“Unë kam një shtëpi në katund, dhe shtëpia kur s’ka njeri brenda, shembet. Kështu e ka muzika dhe folkori në tërësi.” Përparim Tomçini
Vetë pozita gjeografike e krahinës së Dibrës, kufizuar nga: Kukësi, Mati, Tetova, Librazhdi, Tirana, Elbasani dhe Mirdita, ka bërë që muzika dhe tradita në tërësi të jetë unike në veten e vet. Muzika popullore dibrane u kultivuar më shumti nëpër dasma dhe konaqe burrashe grash. Vargjet ose ishin të krijuara nga populli ose nuk iu gjendej autori dhe i mbetej sërisht popullit. Veglat muzikore tipike të Dibrës janë kryesisht çiftelia, fyelli, surleja, gajdeja, lahuta, daulleja dhe klarineta (së fundmi).
E gjitha kjo u kultivua fillimish nga ajo popullatë që i deshi, i mësoi dhe i trashëgoi në breza të tërë. Çiftelia shpesh herë u përdor jo vetëm për gëzime por edhe në çaste mërzitjeje ku rapsodi qante hallet me të, po kështu edhe lahuta e gajdeja. Muzika qe i vetmi argëtim ku dibranët ushqyen shpirtin artistik të tyre. Me aheng bënë dasmat, me aheng kaluan mbrëmjet dhe pasdarkat. Me aheng e muhabet i shtynë mendimet largë halleve e brengave që patën.
Pastaj kjo kulturë dhe pasuri gojore e shpirtërore u kalua tek një grup profesionistësh që nisi tek Haziz Ndreu dhe soset tek Dritan Jashari, duke përmend kështu në mesin e tyre Qerim Sulën, Saje Poleshin, Lirie Rashën, Vera Laçin, Arif Vladin, Sherif Dervishin, Myfterim Kupën, etj. Ky qe një brez që e çoi në stadet më të larta që pa muzika Dibrane ndonjëherë. Ndërsa sot jo vetëm muzika popullore dibrane por e gjithë tradita etno-kulturore në vendin tonë është dridhë në themel.
Të rinjtë nuk e duan më muzikën “e vjetër” dhe po shkëputen tërësisht nga ajo. Kompozitori i nderuar dibran Përparim Tomçini thotë: “Unë kam një shtëpi në katund, dhe shtëpia kur s’ka njeri brenda, shembet. Kështu e ka muzika dhe folkori në tërësi.”.
Ky brez që përmendem më sipër po shuhet, sepse mosha bën të vetën. Brezat ndërrohen dhe qasja është e tillë: modernizim, larg traditës. Tomçini thotë: ” Potenciale kemi, por kur bëjmë një aktivitet, këngëtarë janë amatorë. Këto amatorë vështirë ta këndojë këngën dibrane sepse këndojnë tallava nëpër dasma. Kemi pas arritje, por duhet të ruhet nga shteti. Sepse pjesa dërrmuese e këngëtarëve dibranë kanë bërë kurse 9-mujore për kanto. Nëse sot mbaron dikush një shkollë muzike nuk kthehet në Dibër sepse nuk paguhet”.
Kompozitori shpreh shqetësimet e tij për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe atë dibrane veçanti. ” Edhe me dasht me e mbledh folklorin është e vështirë se nuk ka njerëz. Unë Peshkopi e kam të vështirë të gjej njerëz që i bien çiftelisë sepse kanë marr hov pas instrumentave elektronike.” thotë ai.
Instrumenti i parë që u humb nga duart e zonës sonë qe lahuta e cila nuk u përdor më pas viteve ’80. Ndërsa në ditët e sotme nuk gjendet asnjë instrumentist dibran për gajde, edhe pse është i vetmi instrument që përdoret në vetëm në Skoci dhe Ballkan.
Bashkë me këto vegla ka humbur edhe polifonia e veriut, ose më sakt ajo dibrane. Dy këngë polifonike kam regjistruat, shprehet Tomçini, por më tej nuk bëj më shumë sepse kanë kosto.
I pyetur se nëse do të ishte e nevojshme të mbaheshin konkurse dhe festivale të njësive adminstrative, kompozitori përgjigjet:” Do ishte gje e bukur nese do behej festivali i njësive administrative, por ka një gjë sepse edhe Festivali i Gjirokastrës bëhet sipas ndarjeve administrative. D.m.th, Dibra nuk ka asnjë lidhje me Matin dhe Bulqiza i përket trevës së Dibrës (nënkupton që prezantimi si një grup me Matin është gabim). Treva folklorike e Dibrës ka edhe Mavrovën, Dibrëm e Madhe dhe Dibra si e tillë është coptuar, treva më e coptuar në republikë.”
Të flasësh me Përparim Tomçinin për muzikën dhe këngën dibrane, nuk të ka hije të mos e pyesësh për Naim Plakun, poetin e këngës Dibrane. ” Unë e kam të vështirë të gjej si Naimi Plaku, ndoshta ka, ama une me Naimin ishim nje. Kam pas bashkpunime dhe me Gjokë Becin, por jo si me Naimin. Ai e njihte Dibrën dhe traditën dibrane.
Të rinjtë dibranë nuk dinë sa duhet për etnokulturën e tyre. Fajtorët janë shumë, duke nisur nga vetja, mos gjetja mundësive, dhe neglizhenca e institucioneve përkatëse. Globalizimi edhe këtu bëhet një pikë e fortë rëndes. Këtë shohim që nga futja e rrymave të ndryshme nga jashtë por edhe me harrën e gjërave tona. Kudo vërejmë të rinjë që i dinë këngët e huaja përmendësh, ndërsa si identitet të tyre nuk kanë asgjë. Doket zbehen, tradita nuk respektohet, ndërgjegjja jonë kombëtare sa vjen e dobësohet.
Alban TUFA
Botuar fillimish në Gazetën Rruga e Arbërit