Nga:Enkeleda Bodini
Sa herë përmend fjalën Dibër, në mendje të vijnë veç fjalë të mira. Dibra njihet për zgjuarsi dhe mençuri, ndërsa për bukuritë e natyrës nuk është se përmendet shpesh. Por, duhet të bëjmë të ditur që Dibrës nuk i kanë të sosur peizazhet natyrore.
Kur do shkruaja këtë shkrim e kisha të qartë në mendje se çfarë dhe për kë do shkruaja, sepse mendoja se e dija ç’ishte e bukur në vendin tim. Në fakt, unë nuk kisha ditur edhe aq shumë, dhe kjo ishte një provë e madhe se Dibrën duhet ta eksplorosh shumë pak, dhe zbulon gjërat vërtet mahnitëse.
Në një zonë rreth lumit Drin, ndodhej një restorant me pamje nga lumi. Pamja ishte magjepsëse, mes pyjeve ku depërtonte drita e diellit, ashtu me zor ti shikoje lumin i cili rridhte kristal në atë pasdite të freskët. Zbritëm shkallët për ta parë nga afër pamjen që ofronte lumi.
vizituam bregun e lumit Drin u ngjitem lart, menjëherë disa ngjyra të verdhë dhe blu të ngacmonin syrin, nga ana tjetër e restorantit.
Sigurisht, kureshtjen do e shuaja, u ngjita në kodër dhe ç’të shihje. Ishin vendosur në radhë dhe në mënyrë të kombinuar, kosheret e bletëve. Ishte një Park Bletësh, dhe botë e tërë gumëzhinte në to.
Teksa iu bëja foto dhe i shikoja, pronari i bletëve na thirri të shikonim Parkun e Bletëve poshtë. Aty, më dukej sikur u futëm në një botë tjetër, dhe gjithçka që dëgjoja ishin fjalët bletë, mjaltë, mbretëreshë, dyllë, propolis, polen etj. Ishte një shkëputje nga realiteti, për t’u futur në botën e bletarisë.
Parku nuk dukej i madh, por aty ndodheshin rreth 400 koshere bletësh ta kombinuara me njëra tjetrën në një harmoni të përkryer. Ngjitur ndodhej edhe dhoma e përpunimit të produkteve të bletës.
LEXO DHE :
https://dibraon.com/pagesat-per-mollet-e-pashitura-dhe-mjerimi-ne-diber/
Rastësitë janë vërtet të bukura, dhe ne rastisëm pikërisht në sezonin ku bëhej vjelja e qumështit të bletës dhe fekondimi i bletëve mbretëresha. Mbretëreshat, pronarët e parkut të bletëve i quanin ‘mama’.
Qumështi i bletës është shumë kurativ dhe i kërkuar në treg. Vjelja e tij ishte një proces i ndërlikuar dhe duhej treguar kujdes maksimal.
Bletaria është një profesion shumë i vështirë për t’u ushtruar, por Pajtimi me bashkëshorten e tij dinë si t’ja dalin. Gjithë shërbimi ndaj bletëve ishte bio, si kujdesi ashtu edhe ushqyerja e tyre.
Ne u larguam nga aty dhe në dalje të restorantit ndodhej ngushtimi më i madh i lumit Drin, që është e quajtur Ura e Topojanit. Lumi Drin i shkon në mes Dibrës duke e ndarë në dy qytete, Peshkopia dhe Bulqiza.
Në Dibër ka plot për të parë,duke filluar nga lumi, bota e gjallë bimore dhe shtazore e shumë gjëra të tjera. Pra, mjafton ta vizitosh dhe do gjesh gjithçka që natyra ofron./dritare.net