Alban Tufa: letër për fshirjen e letrave

0 0
Read Time:3 Minute, 33 Second

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama!

Po Ju shkruaj privatisht dhe po Ju bëj me dije se kjo letër mund të bëhet edhe publike, anipse e di fort mirë që kjo nuk mund ta shqetësojë një Kryeministër.

Duke Ju kërkuar ndjesë dhe duke qenë i vetëdijshëm që Ju jeni plot i zënë me çështje të tjera shumë më të rëndësishme – ta zëmë, çështja e zgjedhjeve – dhe nuk do keni ngenë ta lexoni letrën time. Megjithatë, duke qenë se e gjithë Shqipëria ka lexuar një sagë letrash që Ju ia dërguat z. Basha, kam shpresë që do ta lexoni këtë që unë po shkruaj, kështu që po nis të shpjegoj të përmbledhur tre shqetësimet e mia.

Jemi takuar më parë dhe kemi diskutuar për librin: ky do jetë shqetësimi im më i madh herëdokur, prandaj edhe sot po për librin po Ju shkruaj.

Kam një nip në klasë të parë dhe tashmë normalisht po përfundon viti shkollor, ku sipas udhëzimeve nga qeveria Juaj, duhet të dorzëhen librat të cilët fëmijët i përfituan me programin falas.

Meqë unë merrem herë pas here me të, iu afrova edhe sot teksa ai diç jepte e merrte të fshinte me gomë, por për dreq goma nuk ia dilte dot siç duhet. U çua, iku dhe bleu dy lloje të tjera gomash dhe as ato nuk i bënë punë siç duhej. E mora përsipër unë me tërë angazhimin tim serioz, por për dreq z. Kryeministër, nuk fshinin ato thì gomash; linin pas vijat e gërmave që im nip me gjith forcë e sekëlldi i kishte shtypur përgjatë gjithë vitit.

Ndjesë nëse mund të ketë ndofarë ngjyrese, por po mundohem ta shpjegoj ashtu siç ndodhi, kronologjikishit, dhe/ose veç logjikisht.

Tashti z. KM, kemi rënë në hall të madh: as nuk fshihen siç duhet, as për të paguar nuk e bëmjë dot sepse nuk na lejojnë. Mund të merrnim edhe argatë z. KM, por nuk e di nëse na bëjnë punë, sepse argati e bën punën shkel e shko, dhe librat nuk na pranohen. Kemi bet z. KM siç thotë një shprehje dibrane: “Si Hani mes dy Drinave”. Kështu është ngjarja z.Kryeministër, por mua më shqetëson diçka tjetër.

Shqetësimi i parë është se im nip që gjendet në klasë të parë, dhe sigurisht, nëse librat na pranohet ashtu të gjysmëfshira, dhe me fat do të kalojë në klasë të dytë, ai do të marrë po libra ashtu të gjysmëfshira. Kështu, im nip dhe nipërit e të gjithëve do na shndërrohen në vegla mekanike (ripërsëritës të punëve të të tjerëve, dhe/ose gabimeve) të cilët veç do përshkojnë me laps ato vija anipse të vagullta, është “ndihmëse” e fortë: besoj që e kuptoni minimuni në kontesktin e vizatimit.

Shqetësimi i dytë është që edhe pse e kuptoj logjikën pozitive të qeverisë për të ndihmuar shtresat në nevojë (të cilat le të “plasin” aty duke fshirë me goma; gomina; lecka dhe furçe, sepse nuk kanë ç’të bëjnë tjetër), ç’kusur kanë familjet të cilat nuk kanë nevojë, kur fare thjeshtë mund të paguanin për ata libra?!

Shqetësimi i tretë është i tillë: si mundet një fëmijë në klasë të parë të mbajë për tre vjet rresht një libër të përdorur ku mbi 50% e librit është i (dhe për t’u) plotësuar?! 
Unë me zor e mbaj mend veten time në klasë të parë, jo se kam qenë ndonjë i pa edukatë, por kam qenë komplet i pavetëdijshëm në veprime. Vetëdija, kam bindjen se vjen në një moshë më të madhe. Aso kohe edhe mund t’i grisnim librat, ose t’i humbnim. Kjo mund t’i ndodhë çdo fëmije në moshën 6-7 vjeçare. Kur të humbet libri si mund ta paguash kur nuk të lejojnë ta paguash?!

Së fundmi z. KM, sigurisht që këtë strategji nuk e keni ndërtuar dhe kuruar Ju në çdo detaj, por sigurisht ju keni përgjegjësinë bashkë me ekipet tuaja qeverisëse për gjithë çfarë është në varësinë tuaj në rend zbritës. Kjo strategji që qeveria ndjek i kursen buxhetit miliona lekë, ama kush ka mundësi t’i paguajë, pse të mos e bëjë: kjo i shton buxhetit besoj.

Shpresoj që ky problem të rishihet, sepse në këndvështrimin tim i mungon sensi logjik.

Duke Ju kërkuar ndjesë për shqetësimi ju uroj mbrëmje të këndshme!

Alban Tufa

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %