Realiteti paralel, siç e quan profesor Fuga, pra rrjetet sociale, shumicën e kohës hapin tema bosh dhe po ashtu japin zgjidhje boshe, që d.m.th nuk japin zgjidhje fare. Realiteti paralel, është i një shkalle më të epërme pseudolumturie, dhe i një shkalle pikënisje manipulimi, ose më sakt gënjeshtre.
Sa për ta sqaruar fare pak: dikush bën 50 foto dhe zgjedh më bukurën e më të qeshurën, e fill mandej e poston në socialin rrjetë, anipse nuk është fare i lumtur, anipse në shpirt nuk është fare i qetë, por gjithësesi, kështu i shitet miqësisë, madje edhe komshiut që ia di brengat, sikur ai është në shkallat më të larta të lumnisë. Në plan të parë nuk ka asgjë të keqe, por nëse gërryejmë fare pak në këtë fenomen, na del se ne gënjejmë veten, humbim kohën, dhe më e keqja, rrekim të arrijmë kënaqësitë më të epërme rrobotore në jetën parelele, duke lënë mbas dore kënaqësitë e botës reale, kësaj organikes, lëndores, natyrales, kësaj që ka ndjenja, lëng, shije.
Kur një çift ose një familje dalin për darkë me gjasë për të shijuar do çaste privatësi, për një orë apo një orë e gjysëm, humbin një pjesë të kësaj kohe duke fotografuar, duke zgjedhur, postuar e mandej kthyer përgjigje komenteve. Kur vjen pjata, tashti parashijes duhet fotografuar, e kjo na shpie në atë që shprehte Umberto Eco, që nuk ka më kujtime sepse njerëzit nuk fiksojnë gjë në mendje duke fotografuar gjithçka. Pastaj kjo e pjatave ka edhe një aspekt human, por ne ka kohë s’jemi të tillë, prandaj të kalojmë në çështjen më aktuale. A duhen postuar fotot dhe videot me dëborë?
Sot shqiptarët, ata të paralelizuarit, janë ndarë në ata që postojnë foto dhe në ata që kritikojnë ata që postojnë foto. Të postosh foto nuk ka asgjë keqe, asgjë të shëmtuar, asgjë kundrakahut tjetër. Gjithëkush bën çfarëdo, pastaj gjithëkush kritikon këdo, mjaft mos e ofendojë, edhe pse mua nuk më ngjet aspak estetike, normale, diversive etj, kur në 20 postime ndoshta një mund të jetë një pa dëborë. Edhe kur çel pranvera të gjithë bëjnë foto me lule, edhe në plazh bëjnë foto me shalë, kur vjen vjeshta bëjnë foto në gjethe të verdha.
Tashti, e vetmja gjë që mua më grric është: Pse duhet tua tregojmë të tjerëve dëboren kur kudo në Shqipëri ka dëborë? Pra pse duhet të bëhemi uniformë, të njëjtë? Pse duhet të acarohemi kur dikush kritikon dhe kërkon të jetë i ndryshëm?
Kam dijeninë se dëbora është për të luajtur, rrëshqitur, shijuar, pastruar, siç është ushqimi për t’u ngrënë, shijuar, ngopur dhe siç janë lulet për tu marrë erë, prekur me dorë, pra për tu ndjerë dhe siç janë gjethet për t’u pastruar, parë, shijuar, prekur, luajtur, dhe plazhi për tu larë, parë, ndjerë, lagur, luajtur, e të tjera si këto, madje edhe për t’u fotografuar.
Por para se gjërat t’i fotografoni duhet t’i ndjeni, mandej shijoni, mandej fotografoni, por i mbani për vete, në kujtesën tuaj, ajo është privatësia juaj, ndjenja jua dhe mos i bëni gjërat për t’i parë të tjerë. Shijojin gjërat vetëm përveten dhe rrekuni të arrini kënaqësi edhe në realitetin lëndor, atë që Hyu na e fali!
Alban Tufa