Mbi kolapsin Kushtetues-Politik në vend

0 0
Read Time:2 Minute, 43 Second

Presidenti i Republikës Ilir Meta duke shfuqizuar dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, vendosi të zbatojë parimet e të tretit fitimtar apo të luaj me Kushtetuten se s’ka zot për ta interpretuar?!

Së pari- Dekreti nr.10928, dt.05.11.2018 “Për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019” rezulton dekret i nxjerrë jashtë afateve ligjore. Dispozitat e Kodit Zgjedhor, konkretisht neni 9 pika 1, 2 dhe neni 10 pika 1, përcaktojnë se:

Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të të zgjedhurve vendorë. Nga data 30 qershor 2019 duke ecur mbrapa në kohë, për 270 ditë (9 muaj) arrijmë në datën 30 shtator 2018. Dekreti për caktimin e datës së zgjedhjeve duhet të mbante datën para 30 shtator-it 2018, për të qenë një dekret i vlefshëm dhe ligjor. Dekreti rezulton i dëmtuar, që në momentin e ngjizjes (5 nëntor 2018), më shumë se një muaj jashtë afatit ligjor.

Së dyti – Shfuqizimi i dekretit nga ana e Presidentit rezulton anktikushtetues për shkak se Presidenti ka të drejtë vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve, dhe nuk ka dispozitë ligjore apo kushtetuese qe t’i japë të drejte Presidentit, të shtyjë datën e zgjedhjeve, por edhe në këtë rast si në çdo situatë ekziston një “por”. Neni 170 pika 6 e Kushtetutës përcakton se:

Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.

Pyetja lind a jemi në gjendje masash të jashtëzakonshme? Me situatën e krijuar personalisht mendoj se po shkojmë drejt zbatimit të masave të jashtëzakonshme, por masat e jashtëzakonshme rregullohen me Kushtetutë në nenin 170 pika 1, e cila përcakton se:

Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.

Për aq kohë sa nuk është vendosur se vendi ndodhet nën gjendjen e masave të jashtëzakonshme, zgjedhjet mund të zhvillohen.

Rrjedhimisht dekreti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve është një akt absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mund të sjellë asnjë pasojë juridike. Precedentët për shtyrjen e zgjedhjeve, nuk mund të shërbejnë si autorizim ligjor apo kushtetues për Presidentin për të “zhdekretuar” dekretin për caktimin e zgjedhjeve. Kompetencat e Presidentit janë të përcaktuara në mënyrë taksative në Kushtetutë dhe ai nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera jo të parashikuara në të apo në ligje të dala në bazë dhe për zbatim të saj.

Së treti –Kuvendi mund ta shkarkojë Presidentin me një akt pa vulë. A ka fuqi? Mbetet akt jetim, për faktin se kuvendi me 2/3 mund ta shkarkojë Presidentin dhe vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Në gjëndjen që jemi sot, vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit mbetet në “LAN˔, sepse më tutje dera është e mbyllur. Neni 90 i Kushtetutës rregullon procedurën e shkarkimit të Presidentit.

NË MËMËN SHQIPËRI, KRYEMINISTRI NXJERR AKTE EKSTRA LIGJORE, PRESIDENTI NXJERR AKTE EKSTRA KUSHTETUESE, TË NA RROJË KY BREZ EKSTRA POLITIK!

Nga Juristi – Jonel Baçi

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %