A E DI ZOTI SHTET SE KU BIE GOLLOBORDA?!

0 0
Read Time:9 Minute, 24 Second

Nga: Ramazan HOXHA

Ne, gollobordasit e shpërngulur në të katër anët e Shqipërisë, megjithëse sot nuk banojmë në Gollobordë, një pjesë të saj e kemi gjithmonë me vete  dhe ëndrrat i shohim në trojet dhe shtëpitë tona që kemi lënë atje, sepse  Gollobordën e kemi në zemër, e kemi  në shpirt e në mendje. Kudo që jemi rrojmë me hallet e brengat e bashkëvendësve tanë. Prandaj shqetësohemi kur Golloborda, përveç një mijë e një halleve, duhet të përballojë dhe sulmet e hijenave, që janë lëshuar mbi të.

Ti “Zoti shtet” je i mbytur në borxhe ndaj çdo krahine shqiptare, por, me Gollobordën nuk shlyhesh dot kurrë. Golloborda ndërtoi Shqipërinë, ndërsa ti e braktise, e le mënjanë,  që të kacafytet me mjerimin dhe varfërinë, ku është katandisur.

Nuk janë pak, por plot 25 vjet që shteti shqiptar nuk e “di” se ku ndodhet Golloborda. Gjatë këtyre viteve, kush nuk ka kaluar dhe kush nuk është interesuar për Gollobordën, por vetëm shteti i saj, shteti shqiptar nuk është parë gjëkund, dhe nuk është bërë i gjallë.

Për këtë krahinë shqiptare, të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë, këto vite janë kujtuar edhe qeveritarë e televizione të Republikave të Maqedonisë e të Bullgarisë, të cilët përleshen me njëri – tjetrin për Gollobordën dhe gollobordasit, sikur të ishin mall pa zot. Vetëm shteti i tyre; shteti shqiptar, bën sehir! Bën sehir ai shtet, për të cilin Golloborda dhe gollobordasit janë djegë, janë vrarë e janë prerë pikërisht nga ushtritë pushtuese të këtyre shteteve sllave, kur shteti i tyre shqiptar po hidhte themelet.

Gollobordasit, z.Shtet, nuk e lëshuan as në periudhat e mëvonshme krahinën dhe atdheun e tyre të shtrenjtë, Shqipërinë, por i dolën për zot asaj. Gollobordasit kanë qenë ndërtuesit e Shqipërisë nga Veriu në Jug. Nuk ka vepër të kohës së shkuar 50 vjeçare që nuk ka në muret, kolonat dhe digat e betonta djersën, kallot e duarve, mençurinë e gollobordasve. Nuk ka trevë të Shqipërisë e të Ballkanit që të ketë nxjerrë kaq inxhinierë popullorë e mjeshtër ndërtimi të urave, kanaleve ujitëse, veprave industriale, veprave social – kulturore, të artit e të tjerë.

Sa “Heronj të Punës” ka nxjerrë Golloborda, nuk ka nxjerrë e gjithë Shqipëria. Gollobordasit ndërtuan Shqipërinë; atdheun e tyre, dhe për këtë nuk janë pishman. Ata bënë detyrën  e tyre patriotike ndaj atdheut, por veten e tyre e lanë më një anë, ndërsa ti, s.Shtet, i braktise.

Gollobordasit kanë bërë stoli të vërteta dhe në Gollobordë. Mjeshtëria gollobordase e punimit të gurit ka lënë gjurmë në  kullat e Llangës, Zabzunit, Borovës, Ostrenit, Trebishtit, Okshtunit dhe në të gjithë krahinën shqiptare të Gollobordës.  Këto vepra i gjen veçanërisht jashtë trojeve të Gollobordës, që nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Athina, Sofia etj., dhe në të gjitha viset e Rumelisë, krahinës evropiane të Perandorisë Otomane. Jeta në këtë krahinë shqiptare, të cilën  natyra e ka bërë për “shtat palë qejfe”, sot është bërë e padurueshme për banorët e saj, sepse qeveritarët e tij dhe deputetët tanë kujtohen për të vetëm në fushata elektorale, kur turren drejt saj, bëjnë premtimet dhe mashtrimet e radhës, vjedhin votat e popullit të ndershëm, dhe mbasi marrin mandatin e deputetit ose të qeveritarit, nuk kujtohen më për të.

Golloborda, “Z. Shtet”, nuk është laborator eksperimental, dhe banorët e saj nuk janë kavie, ku mund të eksperimentoni kufirin e durimit, të urisë dhe nivelin minimal të mbijetesës.

Golloborda ka nevojë për punë,  për investime.  Në qoftë se shteti do të kujtohet ndonjë ditë për këtë mrekulli që quhet Gollobordë, atëherë turistë të huaj, por edhe vendas do të vërshojnë drejt kësaj perle shqiptare deri tani të virgjër, deri tani të pashfrytëzuar e të  panjohur, me ujë të ftohtë  kurativ, ajër të pastër, dhe peizazh mahnitës natyror.

