Javën e kaluar, Këshilli Bashkiak Bulqizë, dhe Bashkia Bulqizë i dhanë Titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes, z. Aqif Karaj.
Titullin e nderit e dorëzoi Kryetari i Bashkisë Bulqizë z. Melaim Damzi me Motivacionin “Për rezultate të spikatura në fushën ushtarake, dhe promovimin e vlerave të zonës së Bulqizës”
Në takim ishin të pranisëm familjarë dhe dashamirës të z. Karaj.
Fatos Daci: Aqif Karaj, jetoi si burrat dhe la pas vlera për vendlindjen dhe Bulqizën e tij
Më vjen keq që Aqif Karajn e njoha në 10-vjetëshin e fundit të jetës së tij, të cilën ai diti ta jetonte në tërë kuptimin e saj, në gjithë dimensionin e vet, për të mirën e vendlindjes, të fisit dhe të familjes së tij.
Megjithatë, ky 10-vjeçar ia vlejti. Nuk qe fare pak. U bëmë miq të mirë. Nuk shkonte dy-tri ditë pa e ftuar njëri-tjetrin për kafe. Bashke ndanim mendime e ide për historinë e Dibrës dhe të Bulqizës, bashkë ndanim dhe opinione nga zhvillimet politike në vend, pse jo dhe nga jeta jonë, familjare e personale.
Ndjeva vërtetë keqardhje, kur mësova lajmin për ndarjen e tij nga jeta, për t’i shkuar Zotit më pranë. Më vjen shumë mirë, që Këshilli i Bashkisë së Bulqizës, ka bërë gjënë e duhur me vlerësimin e Aqif Karajt me titullin “Qytetar Nderi”.
E vërteta është, se Aqifi, në mendjen time mbetet një njeri i sinqertë, i formuar intelektualisht, i drejtpërdrejt, i qartë, i dashur, komunikues, i respektuar dhe një prind shembullor e familjar shumë i mirë.
Miqësinë tonë e konkretizuam dhe me bashkëpunimin e sinqertë për botimin e dy librave të Aqifit, të cilët titullohen ”Bulqiza, teqe e lapidarë” (botuar në vitin 2007) dhe “Bulqiza, në udhën e historisë”, botuar në vitin 2009.
Librin e parë e fillon me një rezyme të Bulqizës, trajtuar në aspektin dje dhe sot, liston të gjithë kuadrot dhe intelektualët e Dibrës, Bulqizën në luftërat 1912-1939, Revolucion e Qershorit 1924, Qeverinë e Zogut, pushtimin italian të vendit dhe të Bulqizës, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, disa nga udhëheqësit e Luftës në Bulqizë, Dibër e më tej, Dalip Karajn si luftëtar e prijës popullor, Mehmet Karajn, Shahin Karajn, Aishe Karajn, Halilin, Medinin, Arifin, motrat, Jetën dhe familjen e vet, fëmijët-djem e vajza, dëshmorin Imer Alliu, teqenë e Madhe të Baba Rrahmanit, teqenë e Dullenjës, Fejzë Cangën, teqenë e Sheh Saliut në Dragu, teqenë e nënë Zelies në Allmete-Vajkal, teqenë e Dervish Caushit në Vajkal, teqenë e shehlerëve të Zerqanit, teqenë e Martaneshit etj.
Librin e dytë e nis, përsëri, me një rezyme për Bulqizën në udhën e historisë dhe vazhdon me betejat e Skënderbeut në zonën e Bulqizës, jetën e Baba Fejzë Bulqizës, me Dalip Karajn, Krajan e Bulqizës, Mehmet Duriçin, Bulqizën gjatë pushtimit nazifashist, Bulqizën para çlirimit të vendit dhe pastaj trajton të gjithë drejtuesit vendor të Bulqizës.
