Ish kreu i Institutit për Studimet, Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook, në lidhje me dhënien e titullit qytetar nderi (pas vdekjes), Haxhi Lleshit nga Bashkia Peshkopi.
Në përmjet statusit Tufa shkruan:
“Tragjikomik, grotesk, turpërues e anakronik
akti i dhënies së titullit “Qytetar nderi” për tiranozaurin e
komunizmit Haxhi Lleshin nga bashkia e Peshkopisë! Haxhi Lleshi, ish vegël e
komunistëve serbo-jugosllavë gjatë luftës së ashtuquajtur NÇL dhe Kryetar i
Kuvendit Popullor gjatë regjimit enverist, duhej të ishte kandidati i parë për
“Qytetar turpi!”.
Po si duket, epoka e Rilindjes po na e restauron tërësisht
rekuizitën komuniste të diktatorit Enver Hoxha!
Bravo! Kështu shkohet drejt BE dhe vlerave të saj!
O turp, ku e ke skuqjen!”
Gjatë kohës së regjimit komunist në vendin tonë, Haxhi Lleshi ka qenë na majat e sistemit komunist, si Kryetar i Kuvendit Popullor.
Në dokumentin e njoftimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak në Peshkopi datë 11. 12. 2019, të siguruar nga gazeta Panorama, në rendin e ditës ishte vendosur edhe “miratimi i dhënies së titullit “Nderi i Qarkut Dibër” Haxhi Lleshi. Siç duket, kjo e ka irrituar Tufën dhe disa të tjerë.
Nëpërmjet një interviste për News 24, ka reaguar edhe kreu i sapozgjedhur i ISKPK-së, Çelo Hoxha.
“Haxhi Lleshi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në vitin 1995 me dekret të Presidentit të Republikës, Haxhi Lleshit iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste”, tha Çelo Hoxha.
Ndërkohë kujtojmë që Çelo Hoxha, mori kryesimin e ISKPK-së, pas largimit të Agron Tufës, i cili prej gati një muaji, gjendet në një nga vendet e Europës ku ka kërkuar azil politik, pas marrjes së shumë kërcënimeve për shkak të detyrës.
Dibraon.com