Zgjedhjet lokale të Dibrës duket se po bëhen maftë interesante për sa i përket figurave që kandidojnë. Përveç 3 kandidatëve të partive respektive 26 vjeçari Dritan Torba nga partia e LRE është një alternativë mjaftë interesante për bashkinë e Dibrës. Në një intervistë eksluzive për portalin Dibra ON ai shpalos objektivat për të ardhmen e Bashkisë Dibër.
1. Zgjedhjet po afrojnë, ju jeni njëri nga kanditatët e përzgjedhur për të përfaqësuar Dibrën si kryetar bashkie. Na tregoni pak për veten tuaj.
Si fillim, më lejoni tju falenderoj nga zemra për këtë intervistë.
Unë jam një i ri dibran krejt i thjeshtë si biri i çdo votre dibrane. Jam rritur nga një familje me njerëz të ndershëm e punëtorë dhe kam kryer studimet e larta për ekonomi. Aktualisht punoj si ekonomist në një kompani private.
Nëse mund të them diçka për veten time është se e dua Dibrën siç dua ndershmërinë. Familja ime më ka edukuar me dashuri për qytetin tim e për nderin dhe vlerën. Nuk mund ta duash Dibrën nëse nuk je i ndershëm. Nuk mund të jesh i ndershëm nëse nuk ke dashuri të sinqertë për qytetin tënd.
2. Çfarë do ndryshoni në Dibër nëse do jeni ju kryetari i ri i bashkisë?
Fatkeqësisht, qyteti ynë ka kohë që qeveriset nga pakica që nuk kanë as dashuri për Dibrën e as ndershmëri. Prandaj edhe jemi sot njëri prej qyteteve më të keqadministruara sikurse edhe me më pak investime publike nga Qeveria apo edhe vetë Bashkia, në Shqipëri. Më dhemb në zemër kur shoh sesi qyteti ynë, Dibra jonë qeveriset prej vitesh nga njerëz të zhveshur nga çdo vizion e projekt për qytetin tonë. Dibra ka vite që qeveriset nga njerëz të cilët e shohin qytetin tonë si aset publik që duhet mjelë e përdorur për të krijuar “pasurim privat”.
Ndaj detyra e parë, që duhet të ketë sot çdo kandiat për Kryetar Bashkie është rrikthimi i Dibrës në një pasuri të madhe të përbashkët të të gjithë dibranëve, për dibranët me dibranët.
Dibra duhet të rikthejë përfaqësimin qytetar. Qeverisja e Dibrës duhet të jetë transparente, përfaqësuese, dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve të Dibrës.
Nëse do të jem unë Kryetar Bashkie i Dibrës, Dibra nuk do të ketë më administratë publike apo bashkiake por shërbim civil. E gjithë administrata dhe të gjitha ndërmarrjet e vartësisë nga Bashkia do të shndërrohen në Shërbim Civil. Do ta bëjmë Dibrën model qeverisjeje lokale duke transformuar administratën në Shërbim Civil.
3.Cila do jetë gjëja e parë kryesore që do merrni përsipër në punën tuaj për ta realizuar, menjëherë sapo të fitoni postin?
Gjëja e parë kryesore që do të ndryshoja unë do të ishte rikthimi i Bashkisë së Dibrës në pushtet të dibranëve për dibranët. Pse e them këtë? Sepse prej vitesh Bashkia e Dibrës është kthyer në shtojcë dhe shërbëtore të Pushtetit të Qeverisë qendrore në Tiranë dhe të Kryeministrit.
Dibra nuk mund e nuk ka pse të jetë shtojcë dhe shërbëtore e pushtetit të Qeverisë qendrore dhe të Kryeministrit në Tiranë. Dibra duhet të rifitojë prestigjin për të rifituar autonominë sipas ligjit të qeverisjes lokale.
Një Kryetar Bashkie me prestigj në krye të Bashkisë së Dibrës, nuk e armiqëson, as e izolon e as e konflikton Dibrën me Qeverinë Qendrore. Përkundërazi, presigji rikthen negociatat dhe bashkëpunimin ligjor e institucional mes Bashkisë dhe Qeverisë, në respekt të plot reciprok të dinjitetit e në shërbim të qytetarit dhe vetëm qytetarit.
4. A do i kushtoni vëmendje aktiviteteve rinore që të rinjtë e arsimuar t’i dedikohen vendlindjes së tyre, për të mos e braktisur atë?
Ne jemi sot në Shqipëri, një nga qytetet më të goditur nga emigracioni. Rinia dibrane po e braktis këtë qytet të keq-qeverisur dhe plaçkitur që ose të përzë ose të zë nën të. Janë me mijëra të rinjtë dibranë në rrugët e Perëndimit në kërkim të punës e një jete më të mirë. Dibra po zbrazet e zymtohet çdo ditë. Prandaj është prioriteti i prioriteteve dedikimi i Kryetarit të Bashkisë së Dibrës për rininë.
