Nga : Ervina Toptani
Fjala dhemb , dhemb shumë….. sidomos kur fjalën e lëshojnë pa mendur se ku ajo godet, cilën pjesë të trurit mpin e cilën pjesë të shpirtit copëton…..
Lexova diku se shqiptarët nuk kanë vdekur kurrë për bukë prej të paktën 500 vjetësh e kjo më bëri të hap dhe njëherë ditarin tim të kujtimeve ku më shumë se gjithcka tjetër janë shënuar historitë e njerëzve të pafat që për një copë bukë, për një shteg lirie a për një copë qiell më shumë lanë jetën peng nëpër gurore, këneta, kampe përqëndrimi, e varre masive mbi të cilat sot qëndrojnë të patundura nga tërmetet e lotëve ngrehinat e paforma shumëkatëshe që “demokracia” e masave na solli si dhuratë për mijërat që ikën pa faj.
Unë u ndala një moment se më dhembi shumë fjala, e mes fjalësh që m`u derdhën lumë në tru pashë pamje shumë të qarta, pamje që nuk reshtin kurrë se shfaquri përpara syve të mi.
Do të kisha dëshirë të tregoja për vajzën e vogël 5 vjecare që pushimet e verës i kalonte në fshatin ku ishte e internuar familja e nënës së saj. Ju nuk e përfytroni dot ndoshta gëzimin e pamatë të një fëmije që Zoti i kish dhënë mundësinë të kuptonte sa një i rritur për fat të keq, se për gati 3 muaj do të mund të bëhej “heroina” e një familjeje të madhe me 14 pjestarë për arsyen e thjeshtë se përvec se do të ndihmonte tezet në punët e kooperativës (i dukej se mundej vërtet të ndihmonte) do të arrinte të sillte në shtëpi ndonjë bukë gruri duke qenë se pamja e vajzës së vogël ndryshonte nga ajo e fëmijëve të tjerë të fshatit ku jetonin si të internuar.
Ata që kanë lindur pas viteve 90nuk e përfytyrojnë dot se cfarë shije kishte buka e misrit ku shpesh gjenim lidhëse këpucësh brenda e gozhdë, që gatuhej me miell të mykur që nuk e di nëse ishte miell sa kohë nuk e hanin as bagëtitë. Sado refuzonte me lot në sy vajza e vogël, kur gjyshja i qëndronte pranë duke i lëmuar flokët e duke ia servirur atë copë buke të zbutur me ujë që të mund të nguleshin dhëmbët e qumështit të një fëmije, ishte e pamundur t
ia thyente zemrën gjyshes së dashur. Ajo i tregonte për Xhenetin (Parajsën) e sesi Xhenetin e fitonin vetëm ata që nuk e linin bukën pa mbaruar, as lakrat e egra apo barishtet që herë bëheshin kulac me një dorë miell të mykur e herë bëheshin të ziera supë a sallatë, por gjithsesi shija nuk u ndryshonte asnjëherë. Xheneti ishte finishi, ishte qëllimi i arritur i arsyes së vuajtjeve në një jetë të padenjë, në një botë “njerëzore” ku prej njeriu ishte vetëm dashuria e pak njerëzve që cuditërisht nuk hiqnin dorë nga të qenit Njerëz edhe pse pikërisht për këtë arsye vuanin më shumë se të tjerët.
Bledi i vogël që vdiq në moshën 7 vjecare para syve tanë, (dikujt mund ti kujtohet shkrimi për Bledin e vogël) se e shtypi makina e sigurimit të shtetit që vinte në fshat për të sjellë të internuar të tjerë, vdiq i pangrënë dhe ashtu e qante gjyshi i tij atë mesditë të nxehtë nën vapën përvëluese: si t
ia fal vetes bir që as me bukë nuk të ngopëm dot. A do ma falësh bir që shkove në atë botë i uritur e që gjyshi po të mbledh copat e trupit në peshqir e spo mundem as me t
qa si duhet! A do ma bësh hallall o bir, o ëngjëll i gjyshit!” (gjyshi i Bledit ndërroi jetë 2 ditë pas këtij tmerri të jetuar) Ishte vetëm 7 vjec Bledi jonë, ëngjëlli jonë i vogël që ende e qaj si atëherë…..
