Përgjaket rruga e Arbrit, gjendet një person i pajetë i mbuluar me dhè në trase
Një ngjarje tragjike është shënuar në kantierin e rrugës së Arbrit në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit.
Një 45 vjeçar i denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij prej 4 ditësh.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shkallë ku po punohet për hapjen e trasesë së rrugës së Arbrit drejt tunelit të Murrizes.
Mësohet se Agim Meta ka qenë në një nga dyqanet e fshatit dhe rreth orës 22 e 30 minuta të së martës është nisur për në banesë e cila ndodhej rreth 500 metra larg dyqanit të fshatit. Banorë të zonës thanë se ai mbante me vete edhe një bombul me gas të cilën do ta çonte në banesë. Familjarët kanë nisur kërkimet që atë mbrëmje por pa arritur ta gjejnë.
Vetëm pas denoncimit në polici ka nisur kërkimi në kantierin e punimeve të rrugës. Mësohet se firma punonte me 3 turne dhe dyshohet që mjetet e firmës e kanë shtypur pa e parë dhe e kanë mbuluar me dhè. Pas kërkimeve të ditës së djeshme dhe të sotme, mësohet se është gjetur trupi i pajetë i 45 vjeçarit Agim Meta. Prokuroria e Matit dhe grupi hetimor janë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.