Në verë udhëtova me tim vëlla me makinë nga Bulqiza drejt Zerqanit, duke kaluar fillimisht në Valikardhë, me synim për të fotografuar disa objekte natyrore me vlera të rëndësishme, por edhe për të parë si ka ndryshuar Zerqani në këto vite.
Për herë të fundit kisha qenë në vitin 2011, kur mora në komunë disa të dhëna në kuadër të një artikulli shkencor që u botua në “Studime Albanologjike”.
Pasi u ndalëm pak tek Zabeli i Madh, ose Vakëfi, monument natyror, duke ndjekur rrugën gjarpëroshe u futëm në Zerqan, ky fshat me emër të madh.
Për njohuri, për miqtë e mi të Bulqizës, ju kujtoj se pas çlirimit, kur Zerqani ishte qendër lokaliteti, dy burra nga fshati Dushaj-Bulqizë kanë qenë sekretarë të lokalitetit në këtë fshat, Qazim Hupi e Sadik Gjeta.
Në një lokal në një nga rrugicat e fshatit, takojmë disa adoleshentë që po kalonin kohën dhe ishin zërat e vetëm në atë ambient ku nuk pipëtinte asgjë. A është shkolla hapur? – i pyeta. Nisën të qeshnin më të madhe. “Për çfarë shkolle flet ky, ku ka mbetur më shkollë këtu”…. Vijuam rrugën.
Zerqani, miq, ishte boshatisur thuajse i tëri. Edhe pse verë, takohej tek-tuk ndonjë plakë që ujiste pemët në oborre.
Pothuajse në qendër të fshatit, takojmë një pensionist që më dukej fytyrë e parë. Vëllai e njohu pa e takuar. Ka qenë mësues fiskulture, – më tha, – por ka dhënë edhe lëndë të tjera. Biseduam shkurt, nuk jetonte më në Zerqan, udhëtonte tek fëmijët sa në Tiranë e sa në Durrës, por vinte fundjavave e një herë në muaj për t’u çmallur.
“A kemi ndonjë gjë të re në Zerqan, ndonjë investim a kanë bërë”, – e pyeta. E mësuesi nisi të rrëfejë me lot në sy:
– E sheh atë ndërtesën e vjetër aty? Për herë të parë aty është vendosur postë-telegrafa, ka qenë një nga 9 të parat që instaloi qeveria e Ismail Qemalit në Shqipërinë e saposhpallur shtet i pavarur. Më pas erdhën shumë pushtues, por masakrat më të tmerrshme i bënë serbët. Ata ndërtuan atje poshtë disa kalibe, në formë postash e magazinash për interesat e tyre. Kanë ekzistuar deri vonë e shfrytëzoheshin nga fshatarët për bagëtitë dhe për strehim të mallit bujqësor. Në kohën e mbretërisë është bërë ajo ndërtesa atje, por edhe ajo tjetra… Më pas na pushtuan italianët. Zerqani mbeti nënprefekturë. Ata (italianët) ndërtuan atë ndërtesën e bukur atje, ndërtesa e nënprefektuës, duket dhe nga stili i ndërtimit. Më pas erdhi komunizmi. Ndërtoi shkolla të reja, por edhe spitalin, ajo ndërtesa atje në dalje të fshatit, që ka mbetur si fëmijë i shkretë mes katër rrugëve. Tani jemi në demokraci. Plot 30 vjet. Por nuk ka asnjë ndërtesë, asnjë investim, madje më keq, është larguar thuajse i tërë fshati. Shkolla e mesme u mbyll, me këtë ritëm do të mbyllet edhe 9-vjeçarja. Tani, miqtë e mi, unë bëra një rezyme të gjendjes nga pavarësia e deri tani. Më rezulton se edhe pushtuesit e kanë bërë diçka për këtë fshat, kurse këta “pushtuesit” e rinj, kanë 30 vjet që nuk ndërtojnë asgjë. Prandaj Zerqani po zbrazet”.
U larguam nga Zerqani të trishtuar sa më s’ka. Dikur vatër e dijes, sot Zerqani është vatër e braktisjes.
Fshati që hapi shkollë shqipe fill pas shkollës së parë të Korçës, fshati që priti Abdyl Bej Frashërin në rrugën drejt Lidhjes se Prizrenit me 1878, fshati që i dha intelektualë të shquar atdheut, fshat me histori, fshat me bukuri, fshat me monumente, por sot totalisht i harruar. Fshat që nga latinishtja (Zirklan) do të thotë vend i artë (i begatë), është sot vend i thatë e i ngratë. Për të ardhur keq….
-Marre nga portali Bulqiza Ime