Edhe pse me një dekret për të shtyrë datën e zgjedhjeve dhe faktit që Shqipëria është nën zhurmën më të madhe politike, në Dibër, PS-ja ka shpallur kandidatin e saj për Kryetar Bashkie dhe fushata ka nis.
Kandidat është i riu nga Sllova, ish drejtor i tatimeve në Dibër, Dionis Imeraj. Kështu kandidati për PS- në Dibër e nisi fushatën që nga Sllova, pra vendlindja e tij.
Tashti kur përmendet Sllova dhe politika në mendje të vjen ai vend i vogël, ai fshat me pak shtëpi që është Vlesha.
Ky vend për dekada me rradhë pati dy djemtë e saj në politikë: Sadri Abazin nga PS-ja, deputet, biznesmen shumë i sukseshëm dhe Sherefedin Shehun, ish kryetar Komisionit të Ekonomisë, ish deputet dhe ish kandidat i PD-së, në zgjedhjet e parakohshme vendore pas skandalit të ish Kryetarit Xhelili.
Që i vogël fare, si nip Vleshe, dhe njëkohësht Sllove, më është dashur ta vizitioj shpesh atë vend, me aq bukuri dhe dashamirësi për të tjerët, me aq njerëzillëk që i karakterizon çdo të madh e të vogël. Ajo çfarë vazhdon të më bëjë përshtypje është fakti se si nuk ka ndryshuar asgjë në atë vend përveç asaj rruge për në Kukës që në 2011 e cila e pret përmes Sllovën dhe Vleshën.
Më dhimbsen Sllovasit, ose më sakt më dhimbset familja ime. Kur nuk bënë kurrfarë gjëje dy deputetë të një fshati, mua gjithnje e më shumë më humbet shpresa që politika do verë dorë mbi vendet tona.
Nuk dua të shtie në fall, as të nënvlerësoj figurat që kandidojnë, sepse pa e provuar nuk mund të flasim. Por me provat që kemi mund të themi fare pa droje që:
As Manja, as Shehu, as Cami, as Abazi, nuk e thanë kurrë një fjalë për vendin e tyre në atë foltore parlamenti.
Sigurisht që situata politike po nxehet. Në zgjedhjet e 2017, kur isha për të votuar në fshatin tim u zunë fqinjët nga i njëjti fis, për çështje votash. Nuk e dimë si do të shkojë situate por unë uroj që dibranët të vënë në vend të parë vëllallikun, dhe pastaj partillikun.
Edhe nëse zgjedhjet nuk bëhen në qershor, në shtator apo më tej do bëhen me doemos.
Do doja fort që banorët e Sllovës dhe të Dohoshishtit të votojnë me mend, sepse më shumë se kushdo ata mund të jenë të zhgënjyer nga politikat e bijëve të tyre.
Së fundmi uroj që kërkesat të jenë për rrugë, për ujë të pijshëm, për mbeturinat që mos t’i hedhim në përrua, për kanale vaditës mos na rrifen njerëzit në sfrate, për emregjencat se vjen dimri dhe “t’i frojmë në b****”, për ngrohjet në shkolla, për rritjen e aktivitetve për kulturën, për mirëmbajtjen e qytetit, për qentë që kanë zaptuar bulevardin, për pyjet, fushat, tokat, fermat, arat, pemët. Nuk uroj dhe as dua ta besoj që do kërkoni çmim (hesap) për votën.
Kushdo që të jetë, le të jetë sado pak për atë popull që vuajti në çdo sistem politik.
Nga Alban Tufa