Këshilli i Qarkut Dibër zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e fundit për këtë vit kalendarik. Kjo mbledhje u zhvillua në ambjentet e Bashkisë së Klosit, në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak të kësaj bashkie. Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët që përbëjnë këshillin e Qarkut Dibër, si kryebashkiakët dhe anëtarët e tjerë të zgjedhur për këtë organ. Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër, Valentina Haliti tha se në këtë mbledhje është miratuar projekt-buxheti i vitit të ardhshëm, struktura e këshillit, si dhe disa pika të tjera. Haliti shtoi se të gjitha pikat e rendit të ditës morën votat unanime të anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje.
Këshilli i Qarkut Dibër i ka zhvilluar mbledhjet e tij në këtë mandate, në të katër bashkitë e Qarkut, duke mos u fokusuar vetëm në Dibër, ku dhe ka zyrat ky organ vendimarrës.
/Mat TV/