Të mbartësh mbi vete vullnetin e papërtuar për të qenë vetvetja në çdo kuptim, në çdo minutazh të jetës duhet të reflektosh vlera unike për cdo individ, për çdo të afërm apo edhe për një kalimtar të çastit. Ne rritemi me ndjenjën se do jemi më të fortë se dje, më të sigurt sot e akoma më të ekuilibruar të nesërmen .
Por ama, çfarë e përmbush kohën tonë?! Janë njerëzit ato, që mbushin kohën tonë apo jemi vetë ne që duhet ta përmbushim atë?!
Koha mbart unikalitetin e saj me guximin e grave të të qenurit zonjë të vetvetes.
Të jesh grua, aty ku të veshin pelerinën e turpësisë për të mos folur në sy të burrave, për të shikuar punët e shtëpisë, të rrisësh fëmijët , të mos kalosh pragun e shtëpisë pa dijeninë e të shoqit, “ të ngujohesh” në mes të katër faqeve mur e të dëgjosh togfjalëshin “prandaj të kam marrë grua”, nuk është e thjeshtë. Për fat të keq, gratë në Dibër i nënshtrohen reformave që të tjerët kanë vendosur për të se si të jetojë jetën, pa pyetur për dëshirat e saj.
Ama, jo të gjitha e lejojnë që dikush tjetër të vendos barriera para syve të saj.
E tillë, është historia e zonjës Kimete Elezi Mazari. Tashmë ajo mban mbi supe peshën e 42 viteve të cilat çdo ditë e ka shpenzuar me një ide dhe angazhim.
Kimetja lindi nga një familje intelektuale në fshatin Bahute të njësisë administrative Tomin ku u rrin me baza të forta rregullo dhe disipline pozitive gjë që sot e shohim qartazi tek fëmijët e saj.
Ajo gëzon një familje të shëndetshme dhe Zoti i ka dhënë 4 fëmijë të mrekullueshëm të cilët vazhdimisht uu ka dhënë frymën e arsimimit dhe edukatës. Bashkëshorti i saj, Meti mësues në një nga shkollat e Dibrës ka qenë gjithmonë një shtysë e madhe për inisiativat që ajo ka ndërarë.
Për të nuk ka qenë aspak e lehtë. Mes sakrificës, këmbënguljes dhe dëshirës për të ecur përpara ajo zotëron 3 gjuhë të huaja, ka një ekpseriencë të konsiderueshme në arsim si dhe në menaxhimin e projekteve në organizata që sot ajo drejton.
Siç shprehet, znj.Kimete
“Suksesi është një mësues dështak . Ai josh njerëzit e zgjuar, duke i bërë të mendojnë që ato s’mund të humbasin “.
Jeta e ka mësuar që sytë t’i mbajë drejt synimeve të vëna vetes për të arritur aty , ku askush nuk mendon se ia arrin.
Kimetja siç komuniteti e njeh është diplomuar për psikologji. Ajo ka punuar mësuese për 17 vite duke këmbëngulur tek çdo brez për të marrë më të mirën e mundëshme të një ore mësimi. Nga këto 17 vite 12 vite ajo i kaloi në arsimin e mesëm ku për të kanë qenë vite të paharueshme.
Të kuptosh lidhjen mes mendjes dhe shpirtit të duhen orë kilometrike për të punuar që të zbërthesh ekuacionin e mendjes me shpirtin. Gjithmonë në mes të fëmijëve për të kuptuar botën e tyre, duke zbërthyer shqetësimet e tyre.
Për të, nuk ka qenë aspak e lehtë të mbash edhe familjen, edhe shkollën, punën apo të kryesh detyrime e shërbime sociale. Krahas angazhimeve si bashkëshorte është treguar një nënë shembull, ku vajzave u ka dhënë drejtimin e kahut drejt arsimimit.
Për portalin Dibra ON tregon se, “-Pas gjithë lodhjes që ndiej në fund të ditës, rraskapitja e këmbëve duke vrapuar tërë ditën drejt të bërit punë në shërbim të njerëzve, ilaç më kurues nuk ka se përqafimi i fëmijëve. E teksa, ulesh së bashku me to duke treguar aventuarat e ditës që kanë kaluar në shkollë, arritjet e rezultateve më kënaqin shpirtin. E në këtë hov entuziazmi edhe rënia e ziles së telefonit nga vajzat e mia, (që studiojnë, njëra për mjekësi të përgjithshme e tjetra për arkitekturë-urbanistike) më bën të kuptoj se tërë rropatja e ditës ia paska vlejtur”.
