Nga: Samet Zagradi
Unë, si një qytetar i thjeshtë i një zone të varfër dhe pa prespektivë njëkohësisht edhe bashkëvuajstës i gjithë problematikave që Dibra mban në vetvete them që do ishte ndryshe në qoftë se rruga e Arbërit do të ishte bërë me kohë. Gjërat sigurisht që nuk do të ishin kështu sic sot janë vetëm në qoftë se do të kishim një copë rrugë. E them një copë sepse distanca nga ajo agzistuesja është me të vërtetë e madhe. Kudo, në cdo vend të zhvilluar fillimisht para se të bëhej i tillë është ndërtuar rruga që ta sjellë atë në atë gjendje që është. Resurset nuk na mungojnë, dëshira për punë jo, idetë për zhvillim sigurisht që i kemi. Vullnetin për ndryshim do ta gjejmë mjafton që ajo e flamosur rrugë të na vijë në ndihmë për ta arritur këtë gjë. Dhjetra shkrime si ky, qindra premtime bosh, disa tentativa për punuar dhe asnjë rrezultat për të shpresuar që zona më e varfër në Shqipëri të jetë ashtu sic këto njerëz meritojnë të jenë. Rruga e Arbërit prej vitesh mbetet tema kryesore në gojët e cdo dibrani që udhëton drejt Tiranës, në cdo kafene apo kudo në odat me konaqet e Dibrës. Vështirësitë dhe vuajtjet askush nuk di më mire se një Dibran ku cdo ditë rropatet mes tyre për mbijetesën e përditëshme.
Sikur të kishim një rrugë gjithcka do të ishtë ndryshe! Dibranët ndërtuan Tiranën që në kohën kur ajo ngjante më shumë si një fshat. Që në vitin e largët 1914 kur Serbët dëbuan nga trojet e tyre dibranët ndërtuan lagjen e tyre atje ku edhe sot e kësaj dite ajo lagje mban emrin “ mëhalla e dibranëve”. Me pak fjalë këto njerëz po ndërtojmë jetën mes malesh ku vështirësitë për të jetuar mund të jenë dhjetë fish më të mëdha se në qytet. Dibranët në të gjithë vendin njihen si njerëz punëtorë të cilët kudo që janë mundohen me cdo forcë që puna të bëhet ashtu sic në të vërtetë duhet.
Në Dibër numërohen dhjetra persona me aftësi ndryshe mes të cilëve një numër i konsiderueshem fëmijësh. Si në cdo qytet të vogël nuk egzistojnë qendra të specializuara për to. Në qoftë se do të kishim atë copë rrugë këto shërbime njerëzit do ti merrnin në Tiranë e më pas do të kthesheshin të flinin në shtëpitë e tyre duke kursyer shumë të ardhura familjarëve të tyre. Dializa është një shërbim mjekësor mjaftë delikat dhe për fat të keq shumë të sëmurë mes qindëra hallesh detyrohen të jetojnë në Tiranë vetëm për shkak të rrugës. Shëndeti i këtyre qytetarëve nuk përballon dot kthesat e Qafë Buallit, gropat e Klosit apo pesë orë rrugë që bëhen nga Peshkopia për në Tiranë. Ne nuk kemi dhe mjekë por në qoftë se do të kishim rrugë asnjë doktor nuk do përtonte të vinte dhe tu shërbente qytetarëve pasi ato meritojnë një shërbim të tillë, pavarësisht rrugës.
Sikur të kishim rrugë do të kishim një ekonomi më të mirë e si pasojë të rinjtë nuk do të zgjidhnin të largoheshin ashtu sic po bëjnë. Në bulevardin e famshëm të blinëve të rinjtë sa vijnë edhe pakësohen ndërsa ato që janë shëtisin nga një kafene në tjetrën. Askush nuk dëshiron të jetë në atë gjëndje, askush nuk ka vullnetin të punojë sepse atë cka prodhon nuk arrin ta shesë. Shumë të rinj dibranë ikin me studime dhe nuk kthehen më, e sikur të kishim një cpoë rrugë ato do të vinin më shpesh e do kontribonin dijet për vendin e tyre pasi guri i rëndë peshon në vendin e tij. Të rinjë e dibrës si gurë shahu lëvizin në cdo cep të vendit dhe vuajnë pasojat e gënjeshtrave të cdo pragzgjedhjesh.