Nëse unë do të jem Kryetar i Bashkisë së Dibrës, jo vetëm që do të jem pranë e krah rinisë në çdo aktivitet që ate do të organizojnë, por ne do të mbështesim e inkurajojmë sa më shumë aktivitete rinore. Ne si Bashki, nëse unë do të votohem për Kryetar në 6 mars, do të zhvillojmë projekte kursesh profesionale në Dibër për tu dhënë të rinjve dibranë mundësi që të çertifikohen e pasurohen me zanate të reja për me u përgatit për tregun e punës. Ne kemi gati edhe Projektin Start Up Dibra i cili konsiston në financime 3000 deri 5000 euro nga Bashkia Dibër për ide e projekte biznesi e sipërmarrje nga të rinjte dibranë. Start Up Dibra do të financohet nga vetë Bashkia, por njëkohësisht mund edhe të studiojmë e praktikojmë kreditime të buta me garanci e kontratatë Bashkisë me Banka të Nivelit të dytë.
5. Cili do jetë plani juaj në shërbim të komunitetit dibran(na tregoni në një rend kronologjik se çfarë do sillni ndryshe për dibranët)?
Dibrës si fillim i duhet një Kryetar Bashkie me prestigj që mbron e përfaqëson Dibrën dhe dibranët në raport me Projektin e Skavicës. Kjo është emergjenca e emergjencave.
Dibrës i duhet një plan i zhvillimit urban profesional dhe me ambicje të larta dhe vizion zhvillimor perëndimor.
Dibra duhet të përmirësojë sistemin urban dhe rrugor e mbi të gjitha duhet të parashikojë, projektojë, investojë e zhvillojë rrugë të reja lidhëse urbane mes të gjitha lagjeve, fshatrave dhe krahinave si një sistem i mirëintegruar që nuk lë asnjë qytetar pa arritur e pa shërbime.
Dibra duhet të sigurojë furnizimin e plotë dhe 24 orësh me ujë për të gjithë qytetarët e saj.
Dibra duhe të hapë portat e rrugët e saj për bashkëpunime dhe shkëmbime tregëtare me të gjitha qytetet që e rrethojnë, qoftë brenda kufirit qoftë matanë kufirit.
Dibra duhet të ndërtojë një stadium dhe fusha sportive për të rinjtë që ti japim qytetit rini e gjallëri.
Dibra duhet të rikthejë suksesin dhe shkëlqimin e teatrit të Dibrës dhe të ripërtërijë aktivitetet kulturore.
Dibra duhet të hapë urgjentisht tregje për tregëtimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në qytet e të rikthejë traditat më të mira.
Bashkia duhet të ndreqë politikat lokale fiskale dhe tatimet lokale për të lehtësuar dhe mbështetur zhvillimin e biznesit në qytetin tonë.
Një vëmendje të madhe do ti japim zhvillimit të agroturizmit dhe sidomos krijimit të një infrastrukture dhe shërbimi të integruar turistik në qytetin tonë.
6. A mendoni se ka ardhur koha që edhe Dibra të ketë një mënyrë të re drejtimi?
Nëse po, mendoni se këshillimi dhe ofrimi i vendeve të reja të punësimit do u sigurohet dibranëve me ndihmën tuaj?
Ndryshimi në Dibër duhet të ndodhë një orë e më parë. Në fakt duhej të kishte ndodhur dje. Pa ndodhur ky ndryshim në krye të Bashkisë së Dibrës, nuk besoj se do të ketë punësim. Bashkia sot ose i përzë ose i zë nën të, të rinjtë dibranë. Nëse Bashkinë e Dibrës e fitoj unë dhe LRE, ne do ta kemi punësimin e të rinjve dibranë një kryeporioritet mes prioriteteve.
7. Thirrja për zhvillimin e Dibrës nga ana e turizmit malor është bërë prej kohësh, juve do mund ta krijoni një mundësi të tillë që natyra e Dibrës të ketë më shumë vizitorë? Pra, do investoni në infrastrukturën e fshatrave malor?
Patjetër. Agroturizmi dhe Zhvillimi i Hoteleve, Hosteleve dhe Guest House kërkojnë një infrastrukturë dhe shërbime cilësore dhe moderne.
8. Përse duhet t’ju zgjedhin pikërisht juve dibranët?
Sepse unë jam i vetmi kandidat i qytetarëve. Sepse unë jam i vetmi kandidat qytetar i thjeshtë, i ndershëm dhe i papërlyer. Sepse jam një i ri që e dua Dibrën dhe ndershmërinë njëlloj.
9. Këto fjalë, plane dhe premtime që ju thatë do arrini t’i përmbushni?
Unë nuk bëj premtime. Unë shpalos ide dhe vizionin tim për Dibrën. Nëse kam mbështetjen dhe votën e qytetarëve dibranë, unë do të jem i detyruar dhe nën mision e pasion për me përmbush më të mirat ndër zotimet dhe angazhimet e mia elektorale.
10. Na jepni një mesazh për dibranët, për zgjedhjen e duhur që duhet të bëjnë.
Faleminderit
Dibranë dhe dibrane, nëse e doni qytetin tuaj ndryshojeni. Ejani ta ndryshojmë së bashku Qeverisjen e Dibrës dhe vetë Dibrën. Dilni dhe flisni të dashur dibranë. Bëhuni lajmëtarë të së mirës. LRE është këtu. Lëvizja e Re është këtu. Unë jam Dritan Torba dhe jam kandidati zyratar i LRE për Kryetar Bashkie i Dibrës. Vota juaj për Nr 4 në Dibër është fitorja e ndryshimit dhe prestigjit.