Interpol Tirana në bashkëpunim me Policinë e Dibrës kanë bërë sot të mundur arrestimin e një 45-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Itali.
Në pranga përfundoi shtetasi me iniciale R.F, i cili rezultonte i dënuar me në shumë se 11 vite heqje lirie në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike, dhe rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i tij u bë në pikën kufitare të Bllatës, ndërkohë që tani pritet ekstradimin drejt Italisë për të kryer pjesën tjetër të dënimit.
Njoftimi i Policisë:
Kapet dhe vihet në pranga një tjetër shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Strukturat hetimore të DVP Dibër dhe Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
R. F 45 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Italiane, pasi Gjykata e Ankonas, e ka dënuar këtë shtetas me 11 vjet, 10 muaj e 25 ditë burg, për veprën penale “Trafik Narkotikësh”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Dibër bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.