Pronari i një lokali e kishte zakon të ngacmonte me fjalë (për të hapur bisedë) moshatarët e tij.
-Ban qejf, or hasëm, -i thotë një burri të moshuar. Ai nuk iu përgjigj. Shfaqi shenja nervozizmi dhe u ngrit e iku. U kuptua se diçka nuk shkonte. Dikush aty pranë e qortoi pronarin e lokalit.
-Nuk veprove mirë,-i tha. -A e di se ai ka pas një grua me mbiemër të fisit tuaj, me të cilën është ndarë shumë vite më parë?
Autori i ngacmimit kishte të njëjtin mbiemër me ish gruan e klientit që u largua, por edhe pse kishin të njëjtin mbiemër nuk ishin një fis, as nuk njiheshin dhe nuk ishte aspak dijeni për këtë çështje. U befasua shumë për atë që ndodhi dhe menjëherë shkoi dhe i kërkoi të falur duke i bërë të gjithë shpjegimet e duhura. Ky aksident ndodhi, pasi nuk u zbatuan kërkesat që shtrohen në odën dibrane: kandari, metri dhe biçaku.
Filozofia e gatuar në odat dibrane ka qenë e veçante nga të gjitha krahinat tjera të vendit tonë, në veçanti të folurit alegorik. Tre kërkesat, kanë qenë kufinj përcaktues për cilindo që futej në odat dibrane. Kanë qenë parime që duheshin zbatuar, siç thuhet; “gjella me kripë, por kripa me karar “. Kur futej ndonjëri në konak, së pari i hidhej cigare nga i zoti i shtëpisë, pastaj veprohej nga të pranishmit që e pinin duhanin. Pas kësaj i posaardhuri ishte i detyruar të shpërndante cigare për të gjithë ata që ishin në konak. Personi që sherbente sa herë hidhte një cigare ishte i detyruar të përmendte emrin e të zotit të paketës.
Ky veprim nuk ishte vetëm rikthim respekti, por në radhë të parë të pasoardhurin, sidomos kur ishte nga ndonjë zonë e largët, e bënte të njohur para të gjithë të pranishmëve. Njohja në të tilla raste nuk linte shteg për ndonjë incident pa dashje.
Nëse i marrim veças tri kërkesat, kandarin, metrin dhe biçakun, cili është kuptimi i tyre? Me fjalën kandar duhet të kuptojmë, kujdesin, të mos rëndojmë me fjalë tjetrin gjatë bisedave, pasi fjala e rëndë në odat dibrane, në prani të të tjerëve mund të sillte pasoja të rënda. Nuk ishte e lehtë të flisje në një konak, nëse të mugonte shkalla e duhur e njohjes për të pranishmit, pasi padashje mund të ofendoje ndonjërin që ishte prezent. Me metër duhet të kuptojmë masën si sasi në kohë, pasi duhet t’u lihej kohë dhe të tjerëve të flasin. Edhe bicaku ka kuptimin e vet. Për ta kuptuar sa duhet të kritikosh apo, ta ngasësh tjetrin në konak, siç e përdorim ne dibranet, biçaku do të thotë; ktheje nga vetja atë që i adreson tjetrit, nëse të dhemb, mos ia thuaj, nëse e duron për vete, vepro dhe për tjetrin.
Në esencë të tria këto kërkesa bënin të domosdoshme maturinë, përgjegjësinë gjatë bisedave, e gjithçka që diskutohej të ishte e pranueshme. Në konaqet tona, kur ndonjëri e kalonte cakun, i shkilte këto norma, kishte ustallarë, ata më të zgjuarit që njiheshin, që bënin ndërhyrjen në kohë si parapritë për të mos u trashur gjërat. Në të tilla raste vepronte shumë alegoria, ironia , vënia në lojë për t’i dhënë mend tjetrit të jetë i kujdesshëm herë të tjera.
Oda dibrane ka qenë kudhera ku rrihej mendimi, shqyrtimi deri në fijen më të hollë, ku ishte prezent rivaliteti në aftësinë shprehëse, në thellësinë dhe drejtësinë e gjykimit, improvizimet e çastit në të folurit alegorik. Një traditë e tillë e trashëguar në breza është vlerësuar shumë sidomos nga të huaj që kanë banuar në Dibër, të cilët të mahnisin me përshtypjet e tyre të shkruara.
Nga: Murat Koltraka