Unë nuk dua askënd, domethënë nuk jam e dashuruar me askënd edhe pse këtë ma pandehin kur refuzoj të fejohem me ata që më sugjerohen dhe që jo pak herë më imponohen.
E sosa filloren me një mesatare të mirë në krahasim mëe shumicën. E pranoj që mund të bëja më shumë dhe të dilja më mirë, po ja që logjika ime aq qe në gjendje të përthithte, shto pastaj faktin se, unë, nga natyra jam pakëz dembele. Sot thonë se më ka ardhë koha, ka avit vakti.Ma kujtojnë vazhdimisht gjyshja, tezja, halla dhe më së shumti ime më. Im atë flet rrallë, por kur flet duhet marrë seriozisht. Bisedat me time më, I shkëput thjeshtë më një; boll më.
Tani ka ardhë korriku dhe inshallah i shpëtojn dhe nga shtatori, kismet, kam plan të filloj një kurs për parukiere, sepse për shkollë as nuk bëhët llaf.
Shpesh kur nëpër facebook (të vëllait) shoh ndonjë moshatare të fshatit me foto nga shkolla, më mblidhet një lëmsh mu në grykë, diç më trazohet në stomak dhe jo pak hërë më tradhëtojnë lotët.
Dita ime është: çohu me sabah, laj-fshij, laj enët, disa herë dal në kopësht dhe ndihmoj time më, kohën tjetër shoh telenovela. Një vit më parë lexoja goxha, derisa një ditë, im atë, më gjeti një libër në dorë (Dashuri në kohërat e kolerës) që ma kish dhënë një shoqe një vit më parë në gjimnaz dhe ma dogji në sobë.
“Dashuri ee?Dashke burrë?” Prej asaj kohe mu hoq libri dhe m,u dalldis në rrashtë si çekiç ideja e burrit. Të gjithë i janë vënë punës dhe ja, ky gusht më gjen 18 vjeç dhe me shumë gjasa të fejuar.
Kjo i kënaq prindërit e mi. Unë i mirëkuptoj, sepse ata duan të më shohin të shohin të sistemuar.Ata duan më të mirën, pavarësisht faktit se çfarë dua unë. Vajza në rrugën matanë e la shkollën e mesme pasi u fejua dy fshatra më tutje me të birin e kryeplakut, i cili sapo ishte kthyer nga Anglia. E përjetoi shumë keq. Thonë që deshi ta linte burrin, madje edhe të vriste veten. Por me ndihmën apo vendosmërinë e të ëmës ia doli. Të paktën unë nuk e kam këtë problem. Unë nuk jam fare në shkollë, dhe burri im s’do e ketë këtë dallgë për ta kaluar.
Shoqja ime e klasë, që kisha në fillore, i ka bërë gati letrat për të ikur në Gjermani. Kështu më tha, kur erdh tek unë një pasdite, dhe pret vetëm sa të mbushje moshën e lejuar, tetëmbëdhjet vjeç dhe i fejuari i saj do vij ta marrë. Me dëshirë dhe me gëzim, duket që pret takimin e katërt me të.Thotë gjithnjë që e ka marrë malli, dhe të them të drejtën, herë kënaqem me lumturinë e saj, herë më vjen gjynah për naivitetin që karakterizon.Megjithatë, ashtu e ka pas fatin e vet.
Thonë: “Tjetrit i shkel në gjurmë, por jo në rrisk.”, dhe meqë është kështu, pse dreqin dalldisin të të fejojnë me zor. Pra jo vetëm që të shkelin në fat, por madje tentojnë (shpesh herë ia dalin) dhe gëzojnë të ta ndërtojnë atë. Mirë prindërit, sepse ata thash që ma duan të mirën dhe duan të më shohin të sistemuar, por tezet, hallat, tezet e nënës e mbarë farë-e-fisi. Edhe këto ma duan tē mirën? Edhe tezja e madhe që ka vajzën katër vjet më të madhe se unë? Nuk do të merrem me to, sespe ndonjëherë edhe filloj ti urrej.
Sot më folën një për një djalë që të ëmën e tij e njihka tezja.I paska folë shumë asaj për mua dhe si pakuptuar i qenkam fut në zemër.Sa zemër të gjerë që paska! Erdhi tezja (që nuk vjen më pa sebep, por sa herë vjen ka gjet dikë për mua), dhe tha ashtu si me lezet, tuj i ra rrotull-rrotull, si kali i lidhun në kunj, se paska një shoqe të mirë, dhe që ajo paska një djalë aq të mirë, deri sa në fund, e lëshoi gjylen: është një rast për tu marrë në konsideratë, madje për të mos u humbur.
