Edmond Hasani është një ndër individët e shumtë me bagazh të gjerë kulturor që Dibra ka rritur në gjirin e saj.
Nëpërmjet këtij shkrimi do të paraqesim një profil të tij duke përshkruar gradualisht rrjedhën e gjatë të pasioneve, dëshirave dhe arritjeve.
Mondi ka lindur në datën 3 maj e cila është dhe dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Kjo është një rastësi tejet e bukur pasi në jetën e tij ka një gërshetim të alternuar mes gazetarisë dhe mjekësisë.
Profesioni i tij është traumatolog-fizioterapist por ai është fokusuar shumë dhe nuk ka lënë pas dore as gazetarinë.
Edmond Hasani ka qenë jo vetëm gazetar në Radio Dibra dhe TV Dibra por gjithashtu është dhe autor shkrimesh.
Ai ka botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës librin “ Të lutem trembu sonte për mua” dhe na konfirmoi që ka gati për botim dy libra me tituj përkatësisht si vijojnë:
-“Peshkopia ime”
-“Gratë e mia”.
Dukshëm shihet lidhja e tij me letërsinë dhe librat.
Ai ka zotëruar një bibliotekë me gati 10 mijë tituj librash , revistash e gazetash të ndryshme.
Pasionet e Mondit janë të shumta dhe të larmishme.
E bukura e tyre është se sa të ndryshëm nga njëri-tjetri ,aq herë dhe njëtrajtësohen e shkrihen në pika të përbashkëta duke mos lënë kufi në mes.
Hobi i Mondit janë quizz-et e ndryshme.
Ai ka marrë pjesë në 33 quizz-e në emisione të ndryshme televizive si përshembull : RTSH, Klan apo Vizion Plus.
Në ta Mondi ka fituar 13 herë vend të parë dhe 20 herë vend të dytë.
Gjithashtu, edhe në quizz-et e radios ai ka fituar dy herë për letërsi, histori e gjeografi.
Nisur nga gjithë ky pasion për ta , Mondi na tregon me buzëqeshje se dikur, dikush e quajti atë “Quizman”.
Në vitin 2001 dhe 2002 Edmond Hasani është shpallur : “Njeriu i vitit për kulturë të Përgjithshme” në quizz-in e televizionit Klan , organizuar nga Akademia e Shkencave.
Sa u përket sporteve, Mondi ka investuar dashuri dhe pasion në disa prej tyre.
Si atlet ai ka fituar disa kross-e pranverore.
Ka fituar dy herë çmim si “Lojtari i ri me perspektivë në kampionatet kombëtare të Basketbollit” në kategorinë e dytë.
Gjithashtu, po dy herë ka fituar “Kampion në Shah në kampionatin e Klasës Botërore Dibër”.
Ndërsa përsa i përket futbollit ai shprehet se është tifoz i Gjermanisë dhe i Cristiano Ronaldos.
Ai e ka mbaruar maturën në vitin 1979 dhe me vetëdije të plotë e konsideron si të vetmen maturë të çmendur dhe rinore.
Mondi njihet gjerësisht nga gjithë dibranët për pasionin e tij ndaj fotografisë.
Ka realizuar mbi 70 mijë foto të mrekullueshme ndër vite , disa prej tyre të postuara dhe në facebook.
Ai ka dokumentuar foto të Peshkopisë të dikurshme dhe të asaj të tanishme.
Te gjithë albumet e tij pasqyrojnë ndryshimet në kohë që Peshkopia ka pësuar.
Hobi tjetër i tij ku Mondi gjen qetësi janë ecjet e gjata dhe të vetmuara në natyrë si dhe noti në ujin e ftohtë të lumit.
Edmond Hasani është një vlerë e rrallë e Dibrës.
Duhet të ndihemi me fat që e kemi në mesin tonë pasi njerëz me një bagazh kaq të gjerë e të pasur kulturor , sa vijnë e po rrallohen ditët e sotme.
-Megi Iskurti