Angjelina Sula është autorja e librit më të ri të hedhur në treg që mban një titull interesant. Autorja, vajza tipike dibrane punëtore, e apasionuar rreth poezisë dhe e vendosur në qëllimet e saja, pas 3 vitesh punë në një përmbledhje poezish nxjerr në treg librin e saj të parë “Kitarë” që në vetvete mban një stil unik dhe një shije të hollë.
E pyetur nga DibraON se përse i është vendosur ky titull ajo tregon:- Meqenëse kitara është përdorur më së shumti në këngë romantike, serenata, balada i përshtatet frymës së poezisë dhe që kitarën e kam përdorur shpesh si element në poezi mendova që titulli ti vendosej “Kitarë”
Gegënishtja është gjuha që mbizotëron tek poezitë e saj, ku në të njëtën kohë trajtohen tematika sociale dhe fenomene të cilat hasim çdo ditë. Ajo çka e bën librin “Kitarë” të jetë tërheqës dhe jo i mërzitshëm është origjinaliteti i përdorur nga autorja dhe nuk është ilustrim i asnjë autori tjetër.
Libri është botuar në Tiranë, Prishtinë dhe në Tetovë dhe në muajin nëntor mund të gjendet në panairin e librit që çdo vit ngre siparin e tij.
Angjelina prej kohësh shkruan poezi, madje është fituese e shumë çmimeve të cilat i kanë dhënë shtysë mjaftë të madhe për të guxuar që të botonte më në fund librin e saj të parë.
Më poshtë është një nga poezitë shkëputur nga libri “Kitarë” i autores dibrane Angjelina Sula
DASHURI
Muzgjeve notoje në vargje Pushkini
e agimit pa u çue n’gjunjë njai’ Diell
ti i buzëqeshje
me nota sonetesh.
Kur më kacarrokje
ngrohtësi vargjesh të Lorkës
më numëroheshin përnjëherazi
me rrahjet e tandes zemër
aty në kraharor ku takoheshin.
Mbasandaj trishtoheshe
e mue
tinguj të Bet’hovenit
më renditeshin
e faniteshin
si një ninullë
kur isha foshnjë…
E mban mend
kur m’i këndoje?
Nanë…