Kryedemokrati Basha në një deklaratë të tij të gjatë për median tha se “në kulmin e lëvizjes së tij, koha tregoi se megjithë diversionet e parreshtuara të Sali Berishës, Kryesia, Këshilli Kombëtar përfshirë Grupin Parlamentar dhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur më 18 dhjetor, si dhe shumica e demokratëve kanë vendosur t’i qëndrojnë me vendosmëri qëndrimeve zyrtare të PD-së për korrupsionin dhe përcaktimin non grata të SHBA-së dhe të zbatojnë në partinë tonë atë që kemi kërkuar prej vitesh nga të gjitha institucionet shqiptare. Sali Berisha ka mashtruar dhe ka dashur t’ju bëjë për budallenj me sajesat dhe trillimet e tij qesharake rreth arsyeve përse është shpallur non grata nga SHBA, në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë për çdokënd që nuk ka dëshirë të gënjehet.
Shpallja non grata si instrument i antikorrupsionit dhe mbrojtjes së demokracisë nga minuesit e saj, po ngrihet si stuhi në Shqipëri dhe në rajon. Kushdo ka mundësi të qartesohet përmes shembujve konkrete për arsyet e këtyre shpalljeve që po shoqërohen me sanksione ndaj pasurisë së paligjshme të personave të shpallur non grata dhe sipermarrjeve që i mbeshtesin. Sali Berisha ka mashtruar me perpjekjet e tij të vazhdueshme për tua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes non grata që merr kohë dhe përfshin një disa insituticione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamanti i Shtetit, te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit, dhe agjensitë e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit.
-Sali Berisha, duke njohur mirë ndjenjat proamerikane të shumicës dërmuese të demokratëve dhe popullit shqiptar, ka mashtruar duke ju mbajtur të fshehtë me sa ka mundur deklaratat e qarta e të përsëritura të përfaqësuesve të SHBA dhe Presidentit Biden se SHBA do të ndërprese çdo marrëdhenie me një PD të drejtuar nga një e person non grata, cilido qoftë ai. Sali Berisha ju ka mashtruar e ushqyer me iluzione sikur non grata amerikane është një vendim politik i një administrate që mund të hiqet nga administrata tjetër, dhe jo një vendim institucional që piqet për shumë kohë dhe merret përmes bashkëpunimit e bashkërendimit të shumë institucioneve e agjencive të zbatimit të ligjit. Shpallja non grata për korrupsion nuk i është hequr kurrë, askujt.
Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e perjashtuar veten e tij nga vendimarrjet me të rendësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qene pjese e vendimarrjes madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmnin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura te PD. Unë kam pranuar përgjegjësitë e mia për ketë situatë, por Sali Berisha nuk mund të bëjë sikur ka qenë në ndonjë ishull prej nga u kthye pas tetë vjetësh. Sali Berisha ju ka mashtruar keq duke gënjyer, trilluar e shpifur pa hesap kundër meje, pa paraqitur asnjë fakt a provë sado të vogël, e gjithë kjo që të mbledhë pas vetes mbështetës e të bëjë turmën e karshillëkut kundër SHBA dhe të hedhë demokratët kundër njeri tjetrit. Sali Berisha ka shpërdoruar vullnetin e atyre demokratëve që firmosen për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakoshëm të PD-së, duke mos lejuar kalimin e firmave të tyre në rrugën ligjore që përcakton kushtetuta e Partisë.
Sali Berisha ka mashtruar me të ashtuquajturin referendum ku vetë bën listat, vetë numëron, vetë shton votues sa të dojë për ta çuar numrin aty ku e ka paracaktuar. Fotografia më e qartë dhe më diskretituese e farsës me emrin referendum janë filmimet në njësinë 8 në zemer të Tiranës ku kanë marrë pjesë në votim më pak se 10 përqind e anëtarëve të PD-së, që komunikata e Sali Berishës në mbrëmje i bën 80 përqind. Ky është pseudo-referendumi, ky është mashtrimi më i madh. Me numra të stisur, me kuti të mbushura, Sali Berisha, për hallin e tij, thërret demokratët të pushtojnë dhe asgjesojnë Partinë Demokratike, forumet e saj të ligjshme.
Berisha e nisi si beteje per statutin, por tregoi se ishte nje mashtrim si gjithcka tjeter qe prej 9 shtatorit. Ai shkeli statutin, manipuloi firmetarët per kuvendin, manipuloi me mitingun, manipuloi me pseudo referendumin. Sepse ai do kaos dhe dhune, ai nuk njeh as statut as institucione, sepse ai do PD vetem si mburoje per hallin e tij te madh. Për hallin e tij nuk mendohet dy herë të përplasë demokratët me njeri tjetrin. Ta harrojë! Selia është e demokratëve pa dallim, është shtëpia e lirisë, e mendimit të lirë, shtëpia e bashkimit rreth interesit që na bashkon të gjithëve, pro meje apo kundër meje, që është largimi një orë e më parë i qeverisë se rekordeve të zeza të Edi Ramës – deklaroi Basha.