Si vuajti 24-vite burg, gazetari ushtarak Bajram Hyseni

0 0
Read Time:11 Minute, 1 Second

Pas diskutimeve kur u erdhi rradha pyetjeve, u ngrita dhe unë e i thashë Enver Hoxhës: “A është e drejtë që të akuzohet familja e Murat Kaloshit për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha luftës në Dibër? Si shpjegohet që të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Mbretin Zog, e nuk është kthyer më kurrë?”

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 73-vjeçari Bajram Hyseni, ish-partizan, shkrimtar e gazetar i organeve të shtypit ushtarak me gradën e majorit, i cili rrëfen të gjithë tragjedinë e tij familjare se si së bashku me vëllanë e djalin e tij vuajtën 54-vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

14-vjeç, partizan në Luftën e Tiranës
Bajram Hyseni u lind më 29 janar 1929 në fshatin Laçej të komunës së Fushë-Çidhnës të rrethit të Dibrës. Origjina e hershme e familjes Kovaçi është nga fshati Sinë dhe mendohet se të parët e saj janë vendosur në fshatin Laçej që nga viti 1200. Nga burrat më në zë të trungut të asaj familje, ka qenë i njohur Ymer Kovaçi (ka lindur 1815-ën) të cilit turqit ia prenë kokën së bashku me Cen Dikën dhe ia çuan Sulltanit në Stamboll. Po kështu nga ajo familje turqit patën vrarë dhe Bajram Kovaçin, vëllanë e gjyshit të Bajram Hysenit. Duke qenë një nga familjet më të njohura të asaj zone, babanë e Bajramit, Hysenin, për 14-vjet me rradhë fshati e kishte zgjedhur si kryeplak. Në vitin 1941 Bajram Hyseni përfundoi shkollën fillore në Internatin “Kastrioti” në qytetin e Peshkopisë ku kishte si mësues shkrimtarin e njohur Qamil Guranjaku i cili vazhdimisht e mbante afër dhe kujdesej për Bajramin, nga që ai merrej me poezi. Lidhur me aktivitetin e tij gjatë Luftës, Bajrami kujton: “Me lëvizjen antifashiste mua më afroi mësuesi im Qamil Guranjaku dhe aty nga viti 1943 së bashku me Zenel Zhukën e Elmaz përgjegjën ne formuam organizatën e Rinisë Antifashiste të rrethit të Dibrës. Më pas u inkuadrova në Batalionin partizan Dibër-Martanesh që komandohej nga Qemal Beluli, me të cilin mora pjes në luftimet për çlirimin e Tiranës. Më 2 shkurtin e vitit 1945 u pranova si antar i Partisë Komuniste dhe u caktova si oficer në repartin e Ndërlidhjes ku kryeja detyrën e Përgjegjësit të Rinisë”, kujton 73 vjeçari Bajram Hyseni periudhën e viteve të luftës ku ai doli partizan në moshën 14-vjeçare.

Gazetar në Provokacionet e Gushtit 1949
Pasi punoi për disa kohë në repartin e ndërlidhjes, Bajram Hysenin e transferuan për në Divizionin e Korçës duke e caktuar si radist personal të Beqir Ballukut, Komandantit të atij Divizioni. Për këtë, Bajrami kujton: “Duke qenë se kisha një pasion të madh për të shkruar tregime dhe poezi, gjatë asaj kohe që shërbeja si radist i Beqir Ballukut i cili më donte jashtë mase, fillova të shkruaja shkrime të ndryshme të cilat i botoja në gazetën “Luftëtari”, ku kryeredaktor ishte ish-mësuesi im Qamil Guranjaku. Shkrimet e mia u pritën mirë dhe që nga ajo kohë unë u bëra korrespodent i rregullt i asaj gazete. Aty nga vera e vitit 1949 kur filluan Provokacionet e Gushtit në kufirin me Greqinë, unë u dërgova në frontin e luftës ku përveç shërbimit që bëja si radist, mbaja shënime në bllok për ata çka ndodhte aty. Ato shënime me anë të korrierit i dërgoja në Tiranë dhe ato botoheshin jo vetëm nga gazeta “Luftëtari”, por edhe nga “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” etj. Kështu unë u bëra gazetari i vetëm që përcolla në shtyp të gjitha ngjarjet e betejat që u zhvilluan ndërmjet forcave të ushtrisë sonë dhe atyre greke. Në vitin 1952 më transferuan në Tiranë dhe më caktuan në redaksinë e “Luftëtarit” ku punova deri në vitin 1956, kur ndodhën ngjarjet e Konferencës së Partisë së Tiranës, ku unë mora pjesë si gazetar”, kujton Bajrami fillimet e karrierës së tij si gazetar ushtarak.

I kërkon Enverit pafajsinë e Kaloshëve
Pasi mori pjesë si gazetar në Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956, Bajram Hyseni u dërgua përsëri për të ndjekur një mbledhje në Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha me Rita Markon. Lidhur me këtë: “Bajrami, dëshmon: “Ajo mbledhje organizohej nga udhëheqja e lartë e Partisë me qëllim që të sqaroheshin studentët e asaj shkolle lidhur me Konferencën e Tiranës. Kur u erdhi rradha e pyetjeve, u ngrita dhe unë e i thashë Envrit: “A është e drejtë të akuzohet familja e Murat Kaloshit, për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha Luftës në Dibër. Si është e mundur të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Zogun e nuk është kthyer më kurrë? Si shpjegohet që për shkak të luftës me forcat e Halil Alisë u dogjën katërqind shtëpi në Çidhën dhe u pushkatuan me gjyq e pa gjyq reth 100 persona dhe familjet e tyure edhe sot konsiderohen si armike?” Në ato momente kur unë akoma nuk e kisha mbaruar fjalën, Nasi Zogo, Komandanti i Gardës që ishte ngjitur me mua më tha me zë të ulët: “Mos se na more në qafë veten dhe mua. Që sot e tutje nuk jemi më shok bashkë”. Pas pyetjeve të mia, Enver Hoxha u përgjigj: “Për Kaloshët m’i kanë dhënë faktet gabim, prandaj të korigjohet. Përsa i përket shtëpive të djegura e të vrarëve në Çidhën do të pyes Haxhi Lleshin se sa është shifra e vërtetë, por sido që të jetë kemi urdhëruar që fshtatarëve të mos u regjistrohet armiqësi në biografinë e tyre”, kujton Bajram Hyseni lidhur me pyetjet që ai i bëri Enver Hoxhës.