…Ndala në një nga faqet e ditarit ku (kisha premtuar më parë se do t`ua sillja përsëri Mirën nga Dibra) fjala e thënë merr kuptimin më të thellë e bëhet shkollë mendimi më vete. Pak kohë më parë shkrova për Mirën që njoha këtë verë në Shqipëri, dhe disa pjesëza të vogla kujtimesh nga jeta e saj. Mira nuk ka qenë e internuar, as e persekutuar, nuk ka pasur asnjë familjar në burg apo të ishte politikisht e sulmuar nga regjimi për ndonjë arsye të vecantë. Ajo ishte një vajzë, një grua më pas e cila pati vetëm fatin të lindte shqiptare, i mirë apo i keq fati këtë besoj nuk më takon mua ta përcaktoj, sa kohë jam e lumtur që linda shqiptare por e palumtur që Shqipërinë e gjunjëzuan kriminelët antishqiptarë. Nëpërmjet fjalëve të Mirës dua të përcjell mesazhin e plotë të asaj që më dhembi shumë kur lexova fjalë të hedhura pa menduar se cfarë shkaktojnë ato në psikën e dikujt si unë, në shpirtin e shumë të tjerëve të cilët për fat të keq unë nuk i sjell dot të gjithë në një shkrim….
…. – Mira, ke pas ndonjë moment të bukur gjatë jetës në fshatin ku je lindur e rritur? Cfarë ke ruajtur si kujtim që të ngroh shpirtin nga jeta jote 35 vjecare në fshat?
- Posi, kam një kujtim që më ngroh por që më bën të qaj sa herë e kujtoj, por vetëm këto 16 vitet e fundit qaj (prej 16 vitesh Mira nuk jeton më në fshat por është shpërngulur në Durrës, në rrethinat e tij) kur e kujtoj se më parë vetëm më ngrohte.
Ne punonim të gjithë familjarisht në kooperativë, unë, bashkëshorti, vëllezërit e tij, 2 nuset e tjera që erdhën pas meje e baba. Merrnim me vete në punë të gjithë, nga një kavanoz me fasule, fasule i thëncin se duhej kohë për me peshku ndonjë kokërr brenda lëngut e nga një copë buke misri që për at` Zot ishte e pangrënshme (e di mirë për cfarë e kishte fjalën e besoj dhe ndonjë tjeter si unë që ia kujton ende shijen e mykët në gojë).
Atë ditë kur u ulëm me ngrënë bukën që kishim me vete unë nuk munda ta mbaroj se na thirri brigadieri e kështu u detyrova me e mbyll kavanozin e me e mbështjellë bukën sërish. Pas 3 orësh relativisht na binte me e mbaru ditën e punës e brigadieri na tha se do të largohej më herët atë ditë. 3 djem të shkathët që kishim në brigadën tonë na bënë me shenjë mua e pak të tjerëve që të qëndronim pak pas orarit të mbarimit. Pasi shumica u larguan, djemtë ndezën një zjarr me shkarpa e shkopinj që i kishin fshehur pas magazinës e prej aty doli një gjysëm thesi me patate që ishte mbuluar mes arkave pa e vënë re kush. I poqëm të gjitha dhe i hëngrëm deri tek e fundit, me një uri të madhe, aq sa nuk kishim më fuqi të ngriheshim nga vendi. Cfarë kënaqësie mos me ngrit dot nga vendi se ishin ngi me ushqim! Ne ishim 15 gojë në shtëpi e nuk më kishte rënë kurrë me ngrënë ma shumë se 2 patate. Kur u nisa për në shtëpi mora trastën ku fusja bukën e më ra ndërmend që unë nuk e kisha mbaru kavanozin e fasules e as bukën e misrit me myk që kisha me vete. Sa keq më erdhi! Për herë të parë isha ngopur aq shumë sa smund të haja më. M
u dhimbs buka shumë por ngrohtësia që ndjeja në trup se isha e ngopur nuk më la ta mendoja 2 herë keqardhjen. Ky është kujtimi më i bukur që kam pas nga jeta në fshat. Sa herë e kujtoj sot, nuk di si kam mund me e përballu atë jetë, e si unë qindra e mijëra të tjerë.
- Po kur erdhi demokracia Mira, në vitin
90 a
91 si ndryshuan gjërat? Cfarë të kujton ky moment? - Për mua demokracia erdhi në vitin
95 Ina, të paktën si e kuptoj unë demokracinë se nuk di cilën quan ti demokraci. Deri në
95 ne kemi jetu sic ishim, skam pas kurrë këpucë a pallto që të mos e ndjeja të ftohtin në palcë. Tek ne binte borë deri në mars e shkonte bora deri në 1 metër shpesh gjatë dimrit. Fëmijëve nuk kisha çfarë t
u vishja, i kishin faqet e kuqe të çara nga i ftohti e buzët e duart me kore që skisha as me çfarë t
ua lyeja që tua zbuzja të çarat në mishin e njomë. Por në 95
erdhën ndihmat e kryqit të kuq italian e meqë ishte bora në gju na i hodhën me helikopterë nga lart nëpër oborret e shtëpijave. Ah moj Ina, cfarë kishin kutitë brenda! Xhupa, triko, pallto, këpucë me qafë, doreza, e nji kuti tjetër tjetër, oriz, makarona, vaj, sheqer. Oh, çfarë gëzimi, u vesh burri e unë e fëmijët e atë dimër as sobën nuk e kemi ndez. Nuk e harroj kurrë si erdhi demokracia për familjen time e si ndjehej njeriu kur nuk kishte as ftohtë e as uri. Atë ditë e kuptova mirë pse e merrnin rrugën nëpër mal me kalu kufirin djemtë e fshatit tonë. E pas nja 2 vitesh e morën rrugën dhe djemtë e mi se më premtonin cdo ditë: sa të rritemi ne mam ti s`ke me pas ma ftohtë e ke më u vesh si atëherë kur erdh italiani me helikopter!
p.s … unë nuk e di çfarë tjetër quhet vdekje për bukë kur në Shqipërinë tonë të dashur janë pushkatuar, varur në litar, vrarë me plumb pas koke, mbytyr me telë të hollë shtrënguar në fyt, disa prej atyre që përfaqësonin aristokracinë shqiptare i kanë mbytyr në gropa fekalesh duke iu vënë rrasë betoni në kurriz, i kanë mbyllur në çmendina duke i vrarë me injeksione, i kanë marrë gjakun cdo 3 ditë me shiringë kur ishte grupi 0 i gjakut derisa kanë dhënë shpirt, kanë përdorur foshnjat e “armiqve” po për këtë arsye, kanë vrarë mbi 300 fëmijë vetëm brenda një dite nga uria e nga dizanteria në kampet shfarosëse si ai i Tepelenës, kanë vrarë me mijëra të tjerë burgjeve e internimeve ku mbi të gjitha kërkonin të vrisnin vlerat, kanë vrarë djem ende të parritur kufinjve e maleve në kërkim të një cope buke më shumë, kanë bërë 1001 monstruozitete në 47 vjet ku askush përvec shpurës së “bllokmeneve” e mikluesve të tyre nuk e mbushi barkun me bukë e sot …… ah, sot….. ne i kemi harruar të gjithë këta përmendur më lart, i kemi varrosur në honet e largëta të asaj kutisë së zezë që nuk e hapim kurrë. Dhe blerja e bukës me listë shtohet e shtohet, sic shtohen kullat shumëkatëshe në zemrën e qytetit ku u varën shumë prej herojnve të tij antikomunistë.
Ervina Toptani