“Sociologët tregojnë shifra të frikshme që të rinjtë e sotëm I shoqëron një mungesë e madhe optimizmi dhe dëshire për të kërkuar dhe më pas për ta pasur një punë”
Nga: Samet Zagradi
Padyshim që një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare mbeten problematikat që çdo ditë shqetësojnë të rinjtë tanë. Shoqëria jonë hermetikisht e mbyllur prej vitesh nga sistemi komunist pati shpërthime pas prishjes së këtij sistemi duke thithur nga vetja sjellje dhe problematika të pa dëgjuara më parë. Shoqëria shqiptare u dend rrugëve të europës duke sjellë në Shqipëri të mira dhe të këqia për vendin që me vështirësi po mundohej të kalonte periudhën e tranzicionit. Edhe përse ky sistem ka vite që ka rënë dhe jetojmë në një sistem demokratik shoqëria dhe kryesisht rinia e ditëve të sotme ka në vetvete dhjetëra problematika. Sociologët tregojnë shifra të frikshme që të rinjtë e sotëm I shoqëron një mungesë e madhe optimizmi dhe dëshire për të kërkuar dhe më pas për ta pasur një punë. Sipas tyre shumica e këtyre të rinjve preferojnë me së shumti të konsumojnë kohën kafene se sa të punojnë një punë me pagë relativisht të vogël. Shqetësim tjetër që sociologët paraqesin mbetet fakti që një numër i madh i të rinjve të shkolluar po largohet masivisht në shtetet që kanë nevojë për fuqi punëtore.
Papunësia tek të rinjtë e sotëm është një fenomen që kërkon me të vërtetë vëmendje. Ky fenomen po bëhet një problem shumë shqetësues duke detyruar moshën e re të emigrojë jashtë territorit tonë. Mungesa e vendeve të punës dhe ndjekja e politikave të gabuara për të siguruar një punë bën të rinjtë të jenë pesimist për një të ardhme më të mirë në vendi e tyre. Ndjekja e modeleve nga media, shpeshherë të ekzagjeruar duke reklamuar lukset apo jetën luksoze detyron të rinjtë të ndërmarrin vepra të rrezikshme për jetët e tyre.
Kafenetë e mbushura përplot me të rinjtë që justifikohen me idenë se po bëjnë diçka. Tymi i dendur i cigareve dhe kafeina e qindra makiatove që konsumohen çdo ditë në lokalet tona duket se paralizon idenë e përpjekjes për të gjetur një punë qoftë edhe me një pagë simbolike. Ndjenja për të gjykuar të tjerët është ngulitur fort tek një pjesë e të rinjve tonë saqë ato stepen dhe refuzojnë të ndërmarrin iniciativa në komunitet apo të punojnë në punë që sipas tyre në vendin ku ata jetojnë janë të rëndomta. Të dhënat nga pikat kufitare të vendeve fqinje tregon një lëvizje e madhe e moshës së re, ku ata punojnë të gjitha punët e mundshme të cilat siç thamë më parë refuzojnë të punojnë. Detyrohen të shkelin ligjet e vëna nga bashkimi europian për të pasur ca ditë punë më shumë.
Paragjykimet, kryesisht në zonat rurale të vendit tonë i detyron të rinjtë e këtyre zonave të mbyllen brënda rrethit të paragjykimeve duke krijuar iluzione të paqena, më pas duke u përballur me ndryshime drastike të përgjithshme kur ato tentojnë të dalin nga vendlindja e tyre. Po këto paragjykime e bëjnë pothuajse të pamundur që të rinjtë e këtyre zonave, kryesisht vajzat të shkollohen dhe të investojnë në jetën e tyre. Sipas një studimi të kryer nga organizata “Observatori për të drejtat e fëmijëve” tregon se 2.9 % e fëmijëve të vendit tonë janë të martuar. Theksojmë që martesat e hershme janë problem i vazhdueshëm dhe i trashëguar në vendin tonë. Shumë vajza në zonat rurale paragjykimi i mohon të drejtën për të studiuar dhe familjet e tyre shohin si një zgjidhje të detyrueshme mbylljen e tyre brenda katër mureve të shtëpisë.