Lirimi nga ushtria e arrestimi në 1962
Ato pyetje që Bajram Hyseni i bëri Enver Hoxhës në Shkollën e Lartë të Partisë në vitin 1956, ishin mbajtur shënim nga Rita Marko dhe që nga ajo kohë Bajrami u fut në rreth si kontigjent i mundshëm për armik dhe element antiparti. Pasi punoi disa kohë në Gjirokastër, Bajramin e transferuan përsëri për në Tiranë dhe i dhanë një apartament ngjitur me Bllokun e udhëheqjes. Në atë kohë ai filloi të botonte shumë artikuj, tregime dhe poezi në të gjithë organet e shtypit duke u bërë një emër mjaft i njohur. Në atë kohë Bajrami mbaroi edhe fakultetin Histori-Filologji e botoi dhe dy libra të titulluar “Flakët” e “Kodra e kuqe”. Por ajo karrierë e shkëlqyer që kishte nisur, nuk ishte thënë të vazhdonte gjatë, sepse në vitin 1962 kur ai nuk ishte më shumë se 33-vjeç, u nxuarr në lirim. Lidhur me këtë Bajrami dëshmon: “Aty nga viti 1962 u bë një mbledhje në Kovaleshencën e Ushtrisë në Durrës, të cilën e drejtonin Rita Marko me Kadri Hazbiun. Aty mora pjesë dhe unë si gazetar i “Luftëtarit”, e teksa isha afruar pranë presidiumit me aparat në dorë duke bërë fotografi, vura re se Rita Marko i tha Kadri Hazbiut: “Pse e mbani Bajram Hysenin akoma në shtyp, a nuk e dini se ky i ka bërë pyetje të rrezikshme shokut Enver?” Kadriu ndërkaq iu përgjigj: “Jo, Bajramin e kemi punëtor të mirë”. Aty kuptova se Rita Marko nuk i kishte harruar ato çka i kisha thënë unë Enver Hoxhës dhe hija e atyre pyetjeve të bëra për Kaloshët dhe të pushkatuarit e fshatit të Halil Alisë, dukej se nuk po më shqitej e më ndiqte nga pas si ogur i zi. Mbas dy vjetësh kur punoja si Sekretar Kolegjumi në revistën “Në shërbim të popullit”, natën e vitit të ri 1963, shefi i kuadrit i Ministrisë, Gjeneral Hasan Pulo, më njoftoi se kisha dalë në lirim pa më thënë asnjë lloj motivacioni. Pas kësaj më çuan si përgjegjës tek konviktet e Institutit të Arteve ku nuk punova më shumë se gjashtë muaj. Më 22 gusht të vitit 1964 ndërsa isha duke kaluar afër Korpusit Qëndror të Universitetit, tek këmbët më ndaloi një “Gaz” i Policisë dhe personat që ishin brenda më thanë se në emër të popullit isha i arrestuar. Pas 11 muaj hetuesie ku më akuzonin se kisha shkruar poezi kundër realizmit socialist, më dënuan me 5-vjet burg së bashku me dy poetët e njohur Jorgo Bllaci e Pano Taçi”, kujton Bajram Hyseni dënimin e tij të parë me dy poetët e njohur.

Dënimi i dytë me 25 vjet
Pasi u lirua nga burgu më 17 nëntor të vitit 1968, Bajram Hysenin e sistemuan në punë si përgjegjës të puntorëve të Parkut Kombëtar të Tiranës. Ndërsa nuk kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita e lirimit, më 10 qershor 1971 Bajrami u arrestua përsëri. Lidhur me arrestimin e dytë ai kujton: “Atë ditë më thirrën në Prokurorinë e Përgjithshme dhe sapo u futa aty mu hodhën përsipër disa veta e më vunë një batanie në kokë. Një ditë më parë unë sapo kisha mbaruar së shkruari romanin “Notarët e lumejve të nëndheshëm” dhe arrestimi im dukej se ishte i planifikuar që të bëhej sa të mbaroja atë libër. Pak kohë para meje Sigurimi kishte arrestuar dhe vëllanë tim Isufin, që kishte qenë kapiten i parë i aviacionit. Po kështu ishin dënuar edhe xhaxhai Osman Kovaçi, me djalin e xhaxhait tjetër, Mahmut Staf Kovaçin që vuajtën të dy 20 vjet burg politik.