Ne ndihemi akoma më mirë kur puna shpërblehet. Mirëpo, duke ecur me hapin e kohës duhet të shikojmë se ç’na bën të ndihemi si të kohës?!
“-Ruaj dhe kultivo vlerat njerëzore edhe pse kjo mund të të bëjë të ndihesh jo e kohës.” :-tregon Kimetja, ish mësuese dhe drejtuese organizatash në Dibër.
Na lë të kuptojmë, të jemi vetvetja kurdoherë.
Momentalisht, znj.Kimete punon për dy organizata joqeveritare, ku në fokus të shërbimit të saj ka dëshirën e madhe për të ndihmuar shtresat në nevojë, të moshuarit, fëmijë me aftësi të kufizuara, gratë e dhunuara.
Ajo shorehet se “kemi elobuar për gratë e dhunuara, kemi nxjerr në pah anën e fortë të tyre, që të mos u nënshtrohen sharjeve apo goditjeve të pamerituara mbi ta.”
Më tej shton, “Të jesh grua nuk është e lehtë, jo vetëm në Dibër, por në të gjithë hapësirën gjeografike të Shqipërisë e përtej saj . Nuk e kam pasur gati çdo gjë. Punova fort e jam këtu, ku jam sot. Pozicionin si mësuese e kam dashur që e vogël . Kuptoja dita-ditës se ti jep shumë nga vetja për fëmijët.Thuhet se të japësh diçka nga vetja, ta ndash me të tjerët varfërohesh. Jo. Përkundrazi, rritesh bashkë me to, buzëqesh e pasurohesh pa qenë nevoja për monedha , por nevoja e të dashurit dhe ofruarit dashuri pa kushte në një mjedis, ku duhet të jesh përtej të qenurit akademike dhe strikte në klasë.”
Për znj.Kimete, ajo ç’ka e shqetëson më së shumti në jetë është rinia. Kur e krahason veten e saj me ca kushte jo të favorshme për t’u arsimuar me kohën e sotme, ku kushtet janë, sërish i mbetet peng fakti që të rinjtë e Dibrës po largohen, të njëjtë e kanë edhe dëshirën fëmijët e saj.
Znj.Kimete thotë :”-Duhet të dimë si të edukojmë fëmijët, të mos mbeten vetëm ca këshilla si të shkruara në faqe librash, por t’i skalisin fort në mendje e shpirt vlerat e traditën dibrane. Të punojnë për veten e tyre. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Dibra mbetet zonë e thellë, me problematika që na rëndojnë fort secilin. Ama, një dorë nga shteti ynë dhe një dorë nga ne për të lëvizur mund të bëjmë shumë. Dibranët si natyrë jemi puntorë e mjafton t’u krijosh mundësitë. Duhet të ngulmojmë që politika vendore e qendrore që të nxitin punësimin e të rinjve. Nuk duhet vetëm të ikim, se pastaj kush do mbetet ?! E tërë bukuria e Dibrës do të shuhet, duke pasur mundësinë që jemi ne ato që duhet të sjellim ndryshimin.”
Znj Kimete nuk ndalon kurrë. Ka premisa të mëdha për të ndryshuar në jetën e saj dhe të grave dibrane. Ajo ka një zemër të madhe, ku boshllëqet e saj i mbush me ide e realizime për veten, familjen e shoqërinë.
“-Gjithmonë duhet të dimë të jemi zonjat e vetes, të thyejmë tabutë. Le të jemi gra që të mbushim kohën e jo të bëhemi objekt bisede sa për të shtyrë kohën. Bëhu e vyer për kohën tënde, krijo botën tënde sipas dëshirave e ëndrrave të tua. Le të mos jenë ato ëndrra që shihen në gjumë e zhduken me të rënë zbarthja e dritës . Puno për të realizuar e përmbushur veten, u them të gjithë grave. Le ta duam dhe mbështesim njëra- tjetrën në këtë betejë që ka nisur që në zanafillën e njerëzimit, vazhdon edhe sot. Andaj, le të bëhemi burim frymëzimi për vajzat që rrisim, për vajzat që nesër do jenë nëna e bashkëshorte të devotshme. Guxoni dhe do arrini aty ku doni!
Samet Zagradi & Albina Roshi