Të dy këto libra të Aqifit i lidhën organikisht dashuria e tij për vendlindjen, Bulqizën dhe Dibrën, respekti dhe mirënjohja e pakufishme për historinë e tyre të lavdishme, përulja me veneracion për figurat historike dhe prijësit e luftëtarët e shquar popullor të Dibrës dhe Bulqizës, respekti dhe krenaria për fisin Karaj, për figurat qendrore të këtij fisi, për familjen e tij, nënën, për vëllezërit, motrat, bashkëshorten, djalin dhe vajzat.
Aqifi kishte bashkëpunuar me disa nga gazetat e kohës dhe veçanërisht qe mik i mirë i gazetës sonë “Dibra”, ku ai ka botuar disa artikull problemor, investigativ, ka shprehur opinione dhe ka ndarë me mendime.
Aqif Karaj, ishte krenar jo vetëm për Bulqizën e Dibrën, por edhe për fshatin e tij-Koçaj dhe fisin e vet –Karajn.
Bajram Karaj qe Qefali i turqve, burrë me autoritet e me post të lartë krahinor. I biri i tij, Dalip Karaj, ishte si ai, burrë burrash e i pari i Malit të Bulqizës. Ishte meritë e Dalipit që Bulqiza u bë Mali i Nëntë i Dibrës, njësi administrative vetëqeverisëse.
Sipas materialeve të shkruara të Aqifit, burra të mençur e punëtorë kanë qenë e janë në fisin Karaj, edhe Riza Karaj, Shahin Karaj, Selman Karaj, Ahmet Karaj, Haki Karaj, Ismail Karaj, Myrteza e Imer Karaj, Mexhit e Maliq Karaj, të cilët kanë lënë trashëgimtarët e tyre, si Mersim Karaj, Rakip Karaj, Qazim e Esat Karaj, Aqif e Halil Karaj, Naim e Asllan Karaj, Islam Karaj, Ahmet Karaj i ri, Isuf Karaj e shumë të tjerë.
Aqif Karaj kishte fatin të ishte i biri i një burri të shquar dhe të njohur të Karajve, i Mehmet Karajt, të cilit shkurt i thërrisnin Teta. Teta, një burrë i zgjuar, së bashku me vëllain e tij, Shahinin dhe disa bashkëvendës të tjerë, shkuan në Stamboll, ku punuan gjatë e bënë pasuri. Atje, në kurbet, ata patën fatin e mirë të njiheshin dhe me atdhetarë e patriotë të mëdhenj, si Fan Noli etj. nga të cilët morën edhe më atdhedashuri e dije. Kur u kthye, Teta bleu toka, livadhe e pyje, bleu orendi shtëpiake, u martua e u gëzua. Ai, tashmë, dallohej nga të tjerët, jo vetëm për pasurinë e mënyrën e jetesës, por edhe për kulturën që kishte marrë. Në kurbet ai mësoi disa gjuhë të huaja dhe u bë një arsimdashës i madh.
Prandaj, ai kishte dëshirë të madhe që fëmijët e tij të shkolloheshin. Dhe, pasardhësit e tij, ia shkuan dëshirën në vend, u shkolluan të gjithë. Pra, Aqifi mori edukatë e formim bashkëkohor edhe nga i ati, Mehmeti.
Të gjithë këta burra janë krenaria e frymëzimi i autorit dhe i të gjithë Bulqizës.
Heroizmi bulqizak është krenaria dhe obligimi i autorit. Ja përse ky libër ka vlera të mëdha. Në këto libra parakalon e gjithë historia e vjetër dhe e re e kësaj krahine luftarake.
Në librat e tij, autori, Aqif Karaj, paraqitën vlerat e larta patriotike e atdhetare të popullsisë së kësaj krahine. Në këtë libër përgjithësohet veprimtaria atdhetare e patriotike e bulqizakëve, të cilët luftuan si luanë nën udhëheqjen e Dalip Karaj e Baba Fejzës, të Mehmet Duriçit e sheh Mustafës, të Lym Zenelit e të Mexhit Shehut etj.