Nuk dija ç’ti përgjigjesha, po ti thoja jo, do mendonin se kam dikë tjetër, dhe gjërat s’doja të merrnin të tillë kahje. Por as po nuk i thoja dot, sepse nuk qesh e vetëdijshme për të tillë gjë. E ndjej që jam akoma fëmijë, ose thjeshtë dua.
Megjithatë e shoh shumë mirë që nuk mbetet gjë tjetër, dhe duhet me patjetër t’i shoh këto mundësi që do vijnë. Nuk është se s’kam frikë, por po mundohem ta fsheh.
Verën e kaluar, kur im vëlla u kthye me pushime nga Tirana ku studion në të lartën, më pati treguar për një shoqen e tij. Edhe ajo nga një fshat i Dibrës, jo nga ata të thellët, hoqi dorë nga dashuria me një djalë, dhe u fejua me një tjetër rrëzë fshatit të saj. Këtë djali me letra në Itali, ia kishin lavdëru në maksimum (se nuk kemi dëgju të shajë kush dikë në prag-fejesë). Pas fejese i bënë “të bëme e të pabëme”, e fill në prag-martese, doli që ky zotni djali i lavdëruem, paska nuse dhe djalë në Itali. Shkurt muhabeti, asaj, në lule të rinis i ra “vrugu”. Tashti thotë vëllai që është martu me një burrë martuar më parë në Shehër të Dibrës së Madhe, i cili kishte edhe dy fëmijë.
Tashti as unë nuk ua kam besën fort këtyre emigrantëve, një jua bën hallall, por munden me iu dalë dy-a-tre tjera. Gjithësesi, unë e mirëkuptoj çdo prind, që nisur nga prarime konservatore, pyesin për prindërit, për familjen, edhe pse djali (burri supozohet i ardhshëm) ka dalë pesëmbëdhjetë vjeç nga kjo familje. Nga ana tjetër, prindërit harrojnë fjalët që vetë na i kanë mësuar: “Nga trëndafili del ferrë, nga ferra del trëndafil”. Nuk them që se fu trëndafil, por mjafton mos jetë ferrë me gjemba të trashë.
Nisur nga këto, dhe disa histori të ngjashme, kam bërë një pakt me veten, sipas meje është e keqja më e vogël.Po jua them, por mos e merrni si praktikë se mund që të mos ngjis tek ju, domethënë sipas vendit bëhet kuvendi. Që ti shmangem rrezikut fatal (por edhe një fati shpesh të dëshiruar), nuk do pranoj kurrë të martohem me një emigrant. E di që me këtë mund të shmang edhe ndonjë që vertet është njeri tamam, ama për të qenë e sigurtë, domethënë mos përfundoj aksidentalisht në Shehër. Rasti i parë që do të dalë me dikë që është këtu dhe punon këtu, çfardo pune qoftë ajo. Do pyesni pse. Sepse, e para ai është rrit e burrëru këtu, me këto rite e zakone, me këtë sedër e nder. Së dyti këtu jam afër pridërve: shto faktin që i shoh sa herë dua, fundja askush nuk mund të luaj kollaj me jetën time. Dhe së treti, dhe jo më pak e rëndësishmja, ndaj jetën me të, dmth (shprehur brutalisht) ndaj netët me të.
Para disa javësh (se paskam harruar t’jua tregoj), erdh një hallë e mamit.Sa u qas në prag të derës së madhe, t’ju them të drejtën më shkoi në mend pse ka ardhë. I rrëfeu mamit me zë të ulët, kur unë po bëja dy kafetë, se qenka një rast shumë i volitshëm në Angli, por djali na qenka pa letra. Kur unë u futa në dhomë me tabaka në duar (që s’më dridheshin më sepse isha mësuar me të tilla gjëra), halla (e mamit) filloi ma lajka. Pasi ma parashtroi dhe mua rastin me zell shumë të madh, fytyra iu zbeh kur e pyeta se kur do vinte ky djali nga Anglia. Ajo u përtyp dhe tha se nuk vjen dot, s’ka letra. Pastaj tha se do shiheni në foto, do flisni në ashtu, si i thonë: skajp. Dhe masandej, ai të merr atje, kshu sikur ka shku vetë ose me letra fallso ose me kamion.
Duke parë time më që me ç’po shihja i pëlqente ideja, fillova jo të urrej hallën e saj, por edhe atë. Deri këtu arrin të gjeturit një burrë?!
Unë (dhe jo vetëm unë) jam rrit dhe edukuar me idenë se do shkoj tek burri.
Pergatiti: A.T
Gusht 2017