veçantë për faktin se, në këtë ditë dernjanët e pranishëm dhe në emër të fiseve të tyre dhanë piskamën: Si të parët tanë t’i dalim zot Dardhës, të bëjmë më të mirën për ata që ende punojnë dhe jetojnë në ato troje si dhe përçojmë tek brezat përmes organizimeve gjithëpërfshirëse, vlerat dhe traditat e krahinës sonë. Si më i riu ndër ta, bashkë më Ilir Barën (shok shkolle në gjimnaz), më shumë na u desh të dëgjonim nga më të rriturit, jo vetëm për zonën, por dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë në jetët e dernjanëve, emra që kanë spikatur dukshëm me kontributin e tyre ndër vite, por dhe mënyrën se si do të organizoheshim sërish edhe pse të shpërndarë në qytete të ndryshme për të kthyer sytë dhe kontribuar për Dardhën.
Në takim ishin me dhjetra përfaqësues të fiseve, por mungonin dhe të tjerë për arsye të ndryshme. Organizatorët Hasan Bara, Neshat Ndreu dhe Rruzhdi Dervishi, pohuan faktin se ishin thirrur 90 veta, ndër fise si “delegatë” për të diskutuar për themelimin e një shoqate e cila do të ketë si funksion organizimin gjithëpërfshirës, për t’u gjendur pranë dernjanëve në të mirë dhe të keq siç ne dimë. Shoqata, brenda së cilës do ketë profesionistë banorë të zonës ose me origjinë, përmes komisioneve me bazë të gjerë ku do të votohen, do të bëjë çmos për të evidentuar çdo vlerë e kontribut të çdo dernjani ose jo, që kanë dhënë për Dardhën apo ka spikatur si vlerë që e bën krenare këtë krahinë me histori të madhe.
Propozimet ishin të shumta për emrin e shoqatës dhe të mira derisa të gjithë ishin dakord për emrin e propozuar nga Gëzim Luca, “Kuvendi i Dardhës”. Askush nuk u ndal më detajet pse këtij “fëmije” të sapo lindur i ngjitëm këtë emër, por instikti i çoi të gjithë tek Kuvendi!. Pse pikërisht tek ky togëfjalësh? Kjo ndoshta për faktin se gjithsecilin e thirri në apel e shkuara, ku në Dardhën e mendjes, pushkës dhe kulturës, pavarësisht burrave të mençëm dhe trima, gjërat zgjidheshin veçse me Kuvend. Nuk kishte të parë, ishte 15-shja e dheut ku kuvendoheshin gjërat dhe dilnin vendime të rëndësishme të pakontestueshme. Kjo shoqatë do të ishte mirë të ishte një e ngjashme sadopak, pasi kurrësesi ndoshta nuk do të ketë peshën e atyre burrave, gjykimeve të tyre, mprehtësisë së argumentit dhe vendimeve të drejta në kohë të vështira. Mund që sot të mos jemi në të njëjtin kandar, por apeli është i njëjtë; në shërbim të Dardhës! Edhe pse pjesë në takim ishin dy ish-drejtues lokal të komunës (sot Njësia Administrative) Zall-Dardhë, Niazi Cani dhe Hasan Bara, të kahëve të ndryshme politikë, nga të gjithë u theksua dhe kërkua prerazi që qëllim më vetvete do të jetë; politika larg shoqatës! Sa do mund të i dilet në këtë pikë? Kjo mbetet për tu parë, por dëshira u shpreh evidente në mënyrë unanime. Personalisht si merak ngrita faktin që duhet bërë ç’mos që evidentimi i ngjarjeve, datave historike dhe i personaliteteve me vlera dhe kontribute në zonë të jetë i sa më argumentuar dhe të mos biem rëndom në batakun e qokave siç jo rrallë ndodh në shoqata, madje dhe në institucionet publike deri në nivelet më të larta!. Ky ishte vetëm takimi i parë, i dyti duhet të jetë dhe më i mirë dhe më i madh në pjesmarrje, me përfaqësimin e të gjithë fiseve. Të pranishmit në këtë sofër dernjane, unanimisht të shtunën votuan që kryetar të Shoqatës “Kuvendi i Dardhës” të votojë Hasan Barën i cili deri në takimin e radhës do të merret me procedurat e regjistrimit në organet kompetente të Shoqatës. Si dernjan, por dhe si një prej anëtarëve të Komisionit Nismëtar të Themelimit, propozuar nga bashkëpatriotët e mij, i uroj suksese “Kuvendit të Dardhës” i cili ka qenë i organizuar në çdo fis, kurse tani do të jetë dhe një më i madh për të gjitha fiset, pra, Dardhës së Dibrës historike. Dernjanët kanë të tjera shoqata kulturore si Neshat Ndreu dhe Kujtim Çerpja apo për mbrojtjen mjedisore Ismail Hysa, por nga e shtuna e 30 prillit 2022 jemi “Një”, si “Dheu i Dardhës” që mblidheshin në Kuvend e merrnin bashkërisht vendime. Eshtë kjo dhe dëshira e plotësuar, thirrur pareshtur për bashkim e Zenel Hoxhës një tjetër personaliteti dernjan apeli i të cilit për të kontribuar për Dardhën nuk ka reshtuar asnjë moment.
Sfida nuk është aspak e vogël. Të qenit trashgimtar, pasues i personaliteteve të shumta të Dardhës së Dibrës e cila ka shkruar historinë, në një zonë ku veç grykës së pushkës ndaj armikut në ruajtjen e trojeve të pacënuara, të kënduarit dhe kërcyerit në çdo shtëpi janë përditshmëria e tyre, djemtë dhe vajzat e shkolluara janë një aset i jashtëzakonshëm i dernjanëve, ndaj obligimi im për angazhim është dhe një përgjegjësi për të dhënë më të mirën.
“Kuvendi i Dardhës”, ka pergjegjësinë jo vetëm të vlerësojë të shkuarën, por dhe të këtë një strategji për të ardhmen. Dernjanët e vendosur në Tiranë, Durrës, Lezhë, vende të tjera në Shqipëri apo dhe Diasporë që janë të shumtë duhen evidentuar si vlera, sepse nipër e mbesa janë sot të shkolluar në Universitetet më të mirë Perëndimore, ndaj dhe duhen thirrur, organizuar që të jenë pranë vendlindjes së prindërve dhe gjyshërëve te tyre jo vetëm për ta njohur atë, por dhe dhënë kontributin konkret sipas fushave. Rruga do të jetë e gjatë, e deri atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese “Kuvendit të Dardhës” dhe kërkojmë mbështetje dhe pse jo dhe kritika kur gjërat mendoni që nuk do të shkojnë si duhet. Vetëm duke ndenjur dorë për dore, parë njëri-tjetrin sy më sy si vellezër do të mund të bëjmë më të mirën për Dardhën. Krenar që jam dernjan!