Libri dhe leximi janë arma e vetme për të siguruar një formim bazik tek çdo njeri duke filluar që në moshën e vogël. Të rinjtë në vendin tonë lexojnë shumë më pak libra se ka lexuar brezi më i vjetër se ne. Fatkeqësisht ky trend ka tendencë të rritet duke u bërë një fakt shqetësues për shoqërinë tonë. Interesi ndaj librit duket se ka rënë ndjeshëm duke bërë që teknologjia të luajë rolin e saj. Të paktë janë ato të rinj që minimalisht kanë lexuar një libër dhe me gishta numërohen ato që frekuentojnë rregullisht bibliotekat tona që për ironi të fatit janë më pak se numri i lexuesve. “Ka krime më të rënda se djegia e librave. Një ndër to është edhe leximi I tyre” :- thotë Ray Bradbury, duke përshtatur realitetin ku ne bëjmë pjesë duket se të rinjtë po bëjnë një “krim të madh”. Nga një vëzhgim nga gazeta “Republika” në bibliotekën kombëtare dhe në libraritë e qytetit të Tiranës vihet re një interesim shumë Ii vogël i të rinjve për blerë dhe lexuar. Këtë e vërtetojnë vetë shitësit e librave dhe punonjësit e bibliotekave të cilët theksojnë se moshat 25-45 janë më të prirur të lexojnë. Ndërsa një tjetër e përditshme shqiptare si “Panorama” tregon se 60% e të rinjve universitarë lexojnë 1-3 tituj në vit kryesisht të rekomanduar nga shkolla apo të “përmendur” nga mediat. Ky studim u bë nga Shoqata e Botuesve për të kuptuar qasjen që kanë të rinjtë tek libri.
Të rinjtë e sotëm kanë një ndikim të madh nga teknologjia dhe nga personazhet “Vip” që sipas tyre bëjnë një jetë perfekte dhe luksoze. Jeta imagjinare në rrjetet sociale e të ashtuquajturve “Vip”a ndiqet çdo ditë nga mijëra të rinj. Shpeshherë ato bëhen pre e rasteve negativë që këto njerëz paraqesin duke bërë të rinjtë që ekziston një jetë perfekte. . Nga jeta luksoze, ushqimet e shtrenjta, pushimet në Maldive ,makinat luksoze e deri tek mënyra e veshjes dhe e sjelljes të rinjtë kopjojnë këto personazhe duke u zhgënjyer nga realiteti ku ata e gjejnë vete. Kjo gjë sjell devijimin psikosocial dhe ndryshime të shumta në psikologjinë e këtyre të rinjve duke mos pasur më dëshirën e punës për të arritur dalë ngadalë suksesin. Si pasojë këto të rinj janë pesimist me punën dhe jetën që ato bëjnë.
Makinat e shtrenjta, luksi, jeta e natës, droga apo alkooli mbeten trendi “problem” për të rinjtë mbarë botën duke mos përjashtuar këtu edhe vendin tonë. Shkollat 9-vjeçare, gjimnazet, rrugicat, lagjet, lokalet apo çdo vend ku ka të rinj ka edhe përdorues të lëndëve narkotike, alkoolit edhe të fenomeneve tjera që realisht mbeten shumë shqetësues për të gjithë ne. Çdo kush që ka një fëmijë në këtë moshë me të drejtë shqetësohet për kohën dhe vendin ku ato kanë fëmijët e tyre. Fëmijë me prindër të pushtetshëm dhe me miq të fortë i bëjnë ballë mjaftë lehtë instancave të dobëta para tyre duke shkelur ligje, rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve pa u shqetësuar në asnjë lloj aspekti. Banjot e shkollave,ambiente të mbyllura shërbejnë si vend ku konsumohet lëndë narkotike nga një grupmoshë e relativisht e re dhe sipas një ankete 1 në 5 nxënës të klasave 9-vjeçare e kanë dëgjuar për lëndët narkotike dhe 1 në 3 nxënës kanë provuar të paktën një herë një cigare apo alkol. Sipas Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me YRBS (youth risky bihevior survey) të rinjtë e moshave 14-18 vjec rreth 5.4% e të anketuarve kishin eksperimentuar kanabis, 4% me ekstazi, 1.6% heroinë dhe 1.4% kokainë. Rret 7% e të rinjve janë përdorues të rregullt të drogërave dhe kjo është një shifër jo normale për një vend si Shqipëria.
