Televizionet Shqiptare vazhdimisht pasurohen me figura të reja simpatike dhe të talentuar duke bërë më të larmishëm programacionin e tyre. Një prej këtyre figurave kemi fatin të ndihemi krenarë për arritjet, thjeshtësinë dhe rrjedhshmërinë e komunikimit që vetëm një dibrane si Elsa Ymeri din ta bëjë.
Elsa është një vajzë e lindur në Dibër, bijë e një inxhinieri elektronik dhe e një mësuesje të nderuar në qytet. Gjimnazin e përfundoi në shkollën “Said Naideni” në qytetin e Peshkopisë ku u largua bashkë me familjen drejt Tiranës ku ajo jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj si gazetare.
Prej 10 vitesh ajo ka punuar në radion Clubfm ku akoma vazhdon të jetë pjesë e saj por nuk kanë munguar dhe eksperiencat televizive. Në vitin 2019 Elsa u bashkua emisionit “Tempora” të ikonës së gazetarisë shqiptare Sonila Meço, ndërkohë ishte prezantuesja kryesore e festivalit të muzikës “Jazz & Wine festival” organizuar nga Eda Zari. Këtë sezon të ri televiziv Elsa Ymerin do ta shohim në Radio Televizionin Shqiptar duke drejtuar emisionin e mëngjesit “Mirmëngjes Shqipëri” bashkë me kolegun Endri Kacaci.
I pyetur nga gazetarët e portalit të Dibrës, Dibra ON çfarë kujtimesh mbani nga Dibra, Elsa tregohet nostalgjike për vendin ku ajo lindi dhe hodhi hapat e parë.
-Vij rrallë në Peshkopi, kjo për shkak të angazhimeve. Por sa herë që ndjej mall për këtë vend kaq të bukur. Kujtoj mësuesit e mi, lagjen ku jam rritur, shoqërinë dhe ndonjëherë më vjen keq për vendin tim. Nuk ka investime në infrastrkturë dhe për një popull kaq punëtorë dhe mikpritës të vjen keq kur sheh Dibrën në këtë gjëndje.
Gazetarja Elsa Ymeri tashmë që do e ndjekim në Rtsh nga e Hëna deri në të Premten tregon për emisionin “Mirmëngjes Shqipëri”.
-Është një përgjegjësi personale për të përcjellë tek njerëzit informacione, pozitivitet dhe ti bëjmë ato të nisin një ditë të mbarë duke qenë se emisioni që do të prezantoj është emision mëngjesi:- shprehet Ymeri
Bisedoi: Samet Zagradi
|Portali Dibra ON|