Nga Enkeleda Bodini
Arti është një fushë që jo të gjithë gjejnë veten, por ata që e gjejnë jetojnë me të dhe për të. E tillë është edhe Irma, një vajzë e re, e cila që e vogël ka pasur pasion pikturën dhe sot nuk bën dot pa të. Dritare.net do ju njohë sot me historinë e saj.
Irma Rexhepi është 24 vjeç, lindi dhe u rrit në një fshat të vogël të Dibrës, për të cilin shprehet se ishte pikënisje e formimit te saj. Ajo ka mbaruar studimet a larta për Gjuhë dhe Letërsi, ndërsa vazhdon masterin për Teori dhe kritikë letrare. Prej vitesh piktura është pjesë e pandarë e përditshmërisë së saj.
Mësuesja e fillores ishte ajo e cila kishte kuptuar më shumë mbi talentin, duke e shprehur dhe në një ndër dëftesat e saj. Në vegjëli, kryefjala e lojërave të Irmës ishin ngjyrat.
Mamaja e saj, duke ditur dashurinë e madhe të Irmës për këtë fushë, kishte dashur që studimet e mesme t’i kryente në Liceun Artistik, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ndërkohë që vitet kalonin, shpresa se një ditë do të bëhej piktore, Irmës nuk iu shua.
Gjatë studimeve të larta, me insistimin edhe të familjarëve të saj, kryesisht të nënës pasi për të ishte pengu më i madh, ajo vendos të ndjekë leksione mbi pikturën, privatisht. Për të kjo ishte si të kishte një jetë të re. Takimi me një profesor të pikturës, fakti që ajo mund t’i rikthehej pikturës, e të pikturonte prej vërteti, ishte emocioni më i madh.
Në seancën e parë të leksionit, ku prof. Vangjel Nikolla zhvillonte mësim, Irma merr konfirmimin nga ai, se penelatat e saj nuk mund të ishin të dikujt tjetër përveçse të një artisteje. Tashmë ajo është piktore e certifikuar nga piktorët më të mirë në Shqipëri.
Pikturat e saj kanë marrë pjesë në disa ekspozita në grup, në Kryeministri, në Muzeun Historik Kombëtar, vendin e saj të lindjes etj. Dhe kopertina e një libri poezish mban punimin e saj.
Frymëzimin për të pikturuar e gjen në natyrë dhe rryma e saj e preferuar është impresionizmi. Përveç faktit se ajo praktikon shumë rryma në çdo pikturë është e pamundur të mos spikatësh detaje impresionizmi.
“Në lëndinat e mia dua të ndihet aroma, në male të ndihet freskia, pikturat e mia dua të frymojnë”, thotë Irma për dritare.net
Për të, të bëhej artiste nuk ka qenë e lehtë. Mbështetja e familjes dhe puna e saj e palodhur, ka bërë që sot të jetë një piktore e zonja.
Nuk ka histori që nuk janë të bukura, ndaj nëse dhe ti ke diçka për të treguar, na shkruaj sepse dritarja jonë është e hapur për të gjithë. /dritare.net