Ka nisur nga Dibra, rrugëtimi për krijimin e shoqatës së agroturizmit shqiptar.Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me donatorët po mbështetin këtë iniciativë të bizneseve, të cilët e kanë kuptuar që duke bashkëpunuar janë më të fortë, në fushën e agroturizmit.Ekspertët e bujqësisë shprehen se, fermerë dibranë që kanë kthyer shtëpitë e tyre në ambiente pritje për vizitorët, prodhues në sektorët e bujqësisë, blegtorisë e prodhimeve tradicionale, synojnë të bashkëpunojnë mes tyre, si një mënyrë për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin më tej të projekteve të nisura në këtë drejtim.Shqipëria është një vend bujqësor me vendndodhje të jashtëzakonshme gjeografike, me peizazhe të mrekullueshme dhe mjaft e pasur në kulinari dhe gastronomi. Ndërthurur me traditën e bukur të mikpritjes, Shqipëria ofron një potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit.Ndërsa ky sektor është shfaqur të zhvillohet vetëm gjatë viteve të fundit, pritet që ai të rritet shpejt në të ardhmen e afërt dhe të mesme.
Qarqet që premtojnë më shumë në ndërthurjen e bujqësisë me atraksionet turistike janë Korça, Berati, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, Kukësi dhe Dibra. Modelet më të zakonshme të agroturizmit janë restorantet “nga ferma në tryezë” me kapacitete të kufizuara akomodimi.
Ndërkohë, agroturizmi po përfiton nga disa stimuj fiskalë që përfshijnë reduktim të TVSH-së në 6%, tatim mbi të ardhurat e shoqërisë në 5% dhe përjashtim nga taksa e infrastrukturës për investimet. Këta stimuj fiskalë pritet të stimulojnë investimet dhe të zgjerojnë bazën e njësive të certifikuara të agroturizmit.
Projektet e ndryshme mbështetëse për agroturizmin synojnë të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm rural në tërësi, duke krijuar të ardhura shtesë dhe punësim nëpërmjet këtij sektori.
Programi IPARD, grantet kombëtare të AZHBR-së, programi “100 fshatrat” dhe programe të tjera mbështetëse, pritet të injektojnë një vlerë prej 50- 70 milionë euro investime të reja në këtë sektor gjate 5-7 viteve të ardhshme. Ndërkohë që fondet e IPARD-it për zhvillimin e agroturizmit do të jenë të disponueshme deri në vitin 2023, ndërsa grantet e AZHBR-së pritet që të vazhdojnë çdo vit duke rritur mbështetjen për sektorin e agroturizmit. Programet mbështetëse të financimit janë një mundësi e shkëlqyer në treg sidomos kur grupet e fermerëve që operojnë në bashkëpunim me njëri tjetrin.
Mat TV