Në qoftë se do ishte kjo rrugë Dibra do të ishte atraksioni turistik më i madh i vizituar nga turistët e huaj dhe jo vetëm. Mjafton të përmendim malin më të lartë në Shqipëri Korabin, Parkun Kombëtar të Lurës cilësuar si mrekulli natyrore, vargmalet e Deshatit, bjeshkët e pafund që me bukuri përrallore mbeten fatkëqësisht të pa zbuluar. Për të vazhduar më tej me ujrat termal të llixhave (sipas specialistëve kane vetitë cilësinë më të mirë në ballkan), kalanë shekullore të Grezhdanit, bulevardin e blinave e shumë pasuri të pakrahasueshme natyrore që mbeten të pashfrytëzuar vetëm nga ajo rrugë që na mungon. Lugina e Drinit përshkon një distancë të madhe të trojeve të Dibrës dhe është një atraksion turistik dhe të jep mundësinë të shijosh pamjet fantastike. Një turist pavarësisht lobimeve të organizatave dhe institucioneve përkatëse nuk vjen sërish kur mendon që vetëm 180 km duhet ti bëjë për të parë Dibrën e si pasojë këto para në qoftë se rruga nuk bëhet nuk do të vijnë në vendin tonë.
Sikur të kishim edhe ne një rrugë fermerëve dhe bujkëve dibranë nuk do tu dhimte koka për shitjen prodhimeve te tyre. Ato punojnë tmerrësisht shumë që prodhimi i tyre të jetë cilësor dhe mbi të gjitha bio, ashtu sic e bën natyra, pa koncentrat. Më thoni ju, a ka më të mira se qershitë e Dibrës, mollët, mishi apo patjatja pa asnjë lloj stimulanti? Cfarë do të zgjidhni ju për fëmijën tuaj, një lëng molle bio të prodhuar nga mollët e Dibrës apo një gotë me koncentrat kanceroz dhe të paketuar për lëng natyral? Sigurisht që do doni të parën, por kjo është e pamundur në qoftë se kjo rrugë nuk ndërtohet. Prodhimet dhe djersa e të shkretëve fermer do shkojnë dëm, ashtu sic po shkojnë dhe tregu i huaj do sjellë prodhimet me cilësi më të dobët. Qershitë nuk do të kalbeshin, patatet nuk do hidheshin, mollët nuk do ti hante bagëtia në qoftë se rruga do të funksiononte ashtu sic duhet. Mishi i dibrës do gjente treg të madh në qoftë se ky nder do u bëhej dibranëve.
Në qoftë se do të ishte rruga e Arbërit qyteti i Peshkopisë dhe jo vetëm do të kishte më shumë gjallëri. Artistët, aktorët, sportistët nuk preferojnë të lënë gurët në veshka nga rruga e Klosit për të argëtuar këto njerëz që e duan kaq shumë kulturën. Lëvizja e njerzive do të ishte më e madhe dhe përfitimet monetare dhe jo vetëm do të ishin më të mëdhaja. Vlera e shtëpive dhe trojeve do të rritej dhe sigurisht kjo rrugë do të ndikonte shumë në zhvillimin ekonomik-kulturor të kësaj zone. Po të kishim rrugë Dibra do të ishte një hap më afër zhvillimit social-kulturor- ekonomik.
Rruga e Arbërit do të ishte një aks rrugor mjaftë rëndësishëm për zhvillim e zones për arsyen se kjo rrugë do të lidhë Shqipërinë me shtetin Maqedonas. Përvec shkurtimit të kilometrave kjo rrugë do të ofrojë ndjeshëm Dibrën me Tiranën dhe qyetet e tjera më të zhvilluara të Shqipërisë. Pra me pak fjalë ndërtimi I kësaj rruge nuk do ti shërbente vetëm Dibrës dhe dibranëve por të gjithë shtetit. Dogana e Bllatës do të fuqizohej dhe do të shërbente si pikë lidhëse të Shqipërisë me vëndet e europës që do përdorin portet shqipëtare për transportin e mallërave më tej. Kjo rrugë vlen më shumë se gënjeshtrat, më shumë se një thes miell apo pesëdhjet mijë leksh që gënjehen dibranët. Vlera e kësaj rrugë është e barabartë me atë të vetë dibranëve duke u bazuar në faktin se ato meritojnë shumë më shumë se kaq.
Unë, sic do qytetar i thjeshtë i zonës më të varfër në Shqipëri dua të flas për këtë rrugë dhe si unë duhet të bëjnë të gjithë. Duhet të mësohemi të mos jemi të nënshtruar ndaj presioneve klienteliste port ë kërkojmë minimalisht informacion dhe të drejtat tona. Ajo rrugë është shpëtimi i një zone të tërë që cdo ditë vuajnë dhe përjetojnë momente të vështira. Fundja, a nuk paskemi edhe ne të drejtë të jetojmë ashtu sic na takon?