Nëse qeverisja e vendit do të ishte normale, këto ditë ajo nuk do të ishte duke zhvilluar, në qendër të Tiranës, betejën e palavdishme për shembjen e Teatrit Kombëtar, por do të ishte ngjitur në bjeshkë për të ndërtuar sa më parë Lurën, si një “kështjellë” të turizmit malor. Teatri dhe Lura, sado pa lidhje të duken mes tyre nuk janë dy gjëra të ndryshme, përkundrazi janë e njëjta gjë. Të dyja kërkojnë vullnet, projekte serioze dhe transparencë qeveritare me publikun për t’u bërë, detyrim ligjor që qeveria e ka për çdo centimetër truall, pyll, lumë dhe për çdo qindarkë që del nga xhepi i shqiptarëve.
Teksa hedhim këto radhë për Lurën, ndërmend na vjen vizita e Kryeministrit Rama atje, qershorin e kaluar, ku premtoi se do ta bënte rrugën, aq më tepër që Lura është përfshirë në projektin e 100 fshatrave. Nuk prisnim, natyrisht, që rruga të bëhej në 13 muaj, por të paktën projekti të ishte shpallur e mbase të ishin hedhur kazmat e para, pasi kreu i qeverisë nuk besojmë se ka folur për “pesëvjeçarin” tjetër. Lura këtë fat ka pasur, që e ka ndjekur pas si një mallkim, të mos e çojë rrugën atje asnjë Kryeministër, që nga Mehmet Shehu, i pari që e ka vizituar. Por kot që të bëjmë histori. Lurën nuk e kemi më. Lura është parajsa jonë e humbur. Nuk është “Parajsa e humbur” e Xhon Miltonit, a ndonjë tjetër, por një parajsë shqiptare e rrënuar nga njeriu, bash ai që duhej t’i falej asaj.
Për Lurën është shkruar aq shumë, këto vite, sa, sikur fletët e shkruara të mund të ktheheshin në kilometra rruge, nuk është çudi të ishte arritur te liqenet!… Lura është gjithmonë një grishje e brendshme për këdo, për të shkuar një ditë atje, pasi kush e ka vizituar një herë, pret rastin për të vajtur përsëri, herë pas here. Sado e paarritshme të duket kurora e liqeneve të saj, prej mungesës së rrugës, atje ia dalin të ngjitën të pasionuarit pas turizmit të aventurës, për një ditë a për një javë, me kampingje të thjeshta, si dhe punonjësit pyjorë, gazetarët dhe natyrisht barinjtë, që verojnë bagëtitë atyre kreshtave. Por këta janë aq pak, krahasuar me vërshimin e munguar të turistëve për në Lurë. Rruga për atje është ajo që ka qenë para tridhjetë vitesh, nga Mirdita, për “Skodat” e lëndës drusore dhe makinat e kooperativës. Nuk pritej në atë kohë që Lura të ishte ndryshe, por është e pafalshme që, nga ‘90 e mbrapa, Lurën nuk e kthyem në qendrën më të rëndësishme të turizmit malor, prej natyrës së saj të pazakontë. Jo vetëm nuk kapëm kohën e humbur, por na mbeti “ora” në vend, bile bëmë prapa. Ia dorëzuam Lurën kaosit dhe babëzisë së tranzicionit. Se kështu e kemi parë gjithmonë Lurën, për ta zhvatur, vetëm për t’i marrë e asnjëherë për t’i dhënë.
Tranzicioni e shkatërroi Lurën dhe ky nuk është ndonjë përbindësh që del nga shpellat e maleve, por jemi ne. Lurën e premë, e grabitëm, i nxorëm “sytë” (liqenet), e bëmë të pamundur për ta shijuar si mrekulli natyrore. Mali i Kunorës, Liqeni i Luleve me “zambakun shqiptar” dhe gjithë vargu liqenor, larmia e drurëve, kafshëve dhe shpendëve të egra, kullat epike plot tradita, jeta komunitare, herë – herë dhe familjare, dybesimshe, gjithë peizazhi mitik, ekzotik dhe urban, e bën Lurën kryeveprën e mundshme të turizmit dhe agroturizmit në Shqipëri e më gjerë. Ajo nuk është vetëm një kryemal i lartë me 7 liqene të mëdhenj e po kaq të vegjël, por një areal karakteristik me fusha, pllaja, qafa, leqe, gryka, burime, livadhe, legjenda, në zemër të rajonit verilindor, thuajse e baraslarguar nga Rrësheni, Peshkopia, Burreli dhe Kukësi. U bënë, më në fund, Vermoshi, Valbona, Shishtaveci, Iballja, treqind kilometra nga Tirana dhe ky është një lajm shumë i mirë, por jo dhe Lura, përgjysmë tyre për nga largësia. Një miku ynë dibran, specialist pyjesh dhe studiues, emigrant në Itali, u nis këto ditë nga Tirana për në Lurë, bashkë me dy miq të tij të profesionit, por i thanë se për t’u ngjitur te liqenet i duhej një superfuoristradë, ndaj grupi u kthye mbrapsht. Sa e sa turistë të tjerë, sidomos të huaj, nisen për në Lurë e nuk mbërrijnë!
Nuk ka njeri që nuk e di thënien e Gjergj Fishtës, para njëqind vitesh, ‘nëse nuk ke parë Lurën, nuk ke parë Shqipërinë’. Por a po e shohim ne Lurën? Pak, shumë pak. Çfarë mund të thuash për të tjerat, kur nuk bëhet “yti” oazi më i lakmuar i Shqipërisë? Puna është si ta bëjmë Lurën të vizitueshme, pak nga pak, pa pritur “qerren” fluturuese të qeverisë për të na shpënë atje. Lurianët i janë rikthyer Lurës vetë dhe po përpiqen të kthejnë vëmendjen e qeverisë dhe organizatave të zhvillimit rural andej. Festa e Shën Mërisë, në gusht, i mbledh ata nga janë e s’janë, pavarësisht besimit, në një kremtim të larmishëm në Fushë-Lurë. Organizator, vitet e fundit, është Unioni “Lura” dhe biznesmenët e përmendur lurianë, që mbështesin veprimtaritë kulturore, si dhe daljen e gazetës “Lura”, ku intelektualët dhe banorët tregojnë vizionin se si ai duhet të jetë Lura e tyre. Mblidhen dhe në raste të tjera, por nuk është fjala vetëm për një ditë, a disa ditë në vit, synimi është që Lura të fitojë dimensionin e munguar, si një arenë e turizmit bashkëkohor gjatë gjithë vitit, e përshtatshme për hiking, hipizëm, sporte dimërore etj. Nuk duhet pritur që të na e rikthejë dhe njëherë natyra nga e para Lurën, që të bëjmë pastaj ne tonën me të. Informacioni për Lurën, nga ata që janë të interesuar, merret më së shumti në rrugë “klandestine”, me të pyetur ose online, pasi nuk ka një qendër që të mund të informojë saktësisht për të, edhe pse në Rubik është ngritur “Info-kulla”, me të cilën do t’ia vlente të bashkëpunohet për këtë qëllim nga organet vendore të Dibrës, operatorët dhe shoqatat e turizmit.
Shkruajmë për Lurën, pasi kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë. S’kemi pushtet dhe banka që t’i ndërtonim infrastrukturën e duhur, por fjalëmirë mund të bëhemi, se mos fjala ngjet, ani se besimi na është sosur jo pak. Lura është shpallur Park Kombëtar në vitin 1996 dhe vazhdojnë sot e kësaj dite të shpallen zona të mbrojtura, rreth e qark saj, ndërkohë që Amerika e ka vënë pyllin nën ligj në dekadat e fundit të shekullit XIX. Edhe atje ka qenë problemi i hidrocentraleve, aq më shumë kur mendon përmasat gjeografike të SHBA-ve, por lumenjtë e rrallë janë kursyer nga digat dhe veprat hidroteknike të vaditjes. Kurse përrenjtë e Dibrës, Matit, Mirditës, Kukësit, Tropojës, Tepelenës, përfshi dhe lumenj të njohur si Valbona, Cemi, Vjosa e të tjerë në gjithë Shqipërinë janë sot të kërcënuar, burim për burim e rrjedhë për rrjedhë nga HECet e panumërta. Është mbase rasti të themi se askush ndër banorët e maleve nuk e mendon të paprekshëm mjedisin e vet, pasi çdokush e di se që të zhvillohet një rajon, do të preket dhe natyra, ngaqë do të ndërtohen rrugë, diga, miniera, ujësjellës, hotele, por me masë, me strategji dhe kurrsesi në këto përmasa shkatërruese. Përndryshe, Shqipëria nuk do të ishte në këtë alarm “historik” e protestë të banorëve nga Valbona ne Vjosë, për ta ndaluar hidrocentralizimin e çdo përroi në male e lumi në fusha.
Duke u kthyer te fillimi i shkrimit, beteja e artistëve dhe e publikut për Teatrin Kombëtar vazhdon. Habitesh se godina e tij mbrohet me policë! Nga kush rrezikohet Teatri, nga publiku, nga polisi, nga vetja? A nuk është ky që e ka krijuar teatrin qysh në antikitet? Si mund të mbrohet një pronë publike nga i zoti, që është publiku? Do të kishte kuptim nëse qeveria do ta niste Policinë me shërbim, kudo ku shtrihen tubat e HEC-eve përrenjve malorë, për t’i penguar ato, kudo ku pyjet vazhdojnë të dëmtohen nga prerjet dhe zjarret, kudo ku keqbërësit e veshur me pushtet i gllabërojnë këtij vendi pasuritë natyrore. Lura do të ishte e para që duhej të përfitonte nga kjo lloj sigurie, do ta quanim, kombëtare. Tashmë kërkohet të mbrohen jo vetëm kufijtë e shenjtë të republikës, por dhe këto “piramidat” e brendshme (toka, pyje, laguna, kala, lumenj, minerale etj.), që rrezikohen nga vetë agresioni ynë kundër tyre, për të fituar padrejtësisht një dorë njerëzish me para dhe me pushtet.
Nga: Ndue Deda. Gazeta Panorama