-Më jep një milion të të jap një diplomë apo 300 euro një provim mbetet togfjalëshi më i çuditshëm dhe më i pa sens që kohët e fundit sa vjen dhe bëhet çdo ditë e më i shpeshte. Çdo i ri dhe jo vetëm ka hasur ose ka qenë pjesë e një skene të tillë, duke neglizhuar leksionet dhe duke shpenzuar paratë e prindërve të tyre për të marrë një provim. Pedagogë që përfitojnë nga ky fakt ndihmon që cilësia pedagogjike të bie ndjeshëm. Nepotizmi në demokracinë e sotme po merr përmasa të mëdha duke lënë në mes të katër rrugëve ato të rinj që lodhen dhe përfundojnë fakultetet me rezultate të mira. Kjo çon në popullimin e zyrave të administrative me të rinj me diploma të blera dhe me mungesë të theksuara njohurish e rrjedhimisht shërbimi për qytetarët shpesh ka nevojë për përmirësim. Cilësia e arsimit sipas ekspertëve nuk është në nivelin e duhur dhe ky është një dhimbje koke e vazhdueshme për shoqërinë dhe të rinjtë tonë. Po të bësh një vëzhgim të thjeshtë në qendrat e kurseve të gjuhëve të huaja, veçanërisht në atë të gjuhës gjermane vëmë re që të rinj të shumtë kërkojnë të ikin jashtë sepse vendi i tyre nuk siguron një të ardhme të mirë sipas tyre. Ikja e këtyre elementëve përbën një problem shqetësues për vendin tonë. Kjo valë ikje ka origjinën në papunësi dhe sjell tek të rinjtë jo pak pesimizëm. Mungesa e shpresës dhe motivimit penalizon të rinjtë për të marrë iniciativa të cilat do të kishin ndikim në jetën e tyre. Kontributi që ato mund të japin në vendin e tyre duhet ta japin në shtetet që ofrojnë mundësitë më të mira për ta.
Sporti është shpirti i një shëndeti të mirë. Kafenetë dhe teknologjia kanë zënë dukshëm vendin e sportit duke bërë që shumë të rinj të ta braktisin atë. Vendi ynë të jep mundësi të shumta për të ushtruar sporte të ndryshme të cilat nuk shfrytëzohen. Mungesa e investimeve në ndërtimin e kushteve sportive ka ndikuar që të rinjtë të braktisin sportet. Shqipëria gjithmonë ka pasur talente dhe kampion të cilët mëse nuk e kanë gjetur veten jashtë kanë dështuar si profesionistë. Kjo sepse vendi nuk u siguron asgjë! Kafenetë mbizotërojnë në cdo cep të vendit duke mos u lënë hapësirë për ambiente sportive dhe edukative.
Problematika sa vijnë e shtohen duke bërë që të rinjtë në Shqipëri të kenë sfida të mëdha. Problematikat shpeshherë kanë qenë të trashëguara nga brezat e mëparshëm por nuk mbeten pas edhe problematikat që janë relativisht të reja për shoqërinë tonë. Problemet sociale dhe veçanërisht ato që prekin rininë ekzistojnë në të gjithë botën dhe problemet janë të ndryshme në vende të ndryshme. Shqipëria ndryshe nga këto vende të cilat ndërmarrin iniciativa serioze për zgjidhjen e këtyre problemeve reagon shumë pak për minimizimin e tyre.