Në librat e tij paraqiten personazhet e rëndësishme shtetërorë e partiakë të vendit që janë nga kjo krahinë. Ata qenë shembulli më i përsosur i njerëzve me dije e kulturë, që bënë gjithçka mundën për të mirën e këtij vendi, të Dibrës e të Bulqizës. Nuk ka fushë të jetës, nuk ka sektor të shkencës dhe të kulturës që të mos jenë shquar bulqizakët e urtë, besnik e punëtorë. Emrat e tyre autori, me shumë dëshirë, pse jo dhe me krenari, i ka rreshtuar të gjithë në faqet e librit të tij.
Por, ai i përshkruan ngjarjet edhe si ushtarak karriere që ka qenë për shumë vite, deri sa e nxorën në lirim, si pasojë e reformave në ushtri, pas vitit 1990. Si ushtarak, Aqifi apelon, se atdheu është mbi të gjitha, se me fatet e atdheut nuk mund të luaj askush, se me çdo gjë mund të luhet, por me atdheun dhe vendlindje, jo; se çdo gjë mund të falet e të këmbehet, vetëm atdheu e vendlindja jo. Pikërisht për këto arsye Aqif Karaj, në librat e tij është përqendruar vetëm në anën atdhetare e patriotike të këtyre krahinave dhe të këtyre njerëzve patriotë e trima, që me atdheun ata nuk vënë askënd. Gjithashtu, në librat e tij, autori përcjell edhe mesazhin se jeta është luftë, që duhet përballuar me dinjitet, ashtu si e kanë përballuar jetën edhe paraardhësit e tij, bulqizakët e dibranët e nderuar.
Autori e di, se nuk vdes emri i atij që lufton e jep jetën për atdhe. Prandaj i përshkruan me aq ndjenjë ngjarjet historike e personazhet kryesorë që udhëhoqën si prijës popullorë luftën shumëshekullore dhe të pa barabartë me pushtuesit e shumtë që u dyndën në krahinat e tyre.
“Familja është pema ku ne jemi rritur.-shkruan autori.-Familja, në të gjithë kohërat, na ndihmon të bëhemi të duhur dhe të ndërgjegjshëm për jetën. Familja, është zanafilla jonë, është pasaporta jonë”. Dhe, të drejtë ka. Si të jetë formimi i familjes, qoftë atdhetar e patriotik, qoftë arsimor e kulturor, ashtu, në përgjithësi, do të jetë dhe formimi e pozicionimi i pasardhësve të vet.
Dallues është fakti, që autori, për ngjarjet e personazhet që na paraqet, nuk i ka kapërcyer kufijtë e Bulqizës si nënprefekturë. Ai, ndryshe me disa autorë që nuk di ç’të thonë e hallakaten sa në fshatin tyre, sa në të gjithë Dibrën, pa kurrfarë lidhje logjike e historike, që hiqen sikur thonë shumë gjë e nuk arrijnë të thonë asgjë, që duan të tregohen eruditë e dalin banditë, duke kopjuar germë pas germe studime e libra të të tjerëve. Edhe kur i është referuar dikujt ka bërë shënimin e duhur dhe këtë gjë e ka bërë në lidhje organike me ato që ai thotë e shkruan. Kjo është për t’u falënderuar.
Duke pasur parasysh sa më sipër, jam i bindur se Aqif Karaj asnjëherë nuk e ka vrarë kohën, nuk e ka çuar dëm. Vërtetë për të koha ishte flori, një flori që duhej shfrytëzuar në dobi të vendit të vet dhe të njerëzve të tij.
Edhe një herë, ndjehem shumë mirë që e njoha të ndjerin Aqif Karaj dhe që isha mik i tij.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Familja e tij rroftë dhe e kujtoftë!
FATOS DACI
Anëtar i Përhershëm i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, me seli në Nju Jork, SHBA
Historian e botues
Tiranë, 29.5.2019