Golloborda nuk është vend i zhveshur, ashtu siç mund t’ia dojë qejfi ndonjërit që të keqinterpretojë toponimin “Gollobordë”. “Golloborda” është emërtimi shqip “Kalabardha”, të cilës  sllavët i dhanë nuancat e gjuhës së tyre. Kjo  krahinë nuk është e banuar nga sllavë, por nga shqiptarë autoktonë, pavarësisht se në disa fshatra të saj ekziston fenomeni i dygjuhësisë.

Duke përfituar nga fenomeni i dygjuhësisë, si dhe nga varfëria ekstreme, qarqe të caktuara në Maqedoni dhe Bullgari kanë shprehur hapur pretendimet e tyre për ekzistencën e një pakice kombëtare sllave në Gollobordë. Qarqe (bullgare), duke përfituar edhe nga interesat meskine të disa individëve të korruptuar e mafiozë, tek të cilët është mbështetur,  për të realizuar synimet e vjetra të saj, ka disa vite që po pajisin me pasaporta bullgare njerëz nevojtarë nga kjo krahinë kundrejt një pagese të majme.

Këto individë, tek të cilët është mbështetur qeveria bullgare për të ngritur pretendimet e saj, se, në Gollobordë jetuaka një pakicë bullgare, janë shqiptarë puro 24 karatësh. Ata janë shqiptarë denbabaden deri në 4 breza. Mungesa e kushteve minimale, të nevojshme për zhvillimin e krahinës së tyre, mungesa e kushteve për zhvillimin e mirëfilltë të bujqësisë, mungesa e tregut për shitjen e produkteve blegtorale dhe bujqësore, mungesa e  turizmit malor ka shkaktuar papunësi të madhe dhe humbje shprese për të rinjtë e krahinës. Gollobordasit nuk kërkojnë luks.

Gollobordasit  kanë kërkuar dhe kërkojnë nga qeveritarët e të gjitha ngjyrave,  të cilëve u kanë dhënë votën dhe mundësinë për të abuzuar me ndershmërinë dhe djersën e tyre, t’u krijojnë vetëm kushtet më minimale, t’u rregullojnë infrastrukturën rrugore. Ata kërkojnë rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugës nacionale Librazhd – Bulqizë, që kalon mes për mes Gollobordës, por që i shërben të gjitha krahinave verilindore dhe atyre juglindore të Shqipërisë. Rikonstruksioni dhe asfaltimi i kësaj rruge do t’u krijonte banorëve të Gollobordës mundësi të mëdha zhvillimi, do t’u afronte tregun e shitjes së produkteve bujqësore dhe zhvillimin e turizmit malor në këtë krahinë me potenciale të mëdha turistike.

Dy herë është inauguruar fillimi i punimeve të rikonstruksionit dhe të asfaltimit të rrugës Librazhd – Steblevë – Bulqizë. Një herë është çelur fondi fillestar dhe është prerë shiriti i fillimit të punimeve nga ish kryemi-nistri Fatos Nano gjatë fushatës elektorale në korrik të vitit 2005, që u transmetua edhe nëpërmjet të gjitha televizioneve, dhe njëherë tjetër nga drejtuesit e Partisë Demokratike, mbas marrjes së pushtetit nga ana e tyre. Por, të dy herët, fondet e çelura ikën për “lesh”. Kushedi se në ç’xhepa kanë përfunduar. Deri tani nuk është  asfaltuar as një metër linear i kësaj rruge.

Qeveria aktuale duhet të kuptojë, se Shqipëria nuk është vetëm Tirana, Durrësi dhe Elbasani…. Shqipëri janë dhe komunat verilindore, ku jetojnë rreth 55 – 60% e popullsisë shqiptare.  Ndërsa qeveritarët e nginjur në metropolin shqiptar japin koncesione për ndërtimin e një rruge të katërt nga Tirana në Elbasan, se nuk qenkan të mjaftueshme tre rrugët ekzistuese: një nga Kërraba, një tjetër Tiranë – Rrogozhinë – Elbasan, dhe një tjetër me hekurudhë e ndërtuar që në vitin 1948, rruga Librazhd – Çeren nuk rikonstruktohet.

Gollobordasve, bulqizakëve dhe  dibranëve, që kanë nevojë të udhëtojnë për në Librazhd, Pogradec, Korçë, Devoll, Ersekë dhe anasjelltas u duhet të përshkojnë harkun e një gjysmërrethi, duke kaluar nëpër Tiranë me 2 apo 3 fishin e shpenzimeve. Asfaltimi i rrugës Librazhd – Steblevë – Ostren- Çerenec, jo vetëm që do të zgjidhte hallet dhe problemet e këtyre krahinave, por do të ishte më ekonomike për transportin e mallrave, dhe të produkteve bujqësore e blegtorale. Do të afronte tregjet e shitjes së këtyre produkteve, me më pak shpenzime për prodhuesit dhe fermerët e këtyre krahinave. Golloborda, në mënyrë të veçantë komuna e Steblevës, si dhe Dibra në përgjithësi janë prodhuesit më të mëdhenj të patates në shkallë republike dhe janë në gjendje të plotësojnë nevojat e gjithë Shqipërisë me këtë artikull. Por për mungesë të infrastrukturës rrugore po kalben patatet nëpër kavaleta.

Edhe hapja e pikës kufitare në Steblevë,    e miratuar që përpara shumë viteve me një marrëveshje ndërshtetërore në mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase është një zgjidhje për krahinën e Gollobordës. Por, kjo marrëveshje, për neglizhencën e qeverive respektive, nuk është zbatuar akoma.

Golloborda kërkon hapjen e doganës në fshatin Miresh,   që është vetëm 5 km larg qytetit të Dibrës së Madhe. Kjo pikë doganore ka ekzistuar gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Zogut, si dhe  deri në vitin 1950. Kjo pikë doganore i ka shërbyer jo vetëm Gollobordës, por gjithë Shqipërisë dhe krahinave shqiptare matanë kufirit si dhe gjithë Maqedonisë. Dogana e Mireshit, ka qenë e vetmja në të gjithë zonën lindore të Shqipërisë, ku edhe transporti i udhëtarëve nga Peshkopia, Bulqiza, Zerqani, Luma, Dibra e Madhe, Reka, Kërçova etj., për në Tiranë bëhej nëpërmjet kësaj pike doganore. Pra, rruga Peshkopi – Tiranë, përpara hapjes së rrugës së “Dritës” nëpër Shkopet, në vitin 1950, bëhej nëpër Gollobordë – Librazhd – Elbasan – Tiranë. Prandaj, hapja e pikës doganore në fshatin Miresh  të Gollobordës do të ishte një ndihmë e madhe jo vetëm për Gollobordën, por për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët e Dibrës së Madhe dhe më gjerë.

Problemi jetik për gollobordasit është edhe shërbimi shëndetësor. Jo më larg, por deri në vitin 1990, në çdo fshat të Gollobordës kishte qendra shëndetësore me asistencën e mjekut të përgjithshëm, mamisë që u vinte në ndihmë grave për lindje, si dhe të mjekut stomatolog, personelit të mesëm infermierë, farmacistë etj. Përveç tyre, në Gollobordë funksiononin edhe 4 spitale rurale, si në Klenjë, Trebisht, Tuçep dhe Ostren i Madh, të pajisur me shtretër, farmaci, me personelin e nevojshëm mjek – infermier, si dhe me instrumente për kirurgjinë e vogël dhe ndihmën e shpejtë. Sot është shkretuar çdo gjë. Asgjë nga këto nuk ekziston. Jeta dhe shëndeti i gollobordasve është në rrezik dhe në mëshirën e fatit.

Në kushtet kur edhe infrastruktura rrugore mungon plotësisht, jeta e gollobordasve është e rrezikuar në çdo moment. Gollobordasi, deri sa të vijë në Tiranë, ose në qytete të tjera për ndihmën e shpejtë ose për t’u kuruar, ka vdekur pesë herë rrugës. Prandaj, për të përmirësuar sado pak shërbimin shëndetësor për popullsinë e Gollobordës, është e nevojshme ngritja e tre qendrave shëndetësore me personelin e nevojshëm mjekësor në tre njësitë administrative  të Gollobordës, si Ostren, Trebisht dhe Steblevë,  ku personeli mjekësor të shërbejë me sistem pune 8 orësh Problemi është edhe arsimi i fëmijëve gollobordas në krahinën e tyre deri në mbarimin e shkollës së mesme.

Para viteve ’90-të, në Gollobordë ka pasur 5 shkolla të mesme, ku të rinjtë merrnin mësime në arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional bujqësor. Sot në Gollobordë nuk ka asnjë shkollë të mesme. Të rinjtë që janë të interesuar për vazhdimin e saj, vijnë nëpër qytete duke iu bërë barrë familjeve dhe farefisit të tyre që banojnë në qytet. Të rinjtë gollobordas duhet patjetër të marrin arsimin e mesëm në krahinën e tyre e të mos mbeten injorantë. Edhe në Gollobordë, si në shumë krahina të tjera shqiptare, po vërehet fenomeni i analfabetizmit, mbasi edhe frekuentimi i shkollave fillore është problem. Prandaj, në këtë krahinë, duhet të ngrihen shkolla të  mesme

Zotërinj qeveritarë! Këto ishin disa nga problemet jetike të banorëve të krahinës së Gollobordës që kërkojnë zgjidhje. Në qoftë se e ndjeni veten, sadopak, në shërbim dhe borxhlinj ndaj këtyre banorëve të cilët u kanë votuar dhe besuar administrimin e djersës dhe të gjakut të tyre, ktheni sytë nga GOLLOBORDA.

Marre nga Dibraxpress.com

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %