Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka vijuar replikën me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke i thënë nga foltorja e Kuvendit nuk është vendi i duhur që ata t’i tregojnë njëri-tjetrit kush janë.
Manja tha se drejtësia vonon, por nuk harron, ndaj dhe është momenti që t’i lihet drejtësisë dhe kohës të drejtojë kush ka të drejtë.
“E para, znj. Tabaku ju m’u drejtuat me emër, kështu që mos kërkoni asgjë, as ndjesë, se isha shumë korrekt. E dyta ,ti ke ardhur në Dibër, por ke ardhur si Liza në Botën e çudirave. E treta, historitë me kriminelë mos m’i tregoni mua, por njëri-tjetrit, siç keni filluar t’ia tregoni çdo ditë. Mbajini për vete këto, jo për mua.
Sa për ju z. Basha me thënë të drejtën nuk është vendi t’i tregojmë njëri-tjetrit kush je ti e kush jam, se nuk është ky qëllimi pse jemi në politikë. Nuk ke pse e ngre zërin, as ke pse bërtet, sepse nuk mendoj se shantazhi, ngritja e zërit dhe bërtitura janë argumente. Nuk besoj se kjo të bën më të fortë politikisht, apo më të ndershëm. Kam vetëm një fjalë, le ta lëmë drejtësinë të flasë. Këtu jam unë, këtu je ti, këtu do të jemi të gjithë. Sot është momenti të votojmë këto ndryshime kushtetuese që të lëmë drejtësinë të flasë, sepse drejtësia ka filluar të flasë në fakt. Të tjerat le t’ia lëmë drejtësisë dhe kohës. Unë jam ky që jam dhe sigurisht që jam këtu si i votuar, siç janë të gjithë këtu. Kështu që nuk besoj se jemi këtu për të matur muskujt me njëri-tjetrit, kush ka për të larë kusure, le t’i lajë te drejtësia. Kjo është sfida, vota sot për zgjatjen e Vettingut dhe pastaj të shohim përpara”, u shpreh Manja.