Pas arrestimit Sigurimi më bastisi të gjithë shtëpinë duke më sekuestruar të gjithë bibliotekën mjaft të pasur që kisha. Ndërkaq ruan me tre fëmijët, mi internuan në fshatin Vrap të Malësisë së Tiranës. Gjatë hetuesisë më kërkonin të pranoja se nëpërmjet një nëndetëseje që kishte ardhur në Vaun e Dejës, unë kisha marrë udhëzime sekrete nga agjenturat e huaja, për t’ia dhënë Gjeneral Dali Ndreut. Unë i thashë hetuesit se ajo akuzë ishte krejt qesharake, pasi nëndetësja nuk futej dot nëpër Drin dhe se Dali Ndreu ishte pushkatuar që në 1957-ën. Ai më tha se ajo gjë nuk ishte fort problem, se datat rregulloheshin, por kryesorja ishte që të pranoja akuzat që më bëheshin, për të ndihmuar partinë. Ngaqë nuk i duroja dot torturat, më 10 korrik 1971 tentova të bëja vetëvrasje duke i rënë një hekuri me kokë, por njeriu qënka i fortë. Gjyqi im u bë në qytetin e Peshkopisë dhe zgjati pesë ditë me rradhë. Nga Tirana për mua sollën Mustafa Lleshin, që kishte qenë shef i UDB-së për Maqedoninë dhe e pyetën nëse më kishte parë mua në Maqedoni. Ai më mbrojti duke thënë se nuk më kishte parë kurrë atje. Ndoshta për qëndrimin e tij kishte ndikuar dhe Haxhi Lleshi (djali i xhaxhait) i cili nuk kishte dëshirë që fisi i tij të implikohej në dënimin tim. Edhe pse unë nuk pranova asnjë akuzë, u dënova me 25-vjet burg, ndërsa vëllai im Isufi u dënua me 18. Një oficer tjetër i “grupit” tonë, Hakik Kuta, u dënua me 20 vjet burg. Zanafilla e dënimit tonë ishte një person që kishte dhënë informata të rreme dhe që u dënua bashkë me ne”, kujton Bajrami dënimin e dytë me 25-vjet burg, i akuzuar për lidhje me agjenturat e huaja.

Dënimi i djalit me 20-vjet
Ndërsa Bajrami me gjithë të vëllanë Isufin, vuanin dënimin në burgjet e regjimit komunist, bashkëshortja e tij Ifete Krasniqi, me tre fëmijët Dashamirin, Arbenin e Teutën, punonin në punët më të rënda në koperativën bujqësore të fshatit Vrap të Tiranës, nën survejimin e vazhdueshëm të Sigurimit. Katër vjet pas dënimit të Bajramit, Sigurimi arrestoi edhe djalin e tij të madh Dashamirin. Lidhur me këtë, bashkëshortja e bajramit, Ifetja dëshmon: “Në vitin 1975 Sigurimi na arrestoi djalin e madh, Dashamirin, i cili ishte duke mësuar për pyetjet e provimeve, pasi në atë kohë ai punonte ditën dhe natën vazhdonte vitin e katërt të Liceut Artistik për pikturë. Gjatë hetuesisë atë e torturuan barbarisht dhe i kërkonin të pranonte se kishte dashur të hidhte në erë Komitetin Qëndror, në shenjë hakmarrje për dënimin e babait. Si fillim u tha se ai do dënohej me vdekje, por më pas vendimi i Gjykatës iu dha me 20 vjet burg. Ndërsa Dashi vuante dënimin në burgun e Spaçit, ai u ridënua edhe me 10 vjet të tjera, sepse i gjetën disa poezi dhe karikatura që i kishte bërë kundër Enver Hoxhës”, kujton bashkëshortja e Bajramit, Ifetja për dënimin e djalit të saj. Bajrami me vëllanë e tij Isufin dhe djalin Dashamirin, qëndruan në burgjet e Burrelit, Spaçit, Shën-Vasisë etj deri në prillin e vitit 1991 kur u liruan me kontigjentin e fundit të dënuarëve politikë. Kur Bajrami vuante ditët e fundit të dënimit në burgun e Shën-Vasisë, i shkuan për herë të parë fëmijët për ta takur. Djali i madh Dashamiri sapo ishte liruar nga burgu e Bajrami nuk i njohu. Ai iu kthye komandantit të burgut duke i thënë: “Këta nuk janë fëmijët e mi”. Në shenjë ndermi për të kaluarën e Bajram Hysenit, Komuna Çidhën e ka pagëzuar shkollën 8-vjeçare të fshatit me emrin e tij, edhe pasi ai është gjallë.

Dashnor Kaloçi
Shaqir SKARA

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %