n
Me një talent të madh, me zërin e tij brilant dhe interpretim të shkëlqyer ka ngritur peshë zemrat e mijëra adhuruesve në koncertet e tij brenda dhe jashtë vendit, duke u cilësuar si bilbili i këngës dibrane dhe duke u vlerësuar me mjaft çmime të ndryshme, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Një vlerësim i është dhënë edhe për interpretimin e tyre mjeshtëror dhe çmimin “Mirënjohja për këngën dibrane” nga Festivali “Oda Dibrane”.Tek ai spikat figura e një këngëtari të kultivuar, i cili rreshtohet krahas këngëtarëve më me zë në fushën e muzikës, por veçanërisht të interpretimit të këngës popullore ose të përpunuar epike.
Tradita dhe kultura shqiptare për të janë shumë të rëndësishme. Është një thesar shumë i çmuar që duhet t’i ruajmë dhe t’i mbajmë këto vlera. Me këngët e tij, ai ka kaluar kufijtë e Dibrës, Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë duke dokumentuar një pjesë të rëndësishme të traditës dhe kulturës tonë. Në repertorin e tij ka dhjetëra këngë dhe videoklipe, albume të realizuara kryesisht me motive lirike dhe epike. Ai i këndon me plot emocion dhe krenari Dibrës së tij kreshnike, legjendat, baladat e mitet, meloditë e këngët nga folklori i zonës së Dibrës. Kulmin e vet artisti dibran e ka shënuar me “Fluturo shqipe mbi Korab” dhe “Dibra e Kosova’.Pas suksesit të fundit me klipin “Gjeta Dibër n’Amerikë” dedikuar bashkatdhetarëve dibranë në Amerikë, Dritan Jashari sjell edhe një projekt të radhës, këtë herë një këngë të bukur tradicionale shqiptare e shoqëruar me klip, i cili është publikuar pak ditë më parë në kanalin më të madh muzikor shqiptar në YouTube Arkiva Shqip. “Kësaj i thonë dasëm shqiptare”, kjo këngë është pritur mjaft mirë nga publiku tek e shohim te klikimet që shtohen dita ditës. Në traditën e dasmave shqiptare këngët dhe vallet e të gjitha krahinave janë pjesë e festave dhe ceremonive tradicionale ku hareja dhe gëzimi i dasmorëve kthehen në kryefjalën e dasmës.
Kjo këngë me motive dasme është punuar me mjeshtëri nga kompozitori Edmond Zhulali. Poeti Ramazan Çeka ka thurur vargjet si dhe realizimi profesional i videoklipit nga produksioni DArtChannel.
Klipi sjell bukurinë, traditën e dasmës shqiptare. Xhirimet janë realizuar në një resort të bukur, përfshirë muzikantët virtuoz për shoqërimin me instrumentet e sharkisë dhe çiftelisë etj. Si dhe grupi i ansamblit të valleve popullore që krijojnë pamje vërtet festive dhe të hareshme.