Daja i fishekut

0 0
Read Time:5 Minute, 20 Second

.Nga: Haki Përnezha


Në të folmen e përditshme cilësori “i fishekut” përdoret për të veçuar nga grupi i dajave, atë më të afërtin, vëllain e nënës. Grupi i dajave të një djali, apo vajze, mund të përbëhet nga 4-5-10 shtëpi, por nga të gjithë këto, veçohen ato që janë në fakt vëllezërit e nënës. Daja quhen të gjithë, por “dajë i fishekut” është vetëm ai më i afërti. Ky, apo këta daja, ndryshe nga pjesa tjetër e dajave, quhen “të fishekut” pasi, në rrethana të veçanta duhet ose të shtijë për nip, ose të japë fishek. Dihet se në Çidhën, sipas Kanunit të Skënderbeut, daja merr gjakun e nipit, duke shti ose duke dhënë fishek. Këtë të drejtë e ka vetëm ai, apo ato daja, që janë më të afërtit me nipin. (I afërt me nipin quhet gjyshi, ose babai i nënës së nipit; daja, ose vëllai i nënës së nipit. Nëse kjo sëra shkretet, dajë fisheku bëhet atij që i takon toka. Kush merr tokën e të vdekurit, merr përsipër të gjitha ndërlikimet që rrjedhin. Të tjerët (dajat), që janë i të njëjtit fis me dajën e fishekut, por edhe ato të fiseve tjera dhe që përbëjnë “groshin e cucës”, përjashtohen nga e drejta për të marrë gjakun e nipit të vrarë. Kanuni ia ka lënë të drejtën dajës së fishekut me shti pushkë për nipin. Nëse ai nuk ia arrin, se është i vjetër dhe s’mundet me e krye atë punë, kanuni i njeh të drejtën që të ngrejë “argatë” e t’ju japë atyre fishekun…
Si jepet fisheku?
Për të krijuar një ide më të plotë për këtë “praktikë”, kemi shfrytëzuar një tregim gojor të S.Alisë. nga F.Alia, pjesëmarrësi në një rast të tillë. Ja si tregonte S.A për kete rast të dhënies së fishekut:
“Rreth viteve 1940 fshatari Q.S. vendosi të marrë gjakun e të atit. Meqënëse gjykonte se nuk kishte mundësi ta merrte i vetëm këtë gjak, mblodhi 5 argatë (ndihmëtarë) dhe i doli në pritë hasmit S.K. Sapo S.K. u afrua e gjithë prita qëllon mbi të dhe e lanë për të vdekur, në fakt vetëm e plagosën. Prita prej 6 vetash u kthyen në shtëpi dhe pas një jave ai që mblodhi pritën, Q.S. njoftoi plakun e konakut të Alie, Shaqir Alinë, për të qënë prezent kur të jepte fishekët. Plaku i Alie, ditën e caktuar, mori Ramadan Xhikën si stërplak i parë, Idriz Përnezhën stërplak të dytë dhe u nisën për tek shpia e Q.S. Unë isha i vogël (11 vjeç),-vazhdon tregimin S.Alia, por xhaxhai (Plaku Shaqir) më mori për të qënë prezent në një moment të tillë, pasi siç tha ai, “zor se do të keshë rast tjetër që të ndjekësh këtë “procedurë””. Pas gjysmë ore rrugë mbërritëm në fshatin… Oda e Q.S. ishte e mbushur plot me burra; kishin ardhë ata që kishin qënë argatë, por kish edhe të tjerë të cilët do të ishin dëshmitarë në atë “praktikë” kanunore.
Pas përshëndetjeve dhe kafesë së zakonshme, filloi “procedura” për dhënien e fishekut. Në fillim u soll një tepsi e mbushur me fishekë, ndoshta rreth 50-60 copë. I zoti i shpisë Q.S. mori tepsinë dhe ia vuri para plakut Shaqir Alia, i cili iu drejtua Q.S, të zotit të shpisë,me zë të lartë :

  • Të kujt janë këto fishekë?
  • Janë fishekët e mi, – u përgjigj Q.S. – I kam djegë me argatë për të vrarë S.K., e dua t’ua kthej. Këto, qofshin faqebardhë që më ndihmuan me zbardhë faqen e me lehtësue zemrën, përfundoi fshatari Q.S.
    Plaku i kanunit mori tepsinë e fishekëve nëpër duar, e rotulloi disa herë mbi mutaf dhe iu drejtua sërishmi të zotit të shpisë:
    – Na thuaj se cilët kanë qënë argatët tuaj në vrasjen e S.K ?
    I zoti i shpisë ( Q.S.) ashtu siç ishte më këmbë para “trupës” gjyqësore përmendi emër për emër të gjithë pjesëmarrësit në atë pritë, duke i falendëruar edhe njëherë ato.
    Plaku “urdhëroi” që argatët të ngriheshin më këmbë dhe të qëndronin para “gjykatës”. Ashtu u bë. Plaku rrotulloi edhe njëherë tepsinë me fishekë dhe iu drejtua argatit të parë në radhë:
  • Or, V.S, ti ke qënë argat në vrasjen e S.K.?- pyeti plaku argatin e parë.
  • Po, kam qënë argat i Q.S.- iu përgjigj personi.
  • E sa fishek dogje atë ditë, ti?- vazhdoi pyetjen Plaku Sh.Alia.
    -Tre copë, ia kthehu argati. Në këtë kohë plaku mori tre fishekë nga tepsia dhe iu drejtua argatit V.S:
  • Ulu në gjunjë para nesh dhe merri këto fishekë, janë fishekët e Q.S. për gjakun e babës së vet dhe nga ky moment, pala e dëmtuar (fisi x), nuk mund të kërkojë asgjë tek ti. Me ba vaki noj gja, ai e ve gjak në derë të vetë.
  • Faleminderit, tha argati i cili pasi mori fishekët i futi në kollan, u ngrit në këmbë dhe ngadalë iu drejtua vendit ku qe ulë me parë.
    E njëjta procedurë, pa asnjë ndryshim, u ndoq edhe me argatët tjerë. Pas kësaj tepsia me fishekë që tepruan, iu dorëzua të zotit të shtëpisë Q.S.
    Menjëherë erdhi buka, e cila ishte si bukë krushqish, me krejna e shpatulla. Pas buke u drejtuam për të ardhë te shpia. Pasi bëmë një farë udhe- kujton S. Alia, plaku tha se do shkojmë tek shpia e të dëmtuarit (viktimës). Fshatari S.K. na priti në shtrat ku lëngonte prej plagëve që kishte marrë. Ne u ulëm dhe në mes të kafesë e muhabetit, plaku Shaqir Alia gjeti momentin dhe u tha:
  • Ju s’dini se ku kam qënë sot?
  • Jo, ia ktheu mendueshëm i zoti i shpisë.
  • Kam qënë tek Q.S se ka dhënë fishekë argatëve. Argati është argat e çdo gjë është në shpinë të Q.S. Tani mas kësaj që ka ndodhë, shifni kah ndreqja, përfundoi këshillën plaku.
    Muhabeti ishte i pakët. Ne morëm leje e dolëm dhe xhaxhai më tha se plaku e ka për detyrë të njoftojë palën e dëmtuar për “procedurën” e dhënies së fishekut. Pas njoftimit që merr për këtë “procedure”, pala e dëmtuar nuk mundet as t’i përmendë emrat e pjesëmarrësve në atë vrasë, pos atij që dha fishekun. Nëse ai përmend emrat e argatëve, quhet pushkë e “grajme” e pushka e grajme të lëshon në gjak- përfundon tregimin S.Alia.
Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %