Nga Alban Tufa
Parasysh iu shfaq tërë ajo shtëpi dykatshe. Një vilë e ndërtuar me gjithë ato salltanete. Një pishinë gjendej mu në mes të oborrit, i cili qe i rrethuar me turlifarë lulesh, tavolinash, kupash e statujash, dhe me ca mure me trajta antike të gërshetuara me stilet moderne arkitekturore. Hodhi sytë në qoshe, dhe ndanë shtëpisë kishte një garazhd jo të vogël, sa mund të nxinte njëherësh dy makina. Se sa dhoma kishte nuk dukej nga jashtë, me gjasë dy në të parin, dhe dy në të dytin shto banjot dhe sallonet.
Aq i duheshin, sipas planifikimeve të tij. Ishte boll për të, të shoqen, të birin dyvjeçar, dhe një vajzë (po deshti Zoti) që e kishin në axhendën e planifikimit familjar. Nga pamja ballësore mund të shihje paralel rrugën e cila i binte përmes lagjes më të skajshme të qytetit. Këtu është qetësi, këtu jetohet si njeri, tha me vete ai.
-Të kam në dorë, shqiptoi nëpër dhëmbë.
Ja kjo ishte shtëpia që kishte ëndërruar.
Nëpër ndjenja e kaploi një diç si gëzim, e mandej nga kënaqësia iu rrënqeth i tërë trupi, ndërsa fytyra i kishte marrë një pamje të pa shpjegueshme. Ai kishte një trup të hollë, të zeshkët, thatim, por me një shtrukturë kockore të fortë, ndërsa fyryrën e kishte të gjallë, të pastër dhe këtë ia vinte në dukje koka e tij lehtë e kuptueshme paqethur.
Hodhi sytë në sallon dhe përballë me derën gjendej një divan. Ky duhet lëvizur, mendoi me vete, sepse Sosja, e shoqja nuk e do kurrë divanin përballë me derën dhe as në qendër. S’e di pse por ajo ka rënë në dashuri me qoshet. Komoja mendoi se do ishte më mirë të kalohej te këndi tjetër. Kjo bezha e mureve duhet zhdukur shestoi me vete, sespe ajo i do të bardha dhomat që të gjitha. Ngjyrat thotë janë për jashtë. Kur dhomat brenda janë të bardha, le që fusin plotë dritë, por edhe krijojnë një unitet familjar dhe një pastërti simbolike: çiltërsi. I japin një tjetër seriozitet arredimit të shtëpisë. Kjo gjë e bën më shumë klasike, imagjinonte zërin e së shoqes në vesh.
Edhe parketi duhet ndërruar, është pak i vjetër, dhe nga përdorimi dërrasat mund të lëvizin dhe si pasojë e fërkimit mund të prodhojnë tinguj shurdhues. Ndërsa pjesa tjetër është përpikmërisht e saktë.
Me të hedhur pastaj një shikim mbi banjon, kuptoi që nuk ka nevojë për të vënë dorë mbi të. Ishte e madhe, me të gjitha pajisjet e mundshme që mund të përdoren në banjo. Gjithëkah rregull, pastërti dhe saktësi, bash si në ëndërra. Kjo ishte pra ëndërra që po përjetonte dhe po ia kallte ndjenjat Rim Shpuzës.
Mandej, pasi hoqi dorë nga banjoja, dhe filloi të vështronte me nge shakllët. Ato qënë të drunjta, dhe Rimi arriti të kuptonte se ishin prej drurit të arrës. Mendoi një herë se ato shkallë kishin nevojë për një dorë bojë çfarëdo, por shumë shpejt hoqi dorë nga kjo ide dhe i la shkallët në ngjyrën natyrale të dryrit përveç dëshirës së një dore llaku.
Sapo kaloi në katin e dytë, ai u përball me dhomën e gjumit. Këqyri në detaje krevatin dopio të shoqëruar me nga një raft anash. Krevati qe mbuluar me një çarçaf të bardhë me disa trajta abstraskte gri, të cilat i jepnin seriozitetin e duhur kësaj dhome të bekuar gjumi. Edhe kjo ishte bash siç kish dashur gjithë jetën ta kishte. Mendoi veten të shtrirë bashkë me Sosen e tij në krevat, duke u dashur dhe kapërthyer me të çdo natë, si të ishte njëzet vjeç. Mandej fill u zhyt në të tjera mendime aspak të strukturuara:
Ah jetë e poshtër! Për kaq më ke lënë të vuaj si qeni?! Pthu… jetë mizerje! Po pse o Zot duhet të vuaj njeriu për një shtëpi? Në fakt jo shtëpi, por për një godinë, sepse shtëpinë e bëjnë njerëzit, godinën muret. Unë i kisha njerëzit, madje më të mirët, por nuk kisha godinën. Për aq pak?! A për aq pak duhej të vuaj çdo fund muaji, sa herë vinte koha e qerasë? Dikush do të thotë se një pjesë e mirë e botës jeton me qera. Dakord. Por une gjithmonë kam dashur t’i përkas kësaj pjese të botës që nuk janë qeraxhinj. Unë gjithonë kam dashur veç një vend ku të ishte krejt i imi, fizikisht dhe shpirtërisht, logjikisht dhe filozofikisht: një shtëpi.
Ashtu përballë dhomës së gjumin, mendoi të kthjellej dhe t’iu gëzohej këtyre çasteve. Tashti nuk kishte më vuajtje, hiç, aspak, përkundrazi. Mu në këtë krevat dua të gjiz 4 fëmijë mendoi, madje edhe më shumë po na doli koha.
Teksa hedhte sytë nëpër sallonin e katit të dytë, i drejtuar tashmë drejtë banjos, ndjeu një mpirje të shpinës dhe këmbëve deri në majë të gishtave. Mandej fill Rim Shpuza drejtoi shtyllën dhe shtriqi këmbët deri sa mundi ta bënte.
Gjithë vendosmëri, gëzim dhe një kënaqje të përnënshme po i afrohej derës së banjos së katit të dytë. Iu afarua gjithë terezi dhe sapo hidhte sytë në brendinë e derës së saj dëgjoi berberin t’i thoshte:
-Rim, rradha jote. Cohu!
Ai me njëherë dhe gjithë ceremonial, palosi rëvistën VIP bashkë me faqet e agjencive imobiliare dhe e vendosi mbi tavolinë.