Eni ju o motra, eni ju o gra
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le t’a shpallim zinë
Me gjamë e me kuje ta vajtojme Shqipninë
Le ta qajme me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojme gur e dru
Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këetë bijë
Le ta qajme këtë nuse pa foshnjë në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë gjithë bota
Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditet e vendit e kan vu nën kambë
E mposhtën, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronet e kohës ia banë jetën varr
E veshën me gjemba, me tela e ferra
E kyçen nga brenda, s’e lanë as te dera
N’derë, as në dritare, se lanë me pa fare
Ia kanë qepë sytë, për faqe të zezë
Lidhun me zinxhire, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, ne lumë e terr ka mbetë
E thithën shushunjëzat, i ligu mizori
E thanë, e çnderuan, epshori e hori
A e dini shqiptarë, ç’greminë kemi ra
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytëm vëlla me vëlla
Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga shamata rri ndezë
O Zot, çka po heqim, çfarë na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë
Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu pa diell e hanë?
Jo jo, nuk durohen sarhoshët e marrë
Banditët e vendit t’i shporrim sa më parë
Selinë e përgjakun, ta bëjmë rrafsh me tokën
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
A jeton shqiponja e shembun përtokë
Thye krahë e pendë, lidhun kambë e kokë?
A jeton kjo zonjë në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?
Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denjë të quheni shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?
Shikoni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh kësaj fjale
Po kapen dorë për dore, po hyjnë në një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplotë që i shëron plagët e vjetra.
Shkruar më 1977 nga Havzi Nela /GazetaLetrare.com