Dibra, hambari i produkteve bio

0 0
Read Time:2 Minute, 33 Second

Rajoni i Dibrës shtrihet në rajonin verilindor të Shqipërisë, në një terren të thyer përgjithësisht malor, por i kombinuar në të ashtuquajturën zonë e ulët që fillon nga lumi Drin i zi dhe sa vjen e lartësohet në pllaja. Kodra dhe male të thepisura deri në kufi me Republikën e Maqedonisë. Vargmalet e Korabit, malit më të lartë në Shqipëri, kanë një bukuri të rrallë. Ato mbajnë mbi supe kreshta malesh të përbëra nga guri gëlqeror dhe formacione gipsi, të veshura me bimësi barishtore të kullotave alpine të llojeve të shumta e që formojnë një tapet të gjelbër në periudhën pranverë-verë. Lulet e shumta shumëngjyrëshe, burimet ujore të karaktereve ujëvara, liqene natyrale, drurët pyjorë të llojeve fletore dhe halore të cilat vetullojnë këto zona alpine, shfaqin një pamje të shkëlqyer peizazhi për banorët vendas dhe vizitorët. Shumë zona të tilla si Kalaja e Dodës me Korabin madhështor e livadhet alpine, zona e Gramës me kullotat alpine, liqenet natyrale të tipit karstik, liqeni artificial në qendër të Gramës, i shoqëruar me drurët pyjorë të bredhit e pishës, janë me të vërtetë perla të rajonit të Dibrës.
Qyteti i Peshkopisë ka pamje magjepëse përreth dhe është i pasur me bukuri natyrore të pafundme. Ashtu si dhe vetë banorët shprehen, kemi çdo gjë përveç detit, ata janë të rrethuar me male, pyje, lumenj, etj, dhe si të mos mjaftonte ka dhe banja termale, ku vijnë me mijëra pushues nga e gjithë bota për tu kuruar për sëmundje të ndryshme të lëkurës, reomatizëm, etj. Kjo zonë e pasur me bukuri natyrore gjithashtu prodhon shumë prodhime të freskëta. Po ku mund të blesh dhe shijosh produkte lokale dhe organike si fruta dhe perime, mish, kërpurdha, kamomili dhe bimë të tjera medicinale, vezë dhe produkte të tjera të tilla në çdo ditë të javës? Ku mund të blesh produkte të bëra nga amvisat Dibrane dhe fermerët e zonës si: glikoja dhe reçeli me shije të ndryshme, kompostot, likerat, rakinë, verë, mjalti, etj? Imagjinoni të ndaleni në një bar ku përveçse mund të shijoni pjesën më të madhe të produkteve të lartpërmendura, mund edhe të blini prej tyre. Imagjinoni një stendë ftuese ku shumica e ushqimeve furnizohet nga fermerët dhe amvisat e zonës përreth. Imagjinoni se të blerit e produkteve të përditshme bazike i jep vlerë parasë tuaj dhe mbështet zhvillimin ekonomik lokal. Gjithashtu do të mund të gjeni shumë produkte të tjera autentike për të cilat është e famshme zona e Peshkopisë, si: fli në saç, jufka, mish në hedh, raki dhe verë, mjaltë, turshi, kamomil dhe erëza të tjera të mbledhura në zonat përreth, etj. Pamja e vërtetë e këtij dyqani është se nuk është vetëm dyqan ku mund të blesh, por një vend i ngrohtë dhe komod ku do të doje të kaloje kohë, të shijoje produktet e zonës dhe pse jo të merrje diçka me vehte. Prandaj dhe ingredienti kryesor i këtij vizioni është një bar-ekspozitor, ku kalimtarët mund të ndalen thjeshtë për të pirë një kafe, për të shijuar produktet e zonës apo për të blerë.

Nga: Denis Shahini

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %