Nga: Samet Zagradi
-Periudha e gjimnazit mbetet padyshim një cikël mjaft i rëndësishëm për këdo, pasi kjo moshë përkon me periudhën e adoleshencës, e cila nga psikologët shihet si mosha që njeriu pëson ndryshime të konsiderueshme psiko-fizike. Ky cikël kohor gdhend tek jeta e gjithsecilit shenja të cilat përjetohen dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen e tyre. Përjetimet e ndryshimeve psiko-fizike tek çdo adoleshentë nuk janë të njëta, ashtu siç nuk është e njëjtë dhe funksionimi i periudhës së gjimnazit në kohë të ndryshme. Dikur gjimnazi ishte vendi, ku garohej çdo ditë për mësime dhe olimpiada. Për mesatare dhe ëndrra, të cilat vareshin nga performanca e kësaj periudhe kohore, por sot për çfarë garohet?!
Ndjekja e modeleve negative dhe pasqyrimi pa kursim i tyre nga çdo burim informimi i mundshëm bën që adoleshentët përthithin modelet dhe brendësojnë ato në karakterin e tyre. Nëse kalon rastësisht në një nga gjimnazet e vendit tonë e vështirë është t’i përgjigjesh pyetjes nëse gjimnazi është vend për t’u shkolluar apo ekspozuar. E frikshme është kur dëgjon fjalorin aspak të përshtatshëm për një nxënës shkolle, teksa afrohesh dhe sheh pothuajse gjysmën e të rinjve që të pashqetësuar tymosin cepave dhe në në duar mbajnë smartfonë të fundit në vend të çantës tradicionale të shkollës. Librat, tashmë nuk e kanë rëndësinë e dikurshme dhe vendin e tyre e ka zënë bindshëm teknologjia, e cila në mënyrë fare të pakontrolluar po sundon trurin e të rinjve. Jeta e filmave që vazhdimisht reklamohet përthithet fort nga të rinjtë, duke bërë ato që të jenë larg pritshmërive dhe realitetit të moshës që ato janë.
Nëse bota nuk i kushton vëmendje të rinjve, atëherë dëmton të ardhmen e saj. Është një thënie, e cila i shkon përshtat mjaft mirë situatës aktuale të të rinjve në Shqipëri. Por, një pyetje që të shqetëson realisht kur mendon për të rinjtë në ditët e sotme është:”- Po vetë të rinjtë, a i kushtojnë vëmendje të ardhmes së tyre? “
Për fat të keq në sallonet e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare shqiptare ekzistojnë sjelljet agresive të dukshme të nxënësve, bullizëm dhe pabarazi e një niveli të lartë. Shohim rëndomtë komunikim dhe shtrembërim të tmerrshëm të gjuhës dhe komunikimit pavarësisht se jemi në institucione shkollore.
Gjimnazi, në kohët e sotme ka pësuar një qasje, ndryshe nga ajo ç’ka tradicionalisht ne jemi mësuar ta njohim. Sigurisht brez pas brezi ndryshimet janë të pranishme, por vitet e fundit sipas disa studimeve që organizata të ndryshme kanë bërë, kanë treguar se një përqindje e konsiderueshme e kësaj grupmoshe në përditshmërinë e tyre në shkollë veprojnë sjellje të ndaluara. Konsumimi i alkoolit, duhanit, lëndëve narkotike, mardhënia seksuale në moshë shumë të re, sjelljet e shfrenuara e shumë sjellje, të cilat janë të ndaluara, sipas studimeve të ndryshme janë faktorë të cilët tregojnë që në gjimnazet tona egzistojnë fenomene të tilla.
|Samet Zagradi|