Nga Artjola Cani
Kur largohesh nga zhurma e Tiranës për disa ditë pushime drejt vendlindjes tënde, thua o sa mirë shpëtova nga kjo rutinë mbytëse.
Vendosa në fillim të Prillit, të bëja ca ditë pushime në shtëpinë time në Dibër. Furgoni ecte, ndalonte në semafor, herë respektonte e herë jo vijat e bardha, e kur kaloi Kamzën, mu duk sikur pas një kohe të gjatë mora frymë lirisht në rrugën ku s’kishte më trafik.
Megjithatë nuk zgjati shumë autostrada e shkurtër mes dhjetëra kilometrash rrugë të shkatërruara që kisha përpara. Sapo kaluam Milotin, shijova edhe pamjen qetësuese të Ulzës, dhe kaq ishte dëshira për të bërë këtë rrugë.
Kur koka përplasej s’di as vet sa herë tek xhami i furgonit, apo trupi më lëkundej majtas e djathtas duke më trullosur, thoja me vete se sado keq të jenë urbanët e trafiku në Tiranë, ke dhe mundësinë të ecësh fare mirë në këmbë, po jo në këto rrugë ku nuk merr dot veten 3 ditë më pas.
Ju do thoni po mos u anko kot se ja dhe pak e i presin shiritin “Rrugës së Arbërit”, por pavarësisht se po punohet, çdo student dibran, prind apo kushdo tjetër që shkon në Dibër do duhet të ec në këto rrugë deri në vitin 2021, që s’është vënë dorë që prej zgjedhjeve të fundit, mos dhe më parë.
Në një shkrim për fshatin tim, Gjoricën, i cili u botua para disa ditësh edhe tek DIBRAON.COM pashë që shumë njerëz e pëlqyen dhe shprehnin dëshirën e madhe për këtë vend ku vite më parë njerëzit jetonin vetëm me punën e krahut.
Por sot jo më!
Dikush mund të jetë në shkollë ose në punë, apo arrin ti bëjë të dyja në qytetin ku vazhdon Universitetin. Dikush tjetër është në emigrim dhe kush do tjetër që e lexoi atë shkrim, por që nuk jeton sot në fshat, e merr malli sikur kushedi ç’ka humbur.
Jooo, asgjë s’keni humbur, vecse keni fituar, duke u larguar nga një vend që s’të siguron asnjë lloj pune. Unë qëndrova përreth një javë, por dëgjova vetëm njerëz që ankoheshin. “Punojmë e në fund të ditës nuk fitojmë as 10 lekë. Për çdo punë që bëjmë në bujqësi ne duhet të paguajmë naftën dhe punëtorin pa llogaritur mundin e lodhjen tonë. Pa një burim të ardhurash, sot me punën në bujqësi ne nuk hamë dot as bukë.”
Shumë herë banorët e fshatit Gjoricë janë bashkuar dhe kanë ngritur zërin kundër padrejtësive që po ju bëhen. Së pari është mësuar se do ndërpritet uji për vaditje që vjen nga lumi zall, për shkak të ndërtimit të HEC-eve. Por në fakt lumi Zall, është mundësia e vetme që kanë këta njerëz për të marrë prodhim nga të mbjellat e tyre.
Rast tjetër shqetësues është i një banori nga fshati Çerenec, pjesë e Njësisë Administrative Gjoricë. Ka mbledhur në vjeshtë çdo frut duke paguar një punëtor, dhe po prap në pranverë paguan punëtorin për të hedhur poshtë frutat e ngelura stok. Kjo po që është alarmante!
Këto janë vetëm disa raste që pasqyrohen në media, por me qindra raste të tilla janë prezente në këtë komunitet. Për të rinjtë zgjidhja e vetme për të shmangur apo mos parë problemet që i rrethon në atë vend, është interneti.
Edhe unë gjatë ditëve që qëndrova atje, shpenzoja relativisht shumë kohë në Internet, e teksa po kontrolloja për ngjarjet në vend, dëgjoj një tjetër shqetësim nga banorët e fshatit Boçevë, shumë pranë fshatit tim. Historia vazhdonte domosdo dhe për to si për të tjerët që përmedëm më lart, PAPUNËSIA. Katër djemtë e tyre sëbashku me familjet që kanë krijuar, jetojnë sot në shtëpinë e ndërtuar me paratë e emigrimit, por sot janë të pa punë në vendin e tyre, që të sigurojnë jetën tani e në vazhdim.
Sot ju tregova vetëm këto tre raste, por ju siguroj që në mos 100%, 80% e dibranëve sot kanë këtë hall.
Ti, shoqëria dhe të afërmit tuaj me siguri jeni përballur me një problem të tillë në vendin tuaj.
http://www.tvbulqiza.al/bulqize-fermereve-te-gjorices-i-mbeten-prodhimet-stog/