Fshati Kllobçisht në Njësinë Administrative Maqellarë në Dibër, po braktiset nga të gjithë. Shkak për këtë po bëhet mungesa e investimeve dhe e punës. Të rinjtë e këtij fshati janë larguar jashtë vendit pothuajse të gjithë, ndërsa kishte mbetur aty vetëm mosha e tretë. Por edhe këta të fundit thonë se do të largohen, pasi nuk shohin asnjë mundësi për të vazhduar jetesën në këtë fshat i cili është i braktisur nga pushteti vendor e ai qëndror. Banorët e mbetur aty thonë se infrastruktura rrugore e fshatit është skandaloze sidomos gjatë ditëve me shi apo me dëborë. Mungesa e investimeve në këtë fshat edhe pse është tërësisht i grupuar, ka bërë që banorët e mbetur aty të jenë skeptik për një të ardhme më të mirë, ndaj thonë se do të largohen drejt vendeve ku jetojnë fëmijët e tyre. Fshati Kllobçisht është në kufi me Maqedoninë e Veriut. Banorët thonë se shumë prona të tyret kanë mbetur në anën tjetër të kufirit, duke mos marrë asgjë si kompensim.
